Deliri, Saliri dhe Iliri
Nga Ben Blushi*/Ka shumë mendime për Dibrën dhe me sa shoh palët ndahen në dy pjesë: një palë janë të mërzitur dhe një palë janë të gëzuar. Unë nuk jam as i gëzuar dhe as i mërzitur. Unë jam i çuditur.
Si një njeri që beson se arsyeja e rritjes së votave në shoqëritë e emancipuara është puna, punësimi, investimet, ekonomia, modeli progresist dhe mirëqenia, unë jam përpjekur gjithë këtë javë të kuptoj se çfarë arsye kishin dibranët ta rrisnin me dhjetë herë diferencën e votave për një vit.
Çfarë ka ndodhur në Dibër, që nga 400 vota, diferenca shkoi në 4000 mijë vota? Janë shtuar vendet e punës? Është shtuar mirëqenia? Ka më shumë investime të huaja? Ka më pak emigracion? U afruan me Tiranën? Mbaroi Rruga e Arbrit? U dyfishuan rrogat? U trefishuan pensionet? Çfarë ka ndodhur pra?
Fitoi Muharrem Rama duke na habitur me aftësitë e tij proelektorale, që e ndezën dhe e përndezën Dibrën në një masë që këtë zjarr do e kemi vështirë ta shuajmë edhe për nja dhjetë vjet? Fitoi Edi Rama që shkoi në Dibër dhe i bindi se pa Dibrën, ai nuk e bën dot Shqipërinë dhe pa Rrugën e Arbrit, Ballkani nuk bëhet dot një territor i kalueshëm europian?
Çfarë ndodhi në Dibër pra, që s’po e shpjegojmë dot?
Një palë këtu, që është PD, natyrisht ka variantin e vet, por që nuk është shumë i besueshëm. Ata kanë humbur dhe unë isha i bindur se do humbnin. Humbja e PD nuk më intereson, për të mos thënë që gjatë gjithë jetës sime më ka gëzuar më shumë se leximi i një romani të mirë. I kam shijuar humbjet e PD-së dhe do vazhdoj t’i shijoj. Madje PD-ja, siç është sot, meriton të humbë dhe do të vazhdojë të humbë si një grup politik i pavotueshëm dhe totalisht i demotivuar.
Por ajo që më çudit dhe me shtyn të merrem me Dibrën nuk është humbja e PD, por fitorja e qeverisë në një masë të pamerituar. Edhe vetë Rilindja, e cila është mësuar të fitojë merita të pamerituara e ka vështirë të shpjegojë çfarë ndodhi në Dibër.
Nuk kam parë njeri prej tyre të thotë se Dibra votoi reformat, Dibra votoi sistemin e ri të arsimit apo udhëzimin numër 13, që torturoi maturanët, Dibra votoi ndarjen e re territoriale, Dibra votoi reformën në drejtësi, Dibra votoi takimin e suksesshëm të kryeministrit me zonjën Mogherini në Bruksel, Dibra votoi rritjen e deflacionit ngjitës në inflacion zbritës, Dibra votoi koncesionet në shëndetësi, Dibra votoi rritjen e prodhimit bujqësor në Myzeqe, Dibra votoi përfundimin e parakohshëm të Lungomares në Vlorë, Dibra votoi ardhjen dhe ikjen e shëndetshme të mijëra turisteve në rivierën e shkëlqyer të vendit tone, Dibra votoi rritjen e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, Dibra votoi për t’i dhënë Shqipërisë pak ngrohtësi në prag te dimrit.
Atëherë çfarë votoi Dibra?
Sipas PD-së, votat aty janë blerë. Por unë them se është e pamundur që megjithë deformimet e zakonshme, përfshi edhe blerjen, Rilindja arriti të blejë katër mijë dibranë, aq sa për të mundur njëkohësisht tre gjera: Partinë Demokratike që ishte në fushatë, LSI që nuk ishte në fushatë dhe gojën e atyre që ankohen për paaftësinë e qeverisë dhe janë në çdo fushatë.
Atëherë çfarë ka ndodhur në Dibër, nëse nuk janë blerë kaq shume vota? Çfarë magjie është kjo që bën që për një vit votat dhjetëfishohen? Çfarë do ndodhte në Itali nëse një ditë, Bolonja që voton historikisht majtas voton masivisht në të kundërtën e vet? Çfarë do mendonin komentatorët dhe politikanet e vjetër të Italisë, nëse Milano që voton gjithmonë djathtas, nesër voton për të majtën pesë herë më shumë se sa ishte parashikuar?
A ka pra aftësi Dibra të thyejë të gjitha ligjësitë elektorale të njohura? Sepse të besosh që Dibra voton majtas është si të besosh sot se grekët do votonin për Angela Merkelin. Unë në këtë rast kam një ide se çfarë ka ndodhur në Dibër. Dibranët nuk kanë votuar kundër të djathtës, nuk kanë votuar pro të majtës, ata kanë votuar për Qeverinë.
Dibra tregoi diçka që prej kohësh nuk mund ta fshehim më. Populli nuk do të votojë kundër qeverive. Populli do ta ketë mirë me qeverinë, ç’ka është një bjerrje e pritshmërive dhe shpresës. Populli i Dibrës nuk votoi nga inati se nuk ka, por nga frika se mund të humbë edhe atë që ka.
