Dekonstruktimi i Ramës
Nga Cretan Archer
Nëse do të përdorja stilistikën letrare të Ulsi Manjes (të përdorur në Doktoraturën e tij), për t’i dhënë një këshillë Ramës, do të ishte kjo: tregohet një histori ku lideri kinez Mao po bënte një shëtitje me nipin e vet në një lëndinë, dhe duke ecur shohin një zog që i qukiste lopes nën bisht. Lopa i lëshoi një bajgë e cila e rrëzoi dhe e mbuloi zogun të tërin.
Pas pak zogu nxori kokën nga bajga dhe filloi të cicërinte. Në atë çast kalon një skifter dhe e merr zogun e largohet. Lideri Mao i kthehet nipit dhe e pyet: çfarë mësove nga e gjitha çfarë pe? Asgjë, i përgjigjet nipi. Ta them unë, vazhdon Mao. Mësimi i parë është, kurrë mos fut hundët aq thellë në prapanicën e dikujt. Ndërsa mësimi i dytë është, kur je i mbuluar në bajgë, mos cicëri por mbaje kokën poshtë.
Intervistat e sforcuara të Ramës në disa media italiane, më ngjajnë me cicërimat e zogut të Maos. Unë nuk e di se përse ai ka zgjedhur pikërisht mediat italiane për të ‘mbrojtur’ reputacionin e Shqipërisë. Mund të jetë çështje aksesi ndoshta? Ajo çfarë di nga ana tjetër, është se problemi i Ramës është droga, dhe droga luhet me Italinë.
Tashmë është kthyer në aksiomë se talenti i vetëm i kësaj qeverie është imazhi. Ka lozur me imazhin kur ishte kryetar bashkie; e ka shndërruar Tiranën në një shëmtirë betoni, por ka marrë çmime! Edhe në qeverisjen e tij, e vjetmja gjë që mund të quhet ‘legacy’, trashëgimi e Ramës, është imazhi. Qeverisjen e Ramës e shoh midis Tonny Blair dhe Saimir Tahirit. Tonny Blair përsa i përket raporteve të tij ndërkombëtare, dhe Saimir Tahirin përsa i përket raporteve të tij me shqiptarët.
Dekonstruktimi i Ramës si individ, si politikan, dhe si lider i mazhorancës këto gjashtë vjet, është një proces i vështirë dhe kompleks. Historia e tij (para) politike, gjithashtu. Në vitin 2016, kur kultivimi dhe trafikimi i kanabisit kishte marrë përmasa biblike, më ndodhi të zhvilloja një bisede ‘intelektuale’ me dy gazetarë me emër në një vend europian.
Biseda ishte mbi tema të përgjithshme mbi sfidat dhe problemet e rajonit, dhe të Shqipërisë gjithashtu. Edhe mbi problemet e krimit të organizuar, trafikut të drogës, pastrimit të parave, influencave të paligjshme mbi politikën dhe qeverisjen.
Ishin tmerrësisht të informuar mbi Shqipërinë dhe problemet e saj. I dimë të gjitha, më tha njeri, por problemi është se Rama është një ‘rock star’ në Europë. Ishte e vërtetë, Rama kishte punuar aq fort në dy dekada për të krijuar imazhin e tij, saqë edhe ata që e njihnin mirë se çfarë përfaqësonte, nuk merrnin guximin të shkruanin mbi diçka së shkonte kundër perceptimit të përgjithshëm.
Edi Rama ka ecur mbi dy platforma: platformën e brendshme dhe atë të jashtme. Në platformën e brendshme ka qenë i thjeshtë dhe i qartë. Gënje, mashtro, shantazho, bli vota, përdor të fortë, dhe qeveris si kasap. Pastaj, përsëri gënje, mashtro, bli, shantazho. Cikël që përsëritet çdo dy vjet. Në platformën e jashtme është treguar më finok dhe më i sofistikuar.
Në atë platformë ka qene më i kujdesshëm, më i durueshëm, dhe e ka nisur që ditën që kaloi pragun e derës së Ministrisë së Kulturës. Një punë prej dy dekadash, një kosto financiare dhe lobuese tejet e madhe, por që ka qene produktive.
