Diplomacia “Shuttle”

 

Nga Dr. JORGJI KOTE

Fjala angleze “shuttle” tregon një shërbim të posaçëm me autobuz në raste veprimtarish të rëndësishme ndërkombëtare, si p.sh, nga një hotel në godinën e një konference, stadiumi apo vendi tjetër për pjesëmarrësit apo delegatët e tyre në intervale të rregullta kohore gjatë periudhës që vijon aktiviteti në fjalë (shuttle bus service)

Në diplomaci, këtë fjalë e huazoi media ndërkombëtare si empitet i goditur për “ec e jaket” e shpeshta të ish-sekretarit amerikan të shtetit, Henry Kisinger gjatë viteve 1973–1974, pas Luftës Arabo-Izraelite, në kërkim të një marrëveshjeje paqe. Kësisoj, Kisingeri është dhe themeluesi i diplomacisë “shuttle”

Gjatë këtyre 4 dekadave, diplomacia “shuttle” është bërë pjesë e pashmangshme e “diplomacisë së krizës” në rajone të ndryshme të botës me rastin e konflikteve etnike të armatosura, luftërave civile, etj. Në shumë raste, palët e përfshira në këto konflikte nuk pranojnë të bisedojnë me njëra-tjetrën, madje nuk njohin autoritetin e qeverisë; ato nuk pranojnë as ndërhyrjet nga shtete të tjera. Për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës futen në lojë organizatat ndërkombëtare, sidomos OKB, OSBE, BE dhe Këshilli i Evropës. Kryesitë e tyre caktojnë emisarë të një profili të lartë si ndërmjetësues, negociatorë ose të dërguar të posaçëm. Këta të fundit shkojnë e vijnë  shpesh në vatrat e krizave në krye të ekipeve të tyre, në përpjekje dhe demarshe diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje politike paqësore. Nisur nga udhëtimet e  shumta në këto vende, veprimtaria e tyre  njihet gjerësisht si “shuttle diplomacy ose “diplomacia e ec e jakeve” siç mund të përkthehet në shqip.

Pas Kisignerit, diplomati më i shquar në këtë fushë specifike konsiderohet i ndjeri, ambasadori amerikan Richard Hollbrook. Ai shërbeu si ndërmjetësues dhe negociator i rrallë në disa prej krizave më të vështira, sidomos në Bosnje –Hercegovinë, ku ndërmjetësoi dhe Marrëveshjen e Daytonit, etj. Po ashtu, ish-Presidenti finlandez, Marti Ahtisaari i ra botës kryq e tërthor si i dërguar i OKB-së për zgjidhjen e problemit të Pavarësisë së Kosovës. Një protagonist tjetër i shquar  në këtë drejtim është ish-Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Javier Solana

Duke ardhur  në vendin tonë, një ndërmjetësues i suksesshëm mbetet ish- Kancelari austriak, Franz  Vranitkzy; gjatë periudhës Mars – Tetor 1997  ai shërbeu si i dërguari special i OSBE-së për zgjidhjen e krizës së paparë pas shembjes së skemave piramidale dhe të shtetit.

Protagonistët e “diplomacisë së ec e jakeve” zgjidhen  ndër personalitetet më të shquara e të larta politike dhe publike; emërimi i tyre bëhet me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare të organizatës që e dërgon. Po, ashtu ata duhet të jenë të pranueshëm për të gjitha palët në vendin e krizës, si parakusht për suksesin e misionit të tyre. Në përzgjedhjen e tyre, krahas përvojës së gjatë ndërkombëtare,  mbahen parasysh edhe  disa cilësi të spikatura, si fryma e kompromisit, lëshimit, pozitivizmi, njohja e mirë e historisë dhe kulturës së vendit ku shkon, durimi, qetësia, vizioni, etj. Vetëkuptohet që suksesi i këtyre ndërmjetësuesve rrit edhe imazhin dhe prestigjin e vendeve nga ata vijnë dhe të organizatave që i kanë dërguar.

 

SHKARKO APP