Dikush na rri mbi kokë, pa lejen tonë!
Pastaj shteti kërcënon sigurinë e të gjithëve. Ka një kërcënim të paparë, po tremben fëmijët, duke dëshmuar heroizmin e shtetit:”E kapëm të kërkuarin, nuk e kapëm!”… “E gjetëm avonin e drogës, nuk e gjetëm!”. “E zbuluam parcelën a nuk e zbuluam?!”…
Nga Frrok Çupi
Më mbeti në mendje kronika e një “krimi heroik”; më duket mbrëmë ishte. Një mesoburrë, i afërm i “kriminelit”, iu drejtua kamerave, njësoj si t’i drejtohej Zotit: -Na lini të jetojmë, na lini ore! Përditë në ora katër pa zbardhur: Ding! Ding! Ding!- dera. Na rrethojnë shtëpinë; përditë në tre e në pesë e në gjashtë! Nuk ua kemi borxh… Ku ta di kush janë!- tha.
Në fakt kamerat, si edhe shteti, ishin në gjueti të “kriminelit”; por më duket se te rënkimi i atij kryefamiljari peshonte më shumë çdo gjë. Se ja, një i afërm i tij paska “kryer krim”,… po pastaj?! Shteti vjen përnatë dhe kërkon Klement Balilin, që paska trafikuar drogë! Por iu futi frikën në palcë të tjerëve. Ku e ka këtë të drejtë shteti? Në radhë të parë shteti nuk e ka këtë të drejtë; edhe sikur qytetari tjetër, që nuk është Klementi, të jetë vëllai i tij.
Pse jo, në radhë të parë shteti, nuk e ka këtë të drejtë?! Po t’i referohemi filozofit Thomas Hobbes, që e ka krijuar me duart e tij (bashkë me Lock) teorinë e këtij shteti që është sot; ai thotë se shteti “është zoti”, por zot “i vdekshëm”- sigurisht. Zoti shtet kujdeset për njeriun, për njeriun mbi të gjitha, për jetën, për shëndetin, për sigurinë….
Po vallë shteti, ose vetëm shteti?, iu rri mbi kokë njerëzve dhe iu mërzit jetën?! Ky është problemi.
Shteti ka ardhur në një pikë kaq të ligsht, sa ç’është qeni i sëmurë që e mëkojnë të gjithë dhe iu vërtitet nëpër këmbë. Por shteti i ligsht është njëmijë herë më i keq për individin se sa një shtet i fortë.
E keqja që po na vërtitet mbi kokë është se në “shtetin e ligsht” vijnë rrotull individë që e kanë futur “shtetin tonë” në xhep, dhe sillen ata si të duan. Eqë thashë “shtetin tonë”, atëherë cili është shteti “ynë” dhe cili është shteti “i tyre”. I yni është ky që kemi zgjedhur… E kemi zgjedhur pa mendje, e kemi zgjedhur në jerm,… sidoqoftë është ky që kemi zgjedhur vetë. Shtetit që kemi pranuar, si të gjithë qytetarët e botës, i japim lejen që herë pas here edhe të na qëndrojë mbi kokë. Shteti i mirë qëndron mbi kokë si doktori- në parim. Por ky “yni” lejen arbitrare e merr vetë, dhe kjo ndodh sidomos kur shteti është i ligsht. Sidoqoftë, edhe ky lloj arbitrariteti është i identifikuar prej nesh. Nesër tërheqim kontratën që kemi bërë me këtë shtet dhe ndërtojmë kontratë tjetër.
Po shteti i “atyre”? me këtë nuk ka zgjidhje. Ka një mendim shumë të hollë të filozofëve aktualë të shtetit që thotë se kur shteti dobësohet, atëherë individë të caktuar bëhen më të fuqishëm. Jetojmë në kohë të teknologjisë së lartë, në kohë makinacionesh dhe në xhungël ligjesh, në kohë manipulimesh, etj. Këta individë që pasurohen, armatosen ose tërbohen si një “shtet më vete”, këta i qëndrojnë mbi kokë individit, por pa lejen e tij.
Ja kështu po ndodh, a e shikoni?! Sa më shumë drogë dhe njerëz të trafikojë, më i fuqishëm bëhet si “shtet”. Sa më shumë njerëz të vrasë, më autoritar bëhet dhe e detyron shtetin “tonë” që ta nxjerrrrë nga burgu.