Pa u futur në teori konspiracioni, ja vlen të analizohet viti 2016. Rajoni atë botë u përball me dy sfida të mëdha: refugjatët sirianë në Ballkan dhe kanabisi në Shqipëri. Rruga ‘Egnatia’ është një rrugë e lashtë. Është përdorur nga perandori të lindjes e perëndimit. Është përdorur nga Aleksandri i Madh për të shtyrë ushtrinë e tij drejt Azisë qendrore deri në Indi; është përdorur gjatë kryqëzatave; është përdorur edhe nga fiset sllave për tu zhvendosur drejt perëndimit për ne gadishullin ballkanik.
Është rrugë që lidh Azinë qendrore, Turqinë, Ballkanin e Jugut, Shqipërinë, dhe Italinë përtej detit. Është Korridori 8. Në mijëra vjet, njerëz, fise, ushtri, tregtarë, refugjatë kanë përdorur këtë rrugë për të lëvizur nga lindja në perëndim e anasjelltas. Çuditërisht, vetëm në vitin 2016 nuk u përdor. Refugjatët sirianë, si të komanduar nga një dorë e fshehtë, kalonin nga Truqia në Greqi, Bullgari, Maqedoni, Serbi, Hungari, e më tej drejt Europës qendrore.
Rrugë tepër e gjatë, dhe e vështirë, sidomos në kohë dimri. Rruga më e natyrshme do të ishte të kalonin nëpër Shqipëri. Me e thjeshtë, më e shkurtër, më e sigurtë, më ekonomike. Unë s’mund ta them me siguri se kush dorë kishte shmangur Shqipërinë, por e dimë se Shqipëria atë kohë ishte e zënë me kultivimin e kanabisit.
Refugjatë dhe kanabis bashkë nuk mund të ketë.
Kur/ku ka refugjatë, ka media, ka ekspozim. Kur/ku ka drogë nuk duhet të ketë media, nuk duhet të ketë ekspozim. Unë jam i bindur se çfarë ka ndodhur, por që e vërteta të arrije e të përthithet nga opinion publik duhet kohë. Dekonstruktimi i Edi Ramës do të çojë gradualisht deri tek dekonstruktimi i kësaj skeme. Dhe vice-versa.
Janë të njëjtë personazhe, e njëjta skemë që tani, kur kanabis u dogj si projekt afat gjatë, kërkojnë të kthejnë Shqipërinë në vend pritës për të gjithë azil-kërkuesit e Europës.
Raportet mes shteteve janë tepër komplekse. Një pjese e mirë e këtyre raporteve zhvillohen larg syrit të publikut. Edhe problemet nuk janë probleme për aq kohë sa mbahen larg opinionit publik. Kur mbushet kupa, ato fillojnë e dalin.
Qeveritë partnere dhe shërbimet e tyre e njohin mirë si Ramën ashtu edhe qeverinë e tij. Ja njohin të gjitha pisllëqet. Por kjo nuk përbën problem për të. Problem për të është kur këto pisllëqe fillojnë e dalin në publikun ndërkombëtar.
Kjo e tmerron atë.
Marrja masive e mediave ndërkombëtare me Ramën dhe problemet e tij krijon dy çështje jetike për të. Së pari, thyejnë mitin e tij të krijuar si ‘rock star’, dhe së dyti detyron qeveritë që deri tani kanë mbyllur të dy sytë, të mos heshtin më, dhe të reagojnë. Nga një ‘aset’ ai po kthehet një ‘barrë’ për partnerët.
E, barrën se mban askush!
Dekonstruktimi i Ramës ka filluar që në vitin 2017, por kulmi ka arritur vetëm tani, pas protestave të opozitës. Ai është në rënie të lirë. Shqiptarët do të mësojnë shumë gjëra për të tani, por më shumë kur ai të mos jetë më.
E fatkeqësisht, kur të mësojnë së kush ishte Rama, ata do të urrejnë jo vetëm atë, por të gjithë mekanizmin që e solli dhe e mbajti në pushtet.