Dhuna ndaj studentëve. Artan Fuga paralajmëron: Do futem në grevë bashkë me të rinjtë
Pedagogu Artan Fuga është i shqetësuar me dhunën që policia po ushtron ndaj studentëve të ngujuar në disa universitet në Tiranë. Sipas tij, mjediset universitare nuk janë arena operacionesh policiore, as aktesh dhune e presioni ndaj te rinjve.
Në një status në ‘Facebook’, Fuga paralajmëron se durimi ka kufi dhe se sjella e policisë po e detyron të futet në greve urie. “Policia të mos hyjë dhunshëm në mjediset universitare sepse do të na detyrojë të bëjmë grevë të përgjithshme pedagogësh, jo më studentësh për punë tarifash! Durimi ka një kufi! T’i lemë ato gjoja mbështetjet te paçavuret letër gjoja ftesë për shtetrrethim në korridore universiteti
Rektoratet e dekanatet nuk kanë punë t’u bëjnë thirrje studentëve të lenë protestën, ta bëjnë pas pune, dhe t’i kthehen mësimeve! Studentët e dinë vetë se deri ku dhe si protestojnë! Protestat e tyre frymëzohen nga kërkesa dhe shqetësime shumë të drejta! Studentët protestues të mos dhunojnë studentët e tjerë dhe pedagogët që mendojnë të bëjnë mësim! As madje të mos i pengojnë sepse tejkalojnë të drejtën e tyre sublime dhe dëmtojnë kauzën e tyre!”, shkruan Fuga.
Studentët janë ngujuar prej tre ditesh dhe kërkojnë anulimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Përndryshe, protesta do të përshkallëzohet, ku nuk përjashtohet edhe greva e urisë.