Dita Amerikane e Pamvarësisë dhe Shqipëria
Nga Arian Starova/Më 4 korrik të vitit 1776, u nënshkrua dhe u miratua në Kongresin Amerikan Deklarata e Pamvarësisë së Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Përmbajtja e saj ishte e thjeshtë, por rëndësia e saj ishte botërisht madhore. Të shkruarit e saj i ishte nënshtruar një logjike të rreptë politike të mbështetur fort në disa parime filozofikë dhe fetarë të mendimit amerikan që vështroheshin gjerësisht si të pakundërshtueshëm.
Deklarata i përcaktoi Shtetet e Bashkuar të Amerikës si një shtet i ri i pamvarur prej Britanisë së Madhe, por, çka ishte më e rëndësishmja, ajo e ligjëroi atë si një shtet të mbështetur në ide rënjësisht të reja të vetëqeverisjes të cilat të cilat, për kohën, kishin kuptim të thellë shndërrues për mënyrën e organizimit shtetëror të një shoqërie njerëzore. Ky dokument ka që në fillim një shprehje thelbësore madhore: “Ne i mendojmë si të vetëqarta këto të vërteta: Se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se ata janë të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme; se ndërmjet tyre janë jeta, liria dhe synimi për lumturi.” Duke pranuar si të natyrëshme pabarazitë njerëzore në fuqi fizike, karakter, pasuri, aftësi të veçanta, racë, fe, talent, pamje e jashtme, etj., deklarata shenjtëronte me ligj barazinë thelbësore të të gjithë njerëzve, atë sipas së cilës askush prej njerëzve nuk është lindur për të sunduar, ose për të qenë i sunduar. Të shprehura në mënyrë filozofike dhe fetare, këto të drejta njerëzore nuk lidheshin me ndonjë kohë apo hapësirë gjeografike të caktuar.
Prandaj Deklarata e Pamvarësisë së Sh.B.A. ka një rëndësi e cila i kapërcan kufijtë e saj gjeografike dhe kohorë të hartimit dhe të miratimit. Për rëndësinë e Deklaratës Amerikane të Pamvarësisë, Abraham Linkolni do të thoshte se ajo është shprehje e faktit sesi “për herë të parë një komb themeloi ligjërisht vetveten duke u mbështetur mbi atë çka ai kishte të bërbashkët me të gjithë popujt e tjerë të të gjithë hapësirës gjeografike dhe të të gjithë periudhave të historisë duke i dhënë në këtë mënyrë shpresë dhe frymëzim të gjithë botës”. Prandaj revolucioni amerikan i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë pjesës tjetër të botës frymëzimin dhe modelin e suksesshëm të një qeverisjeje demokratike.
Duke e ngritur Republikën e tyre mbi këta ideale të përjetshëm të demokracisë, Shtetet e Bashkuar të Amerikës u shndërruan në vendin e ëndërrave më të bukura të lirisë njerëzore duke vazhduar t’i frymëzojë njerëzit që prej vitit 1776 që të shkojnë atje prej të gjitha anëve të botës për të gëzuar lirinë dhe kërkuar lumturinë. Ende sot kjo rrymë e njerëzve vazhdon, por ndërkohë idealet demokratikë të Revolucionit Amerikan kanë pushtuar botën dhe popujt dhe udhëheqësit e tyre i kanë luftuar dhe poluftojnë që t’i ndërtojnë shoqëritë demokratike në vendet e veta.
Prandaj, kremtimi i përvjetorëve të Deklaratës së Pamvarësisë së Shteteve të Bashkuar të Amerikës është për ne shqiptarët dhe për të gjithë ata vende dhe njerëz që vlerësojnë lirinë edhe nderim për parimet demokratikë të përjetshëm mbi të cilët themelohen shoqëritë e vërteta demokratike. Për ne shqiptarët, ky është edhe nderimi i festës së një shteti mik dhe aleat që ka bërë dhe po bën aq shumë për Shqipërinë.
Është e natyrëshme që në përvjetorë të tillë të pyesim: Çfarë është bërë me ëndrrën e vjetër të demokracisë amerikane në Shqipëri? Ka kaluar në një çerek shekulli që prej fillimit të viteve 1990. A e kemi sendërtuar këtë ëndërr të madhe?
Si një vend me histori shumë të vështirë, ku liria ka qenë vlera e parë e ëndërruar aq gjatë dhe ku për të është luftuar aq fort, Shqipëria ndoshta ka pasur besim disi më të veçantë te idealet amerikane të lirisë dhe demokracisë. Ka qenë pikërisht ky besim i shqiptarëve ai që, për mua dhe shumë të tjerë, ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në përnbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri mbi njëzet e pesë vjet më parë. Le të kujtojmë sesi ndiqeshin plot interes dhe shpresë transmetimet radiofonikë të Zërit të Amerikës gjatë gjithë kohës së sundimit komunist. Le të kujtojmë për një çast sesi e pritën shqiptarët Sekretarin e Shtetit James Baker në Tiranë, në qershorin e vitit 1991. Shumë vite më vonë, vetë Baker do të shprehej shprehet kështu për pritjen madhështore të asaj dite: “ … pa menduar për shqetësimin për sigurinë time, unë hipa mbi një podium prej druri në sheshin kryesor të Tiranës, në Shqipëri, për t’i drejtuar disa fjalë një turme euforike prej 300 mijë vetësh. Dhjetra mijë njerëz të tjerë qëndronin në të dy anët e rrugës që sapo kisha përshkuar duke ardhur prej aeroportit. Si i pari zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuar që vizitoja atë vend të mbyllur menjëherë pas fundit të një sundimi komunist mëse 50 vjeçar, mesazhi im ishte i thjeshtë. “Liria vepron”, thashë. “më në fund ju jeni të lirë të keni mendimet tuaj … Më në fund, ju jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Sot, ndërsa mendoj rreth kësaj vizite”, vijon Baker, “dhe ndjej një admirim të madh për popullin e Shqipërisë, e kuptoj se mund të kisha shtuar edhe disa fjalë të tjera: Po, liria vepron, por ajo vepron në mënyrën më të mirë kur qytetarët ruajnë respekt të zjarrtë dhe përkushtim ndaj sundimit të ligjit i cili krijon kushte për një demokraci të vërtetë”.
Ëndrra e madhe e demokracisë amerikane sigurisht që vazhdon.
Ashtu si shumë qytetarë të vetëdijshëm të këtij vendi dhe shumë të ndjeshëm ndaj ecurisë së demokracisë në Shqipëri, unë dhe ne të gjithë jemi të prirur t’i krahasojmë pa u lodhur idealet thelbësorë të një shoqërie demokratike me arritjet konkrete të Shqipërisë gjatë këti çerekshekulli. Natyrisht, jeta jonