Di gjë Donaldi, apo Thaçi e bën me mendje të vet?

Nga Dritan Hila –

Sulmi që Hashim Thaçi bën ndaj Berishës praktikisht nuk është asgjë më shumë se një bombë trymuese. Berisha është targeti i duhur kur do të shpërndash vëmendjen dhe kjo vlen edhe për Kosovën, ku ndikimi i tij është jo i paktë.
Por teza e hedhur nga Hashim Thaçi për marrjen e Medvegjës dhe Bujonovcit, është një enigmë e cila është tepër shqetësuese për të ardhmen.
Ajo që na mbetet të hamendësojmë është nëse ky hap i Thaçit është marrë me iniciativën e tij apo të ndërkombëtarëve.
Le ta nisim nga fundi: Nëse në këtë hap Presidenti i Kosovës është shtyrë nga amerikanët, atëhere ai nuk ka forcë të veprojë ndryshe. Kosova është shtet i formësuar nga SHBA dhe do bëhet si thonë ata. Thaçi nuk ka forcë ta kundërshtojë. Gjithsesi duhet thënë që nëse në këtë hap janë ata iniciatorë, kjo është një politikë e re e Uashingtonit. Ose, mund të kemi një vetëbesim të Trump në zgjidhjen e problematikës së trashëguar diplomatike, i cili mendon se rastet e kombeve që kanë një histori mijëravjeçare përplasjesh, mund të zgjidhen si në biznes, me një të rënë të lapsit. Në këtë rast, nëse mendon se me shkëmbim territoresh mbyll konfliktin Kosovë-Serbi dhe kënaq edhe Rusinë, në fakt po hap një kuti Pandore që në mos sot, nesër do ti ndihet krisma. Po filloi rishtas shkëmbimi i popullsive dhe teritoreve në Ballkan, është vetëm preludi i luftërave dhe tensioneve të reja.
Nëse Hashim Thaçi e ka marrë këtë iniciativë me mendje të vet, atëhere ka bërë vetëvrasje politike. Kur thotë që do të marrë Medvegjën dhe Bujanovcin nga serbët në tavolinë, kjo nënkupton dorëzimin e Mitrovicës. Dhe ky është një shkëmbim që Kosova humbet jo vetëm territore por edhe pasuri minerale dhe rezervën strategjike hidrike.
Por nëse ky veprim ka edhe përkrahjen e BE e cila është e lodhur nga konflikti i stërgjatur ballkanik, çka do të thotë edhe një lodhje amerikane, atëhere jemi në një ditë të keqe, sepse kjo do të thotë që në shahun rajonal, në pikëpamjen e vendosjes së figurave, serbët janë më mirë se ne dhe do të marrin më shumë.
A kanë lëshuar serbët edhe Mitrovicën edhe Medvegjën për hir të anëtarësimit në BE? Këtë nuk ka mëndje e shëndoshë që ta besojë. Gjithsesi shumë shpejt do ta mësojmë.
Vetëm se, nëse në fund të gjithë kësaj loje pasqyrash rezulton që Kosova lëshon Mitrovicën për t’u bashkuar ajo çka mbetet nga Kosova me Shqipërinë, ky ka qenë si opsion që në vitin 1995, dhe kosovarët nuk kishin pse kalonin në këtë kalvar çerekshekullor gjaku me rezultatin që prishën gjyma dhe bënë kanaçe.

Dritare.net

SHKARKO APP