“Derë më derë si trokitje e ditëve më të mira”
Nga Ardit Gjinali –
Hapja e një dere është lindja e një këndi shprese, shumësia e të tillave përbën kushtrimin e një shprese të re që po lind, e tilla që buron nga vullneti i palëkundur qytetar, vokacioni perëndimor dhe refuzimi i së keqes. Rendi keqqeverisës mbylli shumë dyer duke zbrazur Shqipërinë dhe duke e vërtitur vendin në humbëtirën që përcjell zbrazëtia;- njeriu…individi i lirë është temjani i pushteteve autokratike…fuqia e mendimit, përpjekja pozitive për zhvillim, mungesa e pajtueshmërisë me nënshtrimin dhe besimi për ndryshim trondisin vizionin politik të instaluesve të autokracisë. Ky mbetet shkaku kryesor i ndikimit të qëllimtë të keqqeverisjes për boshatisjen e vendit; varrmihësit e shpresës së shqiptarëve kyçën secilën derë të mundësisë me darën e çeliktë të arbitraritetit pushtet-ushtrues duke tentuar nënshtrimin shoqëror si element thelbësor për të jetësuar sundimin.
Sot po troket një shpresë e re, një ftesë për një besim të ri që nuk do të përdoret keq , një trokitje në derën e të padëgjuarve dhe të nëpërkëmburve që do të dëgjojnë trokitjen e shpresës; -trokitjen e një mendësie të re me të rinjtë që janë lajmëtarët e një ndryshimi të ri dhe fytyra njerëzore e qeverisjes së nesërme; trokitja e sotme në pjesën e jashtme të derës është parathënie e një dere të hapur nesër , e tilla që do të hapet bashkë me vullnetin për të bërë shumëçka më mirë; trokitjen për tu dëgjuar sot dhe për të mbrujtur besimin për zgjidhjen e nesërme që nuk do të mungojë; trokitja e së vërtetës së nesërme qeverisëse që shikon , prek dhe ndjen vështirësinë e qytetarit për shkak të një jete të vështirë të kultivuar në vargun e pamundësive; trokitja e së sotmes për të njohur pritshmëritë qytetare që nuk mund të mbeten të tilla në të nesërmen e një mendësie të ndryshme qeverisëse, gjithashtu.
Pushteti i sotëm nuk dëgjon dhe përdor secilën hapësirë për të zhurmuar zërin qytetar; i tilli…pushteti përdor secilin zë të figurantëve politikë të enturazhit qeverisës për të derdhur një monolog propagandistik që nuk është thjeshtë një furtunë në gotë;- monologu është një proçes i vazhdueshëm që shoqëron rrugëtimin qeverisës dhe shërben për të prezantuar suksesin e rremë të mozaikut të dështimit që është mbrujtur kah praktikat negative që lindin nga dhe bashkëveprojnë me të keqen;- e keqja nuk është alegoria që shërben për të formësuar subjektin artistik të një vepre letrare me karaktere të ndryshëm të këtillë…..e keqja në ditët e sotme të një realiteti thuajse autokratik nuk është thjeshtë një perceptim që mund të ngjasojë gabueshëm me fillesat e një gjykimi apriori të nxituar; -e tilla është sjellje qeverisëse dhe model frymëzues që rreket të prezantojë të keqen si një normalitet shoqëror. E keqja qeverisëse është enumeracioni i kapjes së shtetit, demokracisë së dhunuar, lirisë së kufizuar dhe dimensionit aspak njerëzor të qeverisjes;e keqja është keqqeverisja që shembi normalitetin për të sunduar Shqipërinë dhe qytetarin e thjeshtë, gjithashtu.
Po troket largimi i së keqes për të nisur një rrugëtim të ndryshëm qeverisës….një rrugëtim i bazuar në liri, ligj, punë dhe dinjitet….një bashkim i madh për të realizuar një ndryshim të qënësishme përmes një shprese të re. Trokitja derë më derë është trokitja e ditëve më të mira në një Shqipëri normale të së nesërmes jo të largët….me një qeveri dhe Kryeministër normal, gjithashtu. Koha për një besim të ri që formëson një shpresë të re që do të realizojë një ndryshim të madh është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë….