“Die Presse”: Gjermania ka plane të tjera me Shqipërinë. Në Ballkan i frikësohen hegjemonisë serbe

Të shtunën e kaluar parlamenti i ri shqiptar u mblodh për të emëruar ministrat e ri. Për herë të parë Edi Rama mundi të krijojë vetë qeverinë, pasi partia e tij socialiste fitoi 74 nga 140 vendet në parlament. Për kryeparlamentarin socialist votuan 80 deputetë – mes tyre edhe dy “dezertorë” demokratë, shkruan austriakia “Die Presse”, në një artikull për Shqipërinë dhe rrugën e integrimit europian.

Edi Rama mund të argumentojë përpara Komisionit Europian se statusi kandidat i Shqipërisë është stabël dhe gati për fillimin e bisedimeve. Edhe pse zgjerimi i BE është ngrirë, me kandidatët e tjerë të Ballkanit Perëndimor po bisedohet akoma. Vitin e kaluar Shqipëria mbeti në zonën e pritjes për të dëshmuar “pjekurinë zgjedhore”. Sipas konceptit shqiptar ata shkuan jashtëzakonisht qetë dhe po ashtu zgjedhja e presidentit të ri Ilir Meta, shkoi pa probleme themelore.

Por Komisioni Europian ka një listë të gjatë të kushteve që lidhen me Gjykata të pavarura dhe luftën kundër krimit të organizuar, që kryesisht lidhet me trafikimin e drogës. Komisioneri europian, Johannes Hahn, gjatë vizitës në Durrës vlerësoi proçesin zgjedhor në Shqipëri si “të qartë dhe transparent”. “Në përgjithësi,” tha ai, “shoh përparime.” Ai uroi që qeveria e re të bëjë hapa para në rrugën europiane.

Por shtete si Gjermania kanë llogari të tjera me vendin e shqiptarëve. Gjatë vitit të kaluar atje kanë kërkuar azil plot 54.000 shqiptarë – një keqpërdorim i heqjes së vizave që nga 2010.

Përkundër paralajmërimit të qeverisë shqiptare, fluksi i azilkërkuesve nuk është ndalur dhe tani vijon me intensitet të lartë edhe në Francë. Pak është raportuar për gjeneratat e dyta dhe të treta të shqiptarëve në Greqi dhe Itali. Ata kanë të zhvilluar kulturën e përshtatjes dhe integrimit.

Projekti i dashur i BE për Ballkanin, është krijimi i një zone të përbashkët ekonomike të gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor. Zyrtarisht Shqipëria qëndron pas projektit me 115 programe integruese – që do ndihmonte në përmirësimin e infrastrukturës dhe tregtisë së lirë në rajon. Por jo pak – gjithashtu edhe në kampin qeveritar – frikësohen për një plan pritjeje në integrimin e BE. Disa kanë shqetësime tjera. Ata frikësohen se një “union i vogël” i vendeve të Ballkanit Perëndimor do dominohej nga fuqia ekonomike e Serbisë, dhe paralajmërojnë një hegjemoni serbe në këto hapësira.

SHKARKO APP