Diplomati i karrierës

Rubrika Fjalori diplomatik

Nga Dr. Jorgji Kote
 
Diplomatët profesionistë ose të “karrierës” janë ata që e fillojnë këtë zanat/profesion specifik menjëherë pas përfundimit të shkollës apo dhe në periudha të mëvonshme, veçse pa ndërprerje, duke e mbyllur karrierën në shërbimin diplomatik, brenda dhe jashtë vendit. Fillojnë nga grada më e ulët – atashe, për të kaluar në: Sekretar i Tretë, i Dytë, i Parë, Këshilltar e pastaj Ministër Këshilltar, Ministër Fuqiplotë dhe në gradën më të lartë – Ambasador. Promovimi në këtë hierarki bëhet duke punuar nga 3 – 4 vjet në secilën gradë, me kualifikimet e nevojshme, vlerësimin pozitiv të punës, etj. Ndryshe nga diplomatët e jashtëm ose politikë që janë të përkohshëm e po vijnë natyrshëm duke u pakësuar, diplomatët e karrierës janë të përhershëm; kjo u jep atyre përvojën, jetëgjatësinë dhe kontinuitetin në karrierë, element kyç e i pazëvendësueshëm për besueshmërinë dhe aksesin e duhur në kancelaritë e huaja e për rrjedhojë sukses në çdo demarsh diplomatik. Ndaj, normalisht diplomatët e karrierës janë ose duhet të jenë të pavarur nga rotacionet politike, edhe pse qeveri të caktuara kanë preferencat e tyre ndaj promovimit të diplomatëve të ndryshëm, sidomos ambasadorëve. Një ndër cilësitë e tjera dalluese të diplomatit ka qenë dhe mbetet takti, etika dhe mirësjellja karakteristike me këdo. Diplomati i vërtetë i shpreh fjalët, ndjenjat, kërkesat dhe opinionet pa prekur dhe ofenduar të tjerët. Tipar tjetër i spikatur është se me përjashtime shumë të rralla e në kontekste rigorozisht të përcaktuara, diplomati nuk thotë asnjëherë “jo”, e ca më pak të prerë për një propozim apo ide. Madje, këshillohet dhe është bërë praktikë e zakonshme që edhe kundërshtimi ndaj ideve apo propozimeve të ndryshme, të bëhet jo duke mohuar, por duke afirmuar pozicionet e tua.
Megjithë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur gjatë dekadave të fundit edhe në diplomaci, kjo e fundit e ka ruajtur të paprekur konfidencialitetin, si një ndër vetitë e saj jetike. Këtu nuk është fjala për fshehtësinë ndaj publikut, siç ndodhte më parë, por për konfidencalitetin si metodë pune, që i krijon kushte, mundësi, kohë dhe hapësirë veprimi kanaleve diplomatike për trajtimin dhe zgjidhjen sa më optimale të problemeve me interes publik për të gjitha palët. 
Imazhi i vërtetë i diplomatit të sotëm kërkon që brenda rregullave dhe etikës, ai të jetë i hapur, pa komplekse, me njohuri dhe kulturë të lartë, ndërmjetësues, pajtues dhe i prirur drejt zgjidhjes së problemeve. Kjo kërkon dhe njohjen sa më të mirë të kulturës dhe historisë së vendit ku ata punojnë, normat, zakonet dhe traditat, muzikën, artin, letërsinë, sportin e deri te gjuha, etj. 
Ndryshe nga disa dekada më parë, kur vepronin të fshehur “skutave” e jashtë vëmendjes publike, sot diplomatët kanë shtuar ndjeshëm kontaktet edhe me “diplomatë” të tjerë publikë, me OJQ, think-tanke, gazetarë, artistë, personalitete të shquara, etj; tashmë ata i sheh jo vetëm në pritje zyrtare diplomatike, por edhe në koncerte, veprimtari artistike, ekonomike, nënshkrim kontratash, etj; gjithashtu, ata flasin e shkruajnë edhe për vlerat e kulturës sonë në gazeta, radio e televizione të huaja. Për rrjedhojë, veprimtaria e një diplomati nuk kufizohet më si më parë në trinomin e ashtuquajtur “xhirokoll, alkohol dhe protokoll”; ajo zhvillohet paralelisht në të 6 “korsitë” e diplomacisë – zyrtare, publike, qytetare, ekonomike, parlamentare dhe të kulturës. 

SHKARKO APP