Dialogu do të shënonte fillimin e zgjidhjes së krizës
Nga: Ylli Manjani
Presidenti i Republikës është institucioni publik legjitim që të thërrasë një tryezë të hapur të dialogut politik ndërpartiak në vend. Vetëm dialogu do të shënonte fillimin e zgjidhjes së krizës në vend. Çdo gjë tjetër vetëm e thellon krizën dhe kaosin.
Ky sugjerim vlen vetëm nëse kuptohet si detyrim institucionesh publike si Presidenti dhe partitë dhe jo detyrimisht si emra të përveçëm. Ne nuk na duhet të pajtojmë personat njëri me tjetrin (pajtohen kollaj jo për gjë), por të vendoset dialogu ndërmjet institucioneve publike që janë pronë e popullit shqiptar. Personat këto janë, pavarsisht detyrave që mbajnë. Ata nuk e përjashtojnë dot njëri-tjetrin sepse po nuk janë në këto detyra që janë sot do jenë në detyra të tjera, por po aty janë.
Prandaj dialogu është i rëndësishëm të kuptohet si institucion dhe jo si kredo personale e askujt. Presidenti si kryetar shteti ka detyrimin të marrë nismën dhe ta thërrasë tryezën ndërpartiake.
Këtë detyrë ja kanë borxh popullit shqiptar si Presidenti, Kryeministri e partitë politike në vend. Secili duhet të shpalosë pikpamjet e veta për daljen nga kriza në tryezë dhe jo në zëdhënie populiste. Edhe nëse nuk arrihet zgjidhje, dialogu bën veç mirë. Ai duhet të vazhdojë në shqip e prej Shqiptarësh që presupozohet që e duan Shqipërinë njësoj. E duan shqipërinë shumë më shumë sesa çdo i huaj që jeton këtu.
Kush nuk e do Shqipërinë nuk dialogon. Por tryeza duhet thirrur. Asnjë ambasadë apo negociator nuk e zëvendëson dot tryezën zyrtare të dialogut!