Demokratizimi i partive politike është detyrë imperative

Nga Sadedin Çeliku

Ka patur dhe ka mjaft debate rreth të ashtuquajturës demokraci se cili përcaktim duket më i drejtë kur modelet nga një shtet në tjetrin ndryshojnë. Pra teoricienët dhe politologët e shumtë u japin përgjigje të ndryshme kësaj çështje.  Tek ne edhe pse demokracia shqiptare është e brishtë dhe shpesh shoqërohet me kriza politike,përsëri nuk ka ndodhur të mbahet pushteti më shumë se tetë vjet, madje vetëm Sali Berisha qe i vetmi që qëndrojë në pushtet 14 vjet, respektivisht 6 vjet si President dhe 8 të tjera si kryeministër i vendit. Pas tij renditet Edi Rama që pasi përfundojë mandatin e parë si kryeministër synon dhe një tjetër prej katër vitesh në se gjatë rrugës nuk do të ketë trauma.

Sistemi ynë elektoral edhe pse nuk duket i keq, ka mjaft probleme të cilat në kushtet e një demokracie klasike nuk mundet të realizojë të drejtat që burojnë nga kushtetuta. Kështu nuk realizohet sovraniteti popullor dhe e drejta për tu zgjedhur e për të zgjedhur sepse kandidatët për deputet i cakton partia ose kryetari i saj përmes listave.  Pra në parlament nuk shkojnë njerëzit më përfaqësues, nuk përfaqësojnë popullin, komunitetin apo zonën zgjedhore dhe sovranitetin e popullit e ushtrojnë disa njerëz jo të zgjedhur direkt nga populli. Kjo ka bërë që në parlament të zënë vend njerëz të dekriminalizuar,biznesmenë me biznese e para të dyshimta pse jo dhe kriminelë.  Me këtë ligj elektoral votuesit, pra, populli nuk përfaqësohet dhe askush nuk mbron interesat e zgjedhësve dhe ato popullore,dhe as mund të realizohet demokracia që pretendohet.

Problem tjetër është jo pak shqetësues kur mendon se Shqipëria është një vend i vogël dhe ka të regjistruar në gjykata mëse 100 parti politike dhe me pragun dhe me këtë Kod Zgjedhor, në parlament futen edhe derri edhe dosa. Sot ne kemi deputetë nga 8 subjekte politike, kur në vendet e tjera të zhvilluara ka shumë më pak se kaq.

Tashmë krahas reformës së drejtësisë e cila është në proces,duhet të nisë dhe reforma zgjedhore detyrë e cila kërkohet jo vetëm nga forcat opozitare në vend, por dhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian. Ka mendime të ndryshme ku secila parti shikon interesat e ngushta dhe jo reformimin e asaj që quhet demokraci. Sipas meje, Kodi Zgjedhor duhet të mbajë parasysh shmangiet e krizave gjatë qeverisjeve dhe të koalicioneve me bazë të gjerë, për shkak se shpesh pozicionet ministrore i shikojnë si pronë të tyre pse jo dhe sjellin në administratë njerëz të paaftë, militantë pse jo dhe njerëz me diploma të blera në tregun e zi universitar jo publik.

Kështu gjykoj se sistemi i pastër maxhoritar me reduktim të numrit deputetëve nga 140 në 100 do të ishte një ide jo e keqe me një prag jo më të vogël se 4-5 përqind.  Por edhe sistemi elektoral i modelit grek me prim është mjaft i mirë sepse shmang krizat dhe i jep fituesit një frymëmarrje dhe përgjegjësi qeverisëse. Nga ana tjetër zgjedhja e Presidentit Republikës duhet të ndryshojë me kushtetutë dhe kësisoj më duket si e dobishme modeli bullgar që ka republikë parlamentare por presidentin e zgjedh populli. Çështja e zgjedhjes së presidentit tek ne është bërë gjithnjë pazar i keq i maxhorancave ose kompromis midis dy partive të mëdha. Kjo nuk i ka bërë mirë demokracisë në vend dhe roli e presidentit ka qenë gjithmonë në hije dhe inferior.

Demokratizimi i politikës shqiptare përfshi dhe krerët politikë të subjekteve tashmë është imperative. Ka ardhur koha ti japim fund tranzicionit të gjatë e të keq, ndaj sot më shumë se kurrë më parë duhet vullnet politik për të ndryshuar gjithçka që është në të mirë të demokracisë dhe popullit shqiptar.

SHKARKO APP