Demokracia shqiptare; peshku qelbet nga koka
Afrim Krasniqi
Në kuadër të një projekti mbi demokracinë e brendshme dhe treguesit e cilësisë së funksionimit të partive politike në Shqipëri, të realizuar nga bashkëpunimi i Institutit të Studimeve Politike dhe Friedrich Ebert Stiftung, ISP ka publikuar raportin e parë kombëtar për periudhën mars-prill-maj 2016 Kjo është hera e parë në historinë 26 vjeçare të pluralizmit politik që hartohet një raport periodik kombëtar mbi partitë politike, dhe që çështjet e demokracisë së brendshme të trajtohen si çështje me interes publik për qytetarët, median dhe standardet e demokracisë në Shqipëri.
Më poshtë janë gjetjet kryesore të raportit.
Me ligjin mbi të drejtën e informimit (2014) çështja e transparencës publike është bërë kriter vlerësimi dhe standard minimal për çdo institucion publik dhe indirekt, edhe për partitë politike si organizata që kryejnë aktivitet ligjor publik dhe kanë funksionarë publikë. Vetë partitë janë promovuese dhe monitoruese aktive të këtij ligji, por brenda atyre, ato nuk kanë përmbushur as standardet minimale të zbatimit të tij. Partitë janë të mbyllura për publikun dhe refuzojnë transparencën dhe llogaridhënien publike.
Legjislacioni shqiptar mbi partitë politike është i paplotë dhe konfuz. Nga monitorimi i kryer nga ISP vetëm 12 nga 126 partitë politike të regjistruara në gjykatë kanë raportuar periodikisht ndryshmet që kërkohen nga ligji. Pjesa tjetër e partive e ka injoruar detyrimin ligjor, disa parti politike figurojnë ende aktive me drejtues të cilët as nuk jetojnë më. Fiktiviteti i partive politike pranohet edhe nga KQZ, organ i cili në raportin vjetor 2015 thekson se nga 118 parti politike të cilat duhet të auditoheshin, 71 parti politike nuk u arrit të kontaktoheshin nga ekspertët kontabël të kontraktuar nga Komisioni.
Referuar standardit minimal të informimit publik, pjesa më e madhe e këtyre partive nuk kanë faqe interneti, nuk kanë media dhe as burime të tjera publike informimi mbi programin, strukturat, aktivitetin dhe të dhënat e tyre. Partitë kryesore parlamentare: PS, PD, LSI, PDIU kanë faqe interneti, pjesërisht të përditësuar. Partitë e tjera në parlament PDK, PBDNJ, etj, kanë faqe in-aktive interneti, kurse partitë e mbetura, LZHK, PR, PAA, etj, nuk kanë adrese efektive në internet.
Aktiviteti kryesor i partive është adresuar në rrjetet sociale, të cilat krijojnë audiencë të gjerë, por nuk kanë vlerën e referimit, të arkivit të qëndrueshëm dhe të fakteve. Rrjetet sociale përdoren kryesisht për denigrimin e palës tjetër dhe fushata sensibilizimi, jo për rrjete konsultimi, komunikimi dhe shkëmbimi opinionesh mbi qëndrime të caktuara politike. Ato kanë kosto minimale, krijojnë headline në media, promovojnë liderit politikë, mbështeten nga grupet militante mbështetëse, por duke qenë virtuale dhe abuzive, nuk lënë “gjurmë” të qëndrimeve politike në memorien ndaj liderit ose partisë, ose vazhdimisht retushojnë lajmet në varësi nga interesat e ditës.
Në partitë kryesore (PS, PD, LSI) dominojnë njoftimet zyrtare mbi aktivitetet dhe deklarimet publike të kryetarit dhe stafit drejtues, por mungojnë përditësimet mbi zgjedhjet e brendshme partiake, të dhënat mbi strukturat drejtuese, mbi mbledhjet e kryesisë apo Asamblesë/Këshillit Kombëtar, si dhe mungojnë tërësisht mendimet kritike që shfaqen nga individ apo fraksione në parti, edhe kur këto të fundit janë headline në median e shkruar dhe vizive. Partitë po identifikohen gjithnjë e më shumë me emrin e liderit politik dhe ky tipar negativ, reflekton edhe natyrën disproporcionale midis lajmeve që prodhojnë partitë mbi kryetarin dhe lajmit mbi pjesën tjetër të partisë.
