Diplomacia e ndërmjetësimit, kapitali i Shqipërisë
Nga Dr. Arben Ramkaj
Ftesa që Shqipëria të marrë një karrige në Bordin e Paqes për Gazën ishte e papritur. Për një vend të vogël si i yni, kjo nuk është diçka që ndodh shpesh. Pikërisht për këtë arsye, lajmi ishte jo vetëm surprizues, por edhe i rëndësishëm. Ai tregon se Shqipëria nuk po shihet më vetëm si një vend që ndjek zhvillimet ndërkombëtare, por si një vend që mund të marrë pjesë në to.
Pikërisht këtu fillon edhe kuptimi më i gjerë i kësaj ftese. Gaza nuk mund të shihet më si një rast i izoluar. Ajo sot nuk mund të ndahet nga Siria dhe çështja e integritetit të saj territorial, as nga zhvillimet në jug të Jemenit apo nga ngjarjet në Somaliland. Të gjitha këto janë pjesë e të njëjtit realitet të brishtë gjeopolitik, ku konfliktet lidhen gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën dhe ku zgjidhjet kërkojnë qasje të ndërthurura.
Në këtë kuadër, Bordi i Paqes për Gazën nuk është një zgjidhje magjike, por një përpjekje për të hapur rrugë dialogu dhe për të paraprirë zhvillime të tjera të ndërlikuara që priten në rajon. Përfshirja e Shqipërisë në këtë proces merr vlerë vetëm nëse lexohet si pjesë e kësaj tabloje më të gjerë dhe jo si një episod i shkëputur.
Në këtë kontekst, roli i Kryeministrit nuk mund të anashkalohet. Udhëtimet e shpeshta në Lindjen e Mesme dhe kontaktet e drejtpërdrejta me vende që shpesh janë në anë të kundërta të konflikteve kanë nxjerrë Shqipërinë nga një heshtje diplomatike e gjatë. Fakti që ai pritet dhe respektohet në kryeqytete të ndryshme të rajonit nuk është i zakonshëm për një vend me peshën tonë dhe tregon se Shqipëria po dëgjohet më shumë se më parë.
Megjithatë, nga jashtë kjo diplomaci ndonjëherë perceptohet si shumë pranë Izraelit. Ky është një lexim i pjesshëm. Në realitet, Shqipëria sot ka komunikim dhe marrëdhënie edhe me vende të tjera kyçe të rajonit. Ky respekt nuk vjen nga anshmëria, por nga një qasje që nuk mbyll dyer dhe nuk përdor gjuhë përjashtuese.
Për këtë arsye, marrëdhëniet strategjike në Lindjen e Mesme duhet të shihen më gjerë. Izraeli është një aktor i rëndësishëm politik dhe teknologjik, por Arabia Saudite, si drejtuese e boshtit të Gjirit arab, ka një rol vendimtar në stabilitetin ekonomik, energjetik dhe financiar të rajonit. Marrëdhëniet me Riadin duhet të jenë strategjike dhe afatgjata.
Në të njëjtën kohë, edhe Turqia, me rolin e saj mes Lindjes së Mesme dhe Europës, mbetet pjesë e ekuilibrit që Shqipëria duhet ta menaxhojë me kujdes.
Por diplomacia nuk mbyllet te takimet e nivelit të lartë. Realiteti është më i thjeshtë dhe më i vështirë: shumë ambasada shqiptare në këto vende funksionojnë me një ose dy persona, me buxhete të vogla dhe shpesh me ndihmën e vendeve pritëse. Kjo nuk mjafton. Nëse duam të kemi rol real, duhet të investojmë më shumë në njerëzit tanë në terren. Nga ambasadorët pritet angazhim, por nga shteti pritet mbështetje konkrete.
Në fund, ngjarjet në Lindjen e Mesme lidhen drejtpërdrejt edhe me ne. Ato ndikojnë në energjinë, migracionin dhe ekonominë europiane. Ballkani Perëndimor është një rajon në zhvillim dhe Shqipëria ndodhet në një pozicion gjeografik që e bën të rëndësishme në këtë mes. Prandaj, për Shqipërinë diplomacia e ndërmjetësimit dhe diplomacia e butë nuk janë luks. Janë nevojë. Janë mënyra për të pasur zë pa pasur forcë, për të qenë e pranishme pa qenë agresive dhe për të ndërtuar besim në një botë ku besimi mungon. Pyetja që mbetet është nëse Shqipëria do ta shfrytëzojë këtë mundësi me durim dhe vizion, apo do ta lërë të kalojë si shumë të tjera më parë.
KOHA JONË SONDAZH

