Dhjetë muaj për 10 rreshta…
Nga Adriatik Dosti
Më së fundi ka folur drejtësia dhe ka folur ashtu siç di të flasë vetëm ajo, kur nga padrejtësia i është mbushur kupa e i ka ardhur në majë të hundës, aty ku s'mban më. Ngjau ajo ç'ka pritej. Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës pas tri herë shtyrje të vendimit më së fundi, dje më 10 korrik 2015 ka bërë publik vendimin e saj rreth dosjes “Beogradi 14 tetor 2014'” dedikuar gjithë asaj ç'ka ngjau atë ditë në kryeqytetin serb gjatë ndeshjes së vlefshme për eliminatorët e Francë Euro 2016, Serbi – Shqipëri. Në mënyrë logjike e profesionale, me sens të lartë ndershmërie e drejtësie kjo gjykate ka hedhur në koshin e plehrave dy vendimet e mëparshme të Komisionit të Disiplinës, e atij të Apelit të UEFA për këtë ngjarje të rëndë që tronditi mbarë botën sportive e jo të tillë. Shqipërisë nuk i është bërë asnjë favor përpos që drejtësia ka vënë në vend drejtësinë dhe haka ka shkuar siç thotë populli tek i zoti. Ajo ç'ka ngjau atë mbrëmje të zeze të 14 tetorit nuk kishte nevojë për kaq shumë komente, luftë nervash e sorollatje të bezdisshme burokratike komisionesh e gjyqesh pa fund, vendimesh të mbrapshta e krejtësisht politike e shtyrjesh plot ankth të një vendimi anti-serbë, anti-dhunë, anti-racizëm e anti-barbar që dukej prej së largu si drita e diellit. Shqiptarët kanë të drejtë të jenë të gëzuar, por edhe të lumtur jo për faktin se morën 3 pikët që i meritonin në çdo lloj sensi e interpretimi ligjor, e as për atë se kombëtarja e tyre e futbollit tashmë ka 10 pikë, është në vendin e dyte në grup dhe ka shumë gjasa të prekë ëndrrën e madhe të tyre për të qenë prezent në një finale të një evenimenti të madh të futbollit europian e atij botëror siç është Francë 2016, por se më në fund panë dritë në fund të një tuneli të errët 103 vjeçar që i kish errësuar kurdoherë në të gjitha ngjarjet e mëdha të historisë së tyre kombëtare e me halle shumë. Shqiptarët tashmë besojnë tek drejtësia ndërkombëtare e kjo e fundit ka kohë që po merr shenja të ndërsjellta prej tyre. Ata vunë sot denjësisht në vendin e duhur nderin, prestigjin e dinjitetin e tyre kombëtar të nëpërkëmbur padrejtësisht. Por, pse u desh pritur kaq gjatë? Sepse edhe në fund të detit të tentosh ta mbysësh të drejtën ajo një ditë do te dalë në breg të tij ose do ta nxjerrë vala ose Perëndia ndaj populli thotë zoti vonon por nuk harron. Vendimi i Lozanës me së shumti nuk duhet të gëzojë shqiptarët se sa vetë botën e bukur e qëllimin fisnik të sportit e futbollit në veçanti. Duhet të gëzojë e lumturojë të gjithë ata që janë rreshtuar e qëndrojnë fort në krah të luftës kundër racizmit, dhunës, barbarisë, shovinizmit, poshtërimit e fyerjes së racave, besimeve fetare, gjuhës, simboleve, zakoneve e traditave të secilit popull a komb e në këtë prizëm fqinjët tanë xanxarë serbet e grekët sot duhet të kenë marrë një mësim të mire, por edhe një shuplakë të forte nga e cila duhet të zënë mend njëherë e mirë për të nesërmen.
Vendimi i Lozanës i tha një JO të fortë së keqes e i hapi dritën jeshile së mirës. Si shqiptar, si njeri i penës e i botës së futbollit pothuajse gjithë jetës sime, por edhe si njëri prej atyre që nuk rreshti së shkruari për ngjarjen në fjalë natyrisht mezi e kam pritur sot këtu në Amerikën e largët agimin e kësaj dite dhe shpalljen publike të këtij vendimi. Lotë të nxehtë më rrodhën, por tani ishin lotë që drejtësia i ka hallall e i meriton.
Së fundi, edhe pse dikush aty në FSHF mund t'ja atribuojë vetes këtë si sukses personal do ti thoja po kaq hapur e publikisht JO.. JO..vetëm ju aty nuk keni të drejtë të gëzoni kaq sinqerisht sa të gjithë ne njerëzit e ndershëm, pasi ishit po ju që pak ditë e muaj më parë votuat sërisht padrejtësinë e korrupsionin në krye të futbollit ndërkombëtar, votuat pikërisht për të qenë në krye sërish ata njerëz që dje e dënuan aq rëndë e padrejtësisht Shqipërinë e sportin e ndershëm. Votuat dy ndër njerëzit më të zinj në historinë e sportit Blater -mafiozin e Platinovic – antishqiptarin që më së paku sipas kësaj logjikës sime për një kohë të gjatë, madje shumë të gjatë edhe pse pa i dënuar njeri e pa i shpallur persona Non Grata, gjë të cilën e meritojnë plotësisht me qëndrimet e mbajtura ndaj Shqipërisë e shqiptarëve prej kohësh, vetë me ndërgjegjen e tyre nuk duhet ta shkelin më tokën e shqiptarëve. Po kështu nuk kanë aspak të drejtën morale të gëzimit edhe ata analistë, gazetarë e komentatorë me nga një PSEUDO përpara që me aq urrejtje e antishqiptarizëm gjykuan, fajësuan e i etiketuan gjithfarëllojesh djemtë, futbollistët e heronjtë tanë kombëtare të asaj mbrëmje të çmendur lufte të serbëve fashistë.
Gjykoj kështu jo për 3 pikë a një ndeshje futbolli, por më së shumti për qëndrimin e pafytyrë, krejtësisht politik e imazh dëmtues që mbajtën ndaj Shqipërisë e shqiptarëve duke u rreshtuar haptazi kundër padrejtësisë e errësirës. E tani më duket se ne shqiptarët kemi hequr nga supet një mal të rëndë që mbanim padrejtësisht mbi supe për 10 muaj radhazi e që na peshonte e rëndonte shumë, vërtet shumë. Kemi të drejtë tashmë të marrim frymë lirisht. Turpi le të mbetet në derën e atyre që janë mësuar me të e nuk mund të rrojnë dot pa të. Shqipja u ngrit sërish në fluturim dhe nuk ka Perëndi që ta ndalë. Qielli i pafund ka lindur për të …