Në faqet zyrtare të secilës parti politike nuk gjenden asnjë nga aktet e miratuara zyrtare të kryesisë, udhëzimet e kryetarëve, raportet e monitorimit dhe analizës, dhe as aktet e propozuara për debat në anëtarësi, as draft-programe dhe draft-ide mbi të cilat mund të diskutojnë dhe japin mendime anëtarësia/strukturat vertikale. Arkivat partiake janë të mbyllura për publikun, ndaj edhe pamundësia për njohjen mbi aktet zyrtare pamundëson edhe monitorimin e ligjshmërisë dhe cilësisë në përgatitjen dhe jetësimin e tyre.
Në faqet e internetit të secilës parti mungon tërësisht informacioni historik i aktivitetit të tyre, të dhënat mbi zgjedhjet në vite apo mbi strukturat drejtuese, të dhënat për burimet e financimit apo për raportet me partnerët vendor e të huaj. Raportet e financimit dhe aktivitetit janë formale, por edhe pa mekanizma verifikimi. Partitë paraqiten shumë më të varfra sesa janë, dhe duke përfituar nga boshllëku ligjor, krijojnë sistem fiktiv raportimi vjetor.
Në faqet e internetit të PS, PD, LSI, etj, nuk ka publikime të aktualizuara të programeve politike, të statuteve, të rregulloreve dhe praktikave të tjera organizative, siç nuk ka raportime mbi numrin e anëtarësisë, adresarin e degëve në rrethe, adresa kontakti apo të dhëna të tjera që përbëjnë standardet minimale të ligjit për të drejtën e informimit publik. Mungesa e detyrimit ligjor për anëtarësi dhe e database mbi anëtarësinë, si dhe e mekanizmave që monitorojnë saktësinë e kësaj baze, shoqërohet me procese fiktive ose të kontestuara votimi në nivele lokale dhe qendrore të partive.
Në faqet e internetit të PS, PD, LSI, etj, nuk janë publikuar të dhënat bazë (statut, program, zgjedhje, kryesi, rregullore, praktika pune dhe vendimmarrjeje) që lidhen me organizatat e tyre partnere, forumet rinore dhe forumet e grave. Nuk ka asnjë rast të vetëm kur një forum politik rinor apo gra/vajza të vetë-organizohet dhe të krijojë identitet publik, por në tërësi dominon praktika, sipas të cilës, organizatat partnere janë avokate besnike e kryetarit të partisë, dhe për pasojë, edhe të kontrolluara prej tij.
Vetëm PD ka publikuar listat e Këshillit Kombëtar. Partitë e tjera, përfshirë PS e LSI nuk kanë të dhëna publike mbi anëtarët e Asamblesë Kombëtare/Komitetit Drejtues. Nga verifikimi i listave rezulton se një numër zyrtarësh kanë mospërputhje të angazhimit politik me statutin e tyre ligjor si nëpunës civilë ose funksionarë publikë, siç rezulton edhe se tradicionalisht, partitë në opozitë kanë më pak shkelje në këtë drejtim edhe për shkak se zyrtarët e saj kryesisht janë të papunë ose në aktivitete joqeveritare.
Në partitë shqiptare, ndryshe nga hierarkia statutore e miratuar në gjykatë, organizimi politik po ecën në drejtim të centralizimit vendimmarrës, kryesisht, përmes krijimit të strukturave paralele (kryesi dhe sekretariat, koordinatorë dhe të ngarkuar me punë, kryesi e vogël dhe kryesi e madhe, grup parlamentar dhe kryesi, etj) ose përdorimit të kuotave (kuotave gjinore dhe rinore) si mekanizëm kufizimi për kandidatët e karrierës që janë jashtë këtyre kuotave.
Asnjë parti politike nuk ka miratuar ende vendime të posaçme, të cilat, bazuar në dokumentet statutore, aplikohen në rastet kur personat arrestohen, dënohen, kryejnë vepra penale, shkelin kodet e etikës apo janë objekt i ligjit të de-kriminalizimit. Edhe në rastet e skandaleve publike (skandalet nga mediat, shkarkimet nga postet, arrestimet, ndalimet, dorëheqjet për shkak të skandalit, etj) të zyrtarëve që mbajnë funksione partiake, vetë partitë nuk kanë vepruar, nuk kanë hequr zyrtarisht mbështetjen politike dhe kështu, nuk kanë zbatuar përgjegjësitë statutore dhe as standardet e larta që ato kanë premtuar në debatin mbi dekriminalizimin.