Gjithë këto ditë po gjëmojnë mediat dhe diplomacia e aleatëve pse janë liruar nga burgu kriminelë vrasës serialë? Një njeri që ka vrarë gjashtë njerëz, që ka krijuar organizatë terroriste, që ka trafikuar njerëz dhe lëndë narkotike, u lirua nga burgu. Shteti i ligsht para kriminelit, i bëri atij një kontratë pune; edhe si garanci për ta lënë të lirë. Nga analizat po thuhet se krimineli “i duhet shtetit” që të rrahë votuesit ditën e zgjedhjeve dhe shteti të fitojë prapë… E shikoni? Ky do të na qëndrojë mbi kokë, do të na zgjojë në katër, në tre, në pesë: Ding!, ding!, ding! në derë… Pastaj do të na kërcënojë me vdekje. Pastaj do të marrë femrat. Pastaj do të marrë bebet… Shteti i ligsht do të na qahet prapë: “Nuk po e kap dot atë!”.
Ja kështu! Dikush që nuk ka lejen tonë na qëndron mbi kokë. Nuk është vetëm njëri; por secili është “njëri”; secili prej këtyre është një “shtet” i pa votuar, dmth., pa lejen tonë, dhe na kontrollon frymën. “Janë tremijë vetë si këta, në kërkim”- tha një nga zyrtarët e lartë të shtetit që votuam… Po tridhjetë mijë të tjerë që nuk janë shpallur akoma në kërkim?! Po treqind mijë të tjerë që do të bëhen kriminelë duke marrë armë që të mbrohen nga këta që “nuk kanë lejen tonë… Po tre milionë individë sa ç’është popullsia e vendit në Shqipëri që do të kthehen në “banorë” të shtetit të paligjshëm e të pa votuar?! Sepse kur mungon shteti, atëherë kjo katastrofë pritet.
… Kur shteti është i ligsht si ky, atëherë është shumë i rrezikshëm. Sepse vetë shteti kthehet në një viktimë. Individi viktimë është gjëja më e natyrshme e jetës, por shteti viktimë është më e panatyrshmja e botës. John Lock shpalli platformën botërore të “shtetit natyral” që mbron individin që nga shëndeti deri te pasuria dhe është më i fuqishëm se secili. Kur nuk është kështu, do të thotë se të ka ikur nga e drejta dhe nga kontrata që ke lidhur me të. Njësoj si të të ikë çatia e shtëpisë një natë me suferinë.
Shteti i ligsht, natyrshëm, bëhet me krimin; njësoj siç bëhet një i varfër me drogën dhe me shitjen e votës. Natyrshëm bëghet, sepse do të mbajë frymën…
Nuk e shikoni sa thjesht ka hyrë shteti në krim?
Atij në Sarandë i shkon përnatë në tre e në katër dhe i rrethon shtëpinë. Pa ligj, shtet i frikësuar. I zoti i shtëpisë nuk e di kush është, mund të jenë si vrasësi Luli që u lirua në Durrës; ata duan paratë e drogës që ka trafikuar Klementi. Ku ta dish? Shteti nuk është i zoti ta dijë, as të të mbrojë, as të jetë shtet, sipas ligjit.
Pastaj shteti kërcënon sigurinë e të gjithëve. Ka një kërcënim të paparë, po tremben fëmijët, duke dëshmuar heroizmin e shtetit:”E kapëm të kërkuarin, nuk e kapëm!”… “E gjetëm avonin e drogës, nuk e gjetëm!”. “E zbuluam parcelën a nuk e zbuluam?!” Ata që e dinin ku është droga, u vranë nga “shteti i tyre”; ka plot dëshmi si u vranë ata që dinin. A nuk po thua edhe ti: “O zot, të mos di gjë ku është droga e ku është krimineli, të ul kokën e mos shikoj gjë…”. Individit dikush i rri mbi kokë dhe ky nuk duhet të ngrejë sytë. Mund të jenë ata. Mund të jetë edhe shteti…
Por njësoj: Shteti i ligsht është si qeni i ligsht që vërtitet nëpër këmbë e sjell veç sëmundje.