Disa mesime nga fushata elektorlale amerikane
“Duke parë “kuletat” e dy kandidatë, bindesh gjithnjë e më shumë se sa të drejtë ka patur ish presidenti më i ri në historinë amerikane, John F. Kenedi kur thoshte se “nuk mund të bësh dot politikë të madhe, pa pare’ të madhe”…
Alfred Peza
Gara presidenciale e zgjedhjeve në SHBA mes Hillari Klinton dhe Donald Tramp, më e mediatizuara dhe më e shtrenjta më siguri në historinë e proceseve elektorale, është padyshim edhe më e ndjekura nga qytetarët e globit. Në garën mes kandidatit që mund të bëhet presidenti amerikan më i vjetër në histori dhe asaj që mund të bëhet e para grua që drejton Shtëpinë e Bardhë, ka shumë rekorde. Sikundër edhe shumë risi, kundërshti dhe dalje nga skemat tradicionale të politikës. E sigurtë është që kushdo që të jetë fituesi prej tyre, do të marri stafetën nga i pari president me ngjyrë në historinë amerikane. Duke dëshmuar se megjithë defektet, sistemi demokratik amerikan vazhdon të mbetet funksional.
Elitat perëndimore, por edhe ato të demokracive të tjera kudo në botë, me siguri kanë patur rastin që të shohin tek kjo fushatë, si në një pasqyrë gjigande, jo vetëm rrudhat e sistemit demokratik në SHBA, por edhe në vendet e tyre. Për të nxjerrë prej andej, disa mësime.
Së pari, polariteti i skajshëm dhe dualiteti partiak jo në të gjitha rastet dhe kohërat, mund të prodhojë kandidatë që të krijojnë besimin për të qenë garantë të sistemit të përfaqësimit më të drejtë të realiteteve politiko- elektorale të popujve të tyre.
Së dyti, liderët dhe sfidantët apolitikë, që katapultohen nga jashtë partive, nuk janë më një përjashtim nga rregulli.
Së treti, sistemet aktuale nuk garantojnë më daljen në majë të më të mirëve, sipas parametrave që kemi mësuar deri dje, si steriotipe në teoritë politike.
Së katërti, dinastitë në sistemet e demokracive funksionale, nuk janë thjeshtë një rudiment i foshnjërisë së epokës moderne politike.
Së pesti, globalizimi tregoi se për garën e zgjedhjes së njeriut që do të ushtrojë në katër vitet e ardhshme punën më të rëndësishme në planet, nuk janë të interesuar vetëm qytetarët amerikanë me të drejtë vote. Por të gjitha llojet e elitave të botës, shërbimet sekrete dhe kapitali. Tashmë, edhe qytetarët më të thjeshtë në çdo cep të hartës.
Së gjashti, epoka e internetit e ka revolucionarizuar njëherë e përgjithmonë makinën e fushatës elektorale, duke e sofistikuar deri në atë pikë sa e gjitha çfarë ndodh në sytë e publikut, duket si një shfaqje e programuar kohë më parë në servera, softe, programe dhe rrjete.
Së shtati, duke parë “kuletat” e dy kandidatë, bindesh gjithnjë e më shumë se sa të drejtë ka patur ish presidenti më i ri në historinë amerikane, John F. Kenedi kur thoshte se “nuk mund të bësh dot politikë të madhe, pa pare’ të madhe”.
Të gjitha këto dhe shumë mësime të tjera, mund të lexohen jo vetëm thjeshtë si në orën e një lënde të mërzitshme si ç’është politika. Por, si skema të reja për të kuptuar evolucionin e politikës, që mbetet ende sporti më popullor në planet. Nga ku në fund të ndeshjes, nuk varet thjeshtë dhe vetëm rezultati i saj, sado e rëndësishme qoftë ajo. Por fati i standardeve të jetesës së qytetarëve amerikanë dhe në një masë sado të vogël, edhe i vetë njerëzimit, deri në vitin 2020. Në një epokë sfidash të paparashikueshme për askënd, ku çdo opsion është në lojë. E cila përballohet me çdo gjë tjetër, pervercse jo me aventurizëm dhe improvizim.