Debatet nëse feja islame i takon Gjermanisë të padobishme
Politikani i CDU-së Röttgen mendon se komentet e ministrit të Brendshëm Seehofer (CSU) për fenë islame në Gjermani nuk janë të dobishme. Ai kërkon një koncept të ri integrimi.
Për shkak se në Gjermani ekziston “një cilësi e re imigracioni” është e nevojshme një “cilësi e re pune integruese”, tha Norbert Röttgen për gazetën ditore “Die Welt.” Ne nuk mund të vazhdojmë thjesht si deri tani, sepse kjo nuk do të jetë e mjaftueshme, tha kryetari i Komitetit për Punët e Jashtme në Bundestag.
Ai tha se ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, duhet të sqarojë, “si ç’formë mund të ketë një koncept konkret, i sofistikuar dhe pragmatik për integrimin e fëmijëve, p.sh. të atyre muslimanë”, tha politikani i CDU-së. Integrimi është bërë një çështje themelore e paqes sociale. “Kjo nuk zgjidhet vetiu në mënyrë të natyrshme,” tha Rëttgen.
Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, mendon se feja islame dhe myslimanët gjermanë mund të ndahen. Sipas tij feja islame nuk i përket Gjermanisë, por myslimanët, që jetojnë në këtë vend vetëkuptueshëm që i përkasin Gjermanisë. Kjo deklaratë është shumë e tejpërdorur dhe nga ana e politikës reale pa kuptim, por nga joshja e populizmit nuk shpëtojnë dot të gjithë politikanët dhe opinionbërësit, që e ndezin debatin për fenë islame në Gjermani, një çështje kjo me simbolikë politike.
Debat pa fryte
Në lidhje me debatin e ri të iniciuar nga Seehofer, nëse feja islame i takon Gjermanisë, Röttgen tha në mënyrë të vendosur se ky lloj debati me motive taktike dhe në fund të të cilit nuk pritet asnjë lloj pasoje duhet të marrë fund. Njerëzit presin që qeveria të arrijë në përfundime. Röttgen tha se aktualisht, asnjë parti, as CDU as CSU as SPD apo partitë e opozitës nuk janë duke zhvilluar ndonjë debat të orientuar drejt problemit lidhur me çështjet themelore të migrimit, integrimit, apo digjitalizimit, prandaj nuk është për t’u habitur që deri tani nuk ka “përgjigje konceptuale”.
Në fakt në diskursin për fenë islame në Gjermani gjërat kanë vite që kanë shkuar shumë më përpara, se sa një deklaratë abstrakte populiste. Para 13 vitesh ishte ministri i Brendshëm gjerman Wolfgang Schäuble që themeloi Konferencën e Islamit në Gjermani. Para 10 vjetësh u ngritën edhe katedrat e para të teologjisë islame në Gjermani.
Shkollat në qendër të vëmendjes
Sipas kryetarit të Komitetit për Punët e Jashtme në Bundestag Röttgen, shkollat duhet të tregojnë më shumë kujdes për edukimin fetar dhe tolerancën. Nisur prej faktit se në shkollat gjermane ka sulme antisemite dhe fëmijët e përfshirë në këto sulme janë dhe do të mbeten pjesë e shoqërisë, Rëttgen tha se “ne duhet të flasim me ta për idetë tona për fenë, duhet të praktikojmë tolerancën midis feve dhe të kërkojmë mbështetjen e prindërve të tyre.” Ai shtoi se “ka nevojë për më shumë edukatorë, punonjës socialë, asistentë për të rinjtë”.