Demokracia dhe ekonomia në botën e sotme, pasqyrë mbi tendencat dhe paradokset globale
Në botën e sotme, demokracia dhe ekonomia kanë marrë një kthesë të paparë, duke krijuar një ekuilibër të ndërlikuar mes interesave të ngushta dhe atyre të gjera. Me ndikimet e globalizimit, teknologjisë dhe kapitalit ndërkombëtar, prioritetet ekonomike kanë filluar të mbizotërojnë mbi vlerat demokratike dhe politikat publike. Në shumë raste, interesat ekonomike duket sikur kanë përparësi ndaj prioriteteve politike, duke e zhvendosur rolin e demokracisë drejt një mjeti që përdoret për të përforcuar struktura të caktuara pushteti dhe kapitali.
Ekonomia si prioritet mbi politikën dhe demokracinë
Në dekadat e fundit, bota ka parë një trend ku interesat ekonomike janë bërë prioritet absolut. Politikat publike shpesh ndjekin agjendat e korporatave të fuqishme apo grupeve ekonomike të mirorganizuara, duke anashkaluar interesat e popullit të gjerë. Ky trend reflektohet në mënyrën se si vendimet e mëdha botërore, si ato mbi tregtinë, teknologjinë, apo energjinë, bazohen gjithnjë e më pak në qëllime të gjera shoqërore dhe më shumë në përfitimet e grupeve të ngushta. Ekonomitë e fuqishme dhe korporatat e mëdha ndërkombëtare luajnë një rol gjithnjë e më të madh në vendimmarrjen politike, duke e bërë politikën një mjet për ruajtjen dhe zgjerimin e kapitalit.
Një “Iluminati i Ri” ekonomik dhe politika globale
Një tjetër element që është bërë i dukshëm është logjika e re e vendimeve globale, që vepron ndryshe nga ajo tradicionale. Sot, vendimet merren në një formë që shpesh shkon përtej logjikës së zakonshme, duke krijuar një rreth të ngushtë që mund të quhet një “Iluminati i ri” ekonomik. Kjo strukturë e re përbëhet nga qendra të caktuara kapitali dhe pushteti që funksionojnë në forma të mbyllura dhe të përqendruara, duke krijuar një “booble” (flluskë) në disa nga qendrat kryesore botërore.
Ky “Iluminat” i ri nuk është thjesht një strukturë e caktuar, por një fenomen i rrënjosur në praktikat e korporatave të mëdha, të cilat shpesh shfrytëzojnë krizat globale për të krijuar përfitime marramendëse. Gjatë krizave të fundit, si ato financiare, të pandemive apo ndryshimeve klimatike, shumë kompani dhe individë të fuqishëm kanë arritur të përfitojnë, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë është përballur me vështirësi dhe pasiguri.
Krizat e pafundme dhe loja me ndjeshmërinë ekonomike
Krizat globale kanë treguar një prirje për të mos u zgjidhur plotësisht. Ato shpesh vendosen në “stop” për një periudhë të caktuar dhe më pas “aktivizohen” përsëri për të rikthyer frikën dhe pasigurinë. Në këtë mënyrë, krizat bëhen mjete të fuqishme për të manipuluar dhe kontrolluar tregjet, duke i lënë njerëzit në një gjendje të vazhdueshme frike dhe pasigurie. Ky cikël i krijuar nga kapitali i fuqishëm dhe interesat e veçanta ndihmon në krijimin e një realiteti të ri ekonomik, ku logjika e zakonshme nuk ka më rëndësi, ndërsa një “kastë” e re që funksionon sipas parametrave të një logjike “jologjike” vazhdon të fuqizohet.
Kapitali në shërbim të politikës:
Në këtë botë të re, kapitali dhe politika janë bërë aleatë të ngushtë. Kapitali jo vetëm që e përdor politikën si një mjet për të mbrojtur interesat e tij, por gjithashtu e shtrin ndikimin e tij në mënyra që kufizojnë demokracinë. Kjo strukturë ekonomike-politike ka të ngjarë të krijojë një botë me qendra të reja pushteti që veprojnë në mënyrë të pavarur dhe të përqendruar, duke ndjekur interesat e tyre ekonomike në formë të flluskave të veçanta që përfitojnë nga tendencat globale.
Në këtë panoramë të re globale, qëndrueshmëria dhe barazia janë gjithnjë e më shumë të rrezikuara, ndërsa politika në shërbim të kapitalit mbetet një realitet i pakontestueshëm. Rreziku qëndron në faktin se nëse ky trend vazhdon, bota mund të hyjë në një epokë ku ekonomia dhe politika shërbejnë vetëm interesat e një pakice të vogël, duke lënë pjesën më të madhe të njerëzimit të përballet me pasiguri të vazhdueshme dhe kriza të pafundme.
Shuk Orani / koha.net