Dibra është sot krahina më e varfër në Europë. Asnjë fshat rumun apo bullgar, apo portugez që janë në periferi të Europës, nuk prodhon dot atë varfëri që mund të shohësh në Dibër. Por varfëria nuk i çoi dibranët në inat dhe as në mllef. I çoi në pajtim. Në frikë. Ata mendojnë se duke votuar kundër qeverisë mund të humbin atë që kanë. Kushdo që ka besuar se varfëria dhe mjerimi janë aleatë të qeverisë ja ku e ka shembullin. Dibra është modeli. Ta marrin dhe ta fusin në manualet e zgjedhjeve. Varfëria e provincave e mban në këmbë regjimin e Erdoganit në Turqi.
Frika se duke votuar kundër qeverisë, varfëria do të rritet, ndihma ekonomike do ulet, rrugët nuk do bëhen, investimet do pakësohen dhe policia do acarohet, ishin arsyet për të votuar siç u votua. Dibra nuk mund të votonte për të rritur mjerimin e vet duke e ditur se vetëm qeveritë kanë në dorë ta zbusin mjerimin me lëmosha. Edhe unë, nëse do isha dibran, mund të votoja si dibranët.
Shqiptarët kanë shumë vite që janë pesimistë dhe kanë gjetur një rrugë të njohur për t’ia dalë. Ata nuk duan të sulmojnë. Ata rrinë në mbrojtje. Mbrohen nga qeveritë e tyre duke i marrë me të mirë dhe duke i votuar. Kjo i jep më pak kokëçarje dhe me shume qetësi derisa koha të ndryshoje dhe të fryjnë ujëra te tjera. Për këdo që çuditet, unë mund t’ju them se Dibra, pra pajtimi me të keqen nga frika, ka ndodhur edhe me herët në vende të tjera, por ne nuk kemi dashur ta shohim. Dibra ndodh përditë në Tiranë, atëherë pse duhet të habitemi me Dibrën dhe me dibranët?
Sa maturantë janë djegur dhe përcëlluar për shkak të paaftësisë së Rilindjes për të krijuar një sistem barazitist në arsim: me mijëra. E keni parë sa dalin në protestë: me dhjetëra. Sa qytetarë të Tiranes janë neveritur kur shohin se si i prishet një nga godinat e tyre më të dashura, siç ishte stadiumi “Qemal Stafa”? Sa prej tyre dolën ta mbronin. Askush. Ai u zhduk si një top letre. Dhe meqë përmenda Turqinë, dua të kujtoj rastin e sheshit Gazi në Stamboll. Për ta mbrojtur atë shesh nga Erdogani pati njerëz që u vranë dhe qëndruan atje me muaj, ditë dhe natë. Atëherë çfarë kërkon Tirana nga Dibra?
Po marr një rast tjetër dhe shpresoj se nuk do e kem gabim: Pas një jave ky Parlament do miratojë hapjen e kufijve të Shqipërisë për plehrat e Europës. Rilindja dhe Partia Demokratike do bien dakord për ta kaluar, sepse është normale që këta janë gjithnjë dakord për plehrat, sidomos kur ato vijnë nga Europa. Do e shikoni gjatë dhe pas këtij votimi, se sa njerëz do reagojnë. Shumë pak ditën e parë, edhe më pak ditën e dyte dhe aspak ditën e tretë. Atëherë pse duhet t’ia kërkojmë Dibrës të reagojë, nëse askush nuk reagon? Pse duhet t’i kërkojmë Dibrës të dalë në opozite kur gjysma e opozitës nuk është opozitë? Opozita i kërkoi Dibrës të bënte atë që ajo vetë nuk e bën. E pse duhej ta dëgjonte Dibra?
Çfarë vjen pas kësaj është shumë e qartë. Nga Rilindja, deliri do të rritet dhe për shkak të Dibrës, Rilindja do qeverisë edhe më keq, sepse nuk ka asnjë arsye të qeverisë më mirë për sa kohë që populli e voton edhe kur nuk bën asnjë punë. Nga PD, besimi se mund të vijë në pushtet do ulet dhe sigurisht dibranët në radhët e opozitës do shtohen, pra njerëz të cilët do bëhen me Rilindjen duke menduar se përdhunimi është gjithnjë më i shijshëm së tradhtia, pasi përdhunimi ka një avantazh kundrejt tradhtisë: ai është alibik. Pas tij edhe mund të ankohesh, se nuk e ke pranuar.
Dhe siç kanë ardhur punët, gjërat do të vazhdojnë siç kanë qenë, madje në perpetum: Tre yjet që shkëlqejnë në qiellin e Dibrës do vazhdojnë të shndrisin. Këta janë DELIRI, SALIRI dhe ILIRI. Shqiptarët prej njëzet vitesh jetojnë në galaktikën e tyre. Ata do vazhdojnë të prodhojnë dhe të shkëmbejnë Dibrat me njëri-tjetrin.
Për sa kohë që votojnë për DELIRIN, për SALIRIN dhe për ILIRIN, nuk kanë asnjë arsye të ankohen për dibranët, të cilët sot janë kthyer në një manual elektoral që të mëson se si të llastosh qeverinë.
*Fjalimi i mbajtur sot në Kuvend