Diplomacia e Ping Pongut

Fjalori diplomatik

Nga Dr. Jorgji Kote

Lindi plot 44 vjet më parë, pas një turi ndeshjesh miqësore ping pongu ndërmjet ekipeve kombëtare të SHBA-së dhe Kinës. “ U pagëzua” me këtë emër jo rastësisht, por për vetë rrethanat historike në të cilat u zhvilluan këto ndeshje; mbi të gjitha, se ping pongu, si sporti më karakteristik i Kinës pati ndikimin e tij të madh publik dhe kulturor në hapjen e epokës së re në marrëdhëniet SHBA – Kinë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë asaj periudhe vijonin intensivisht demarshet diplomatike zyrtare për afrimin dhe vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Kinës. Kjo nuk ishte e lehtë, sepse për 22 vite rresht këto dy vende dhe popuj ishin armiq të betuar dhe të papajtueshëm me njeri tjetrin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pikërisht në ato momente, ekipi kombëtar amerikan i pingpongut ndodhej në Nagoya të Japonisë, në Kampionatin e 31 Botëror të Ping Pongut. Me atë rast, lidershipit më të lartë kinez të asaj kohe i dërgua kërkesa për vizë për ekipin amerikan për të fluturuar nga Tokio në Pekin, duke propozuar zhvillimin e 3 – 4 ndeshjeve miqësore me ekipin kombëtar kinez, si dy ndër ekipet më të mira të botës. Fillimisht ky propozim nuk u pranua, por më vonë, Mao Ce Duni ndërroi mëndje. Për këtë ai “ ngarkoi” pingponistin e famshëm kinez; kampionin e botës, Zhuang Zedong; duke folur për këtë të fundit, Mao Ce Duni deklaronte se veç “ ping pongut, Zhuangu luan mjaft mirë edhe në fushën e politikës së jashtme” Nga ekipi amerikan me këtë detyrë historike u ngarkua kapiteni i ekipit, kampioni i botës Glen Cowan.

Më 10 prill 1971, ekipi amerikan, me 9 lojtarë, i shoqëruar edhe nga 4 zyrtarë dhe dy bashkëshorte, zhvilloi ndeshjen e parë të pingpongut në historinë e këtyre dy vendeve, sipas parullës “miqësia e para, gara e dyta” Këto ndeshje ndikuan tejet mase jo vetëm në çtensionimin e situatës dhe marrëdhënieve, por dhe në krijimin e një imazhi të pëlqyeshëm për të dy vendet. Kjo i dedikohet edhe mbresave pozitive publike që dhanë lojtarët e të dy vendeve. Për më tepër kur dihet se fjala dhe mesazhet e sportistëve të shquar kanë peshë shumë të madhe. Bashkë me atë mision madhor historik, lojtarët- diplomatë kinezë dhe amerikanë shkruan edhe historinë e diplomacisë së ping pongut, si pjesë përbërëse e asaj të kulturës. Ky tur emblematik i dha një shtysë të fuqishme demarsheve të mëtejshme zyrtare, që disa muaj më vonë çuan në vizitën epokale të ish-Presidentit Nikson dhe takimin e tij me Mao ce Dunin që bëri xhiron e botës.

Diplomacia e ping pongut i dha botës mesazhin bindës se kishte dhe ka në çdo situatë mënyra shumë më tërheqëse, joshëse dhe të buta për afrimin e popujve dhe për kapërcimin e pengesave të Luftës së Ftohtë. 35 vite më vonë, në 9 Qershor 2006, kjo ndeshje u përsërit me të njëjtët lojtarë në Librarinë “Nixon” në SHBA. Vetë ping pingu u “shpërblye” për këtë rol historik, duke u bërë pjesë e garave në Olimpiadat botërore.

Në numrin tjetër të  rubrikës “Fjalori Diplomatik” do të lexoni Diplomacia “shuttle” ose e “ec e jakeve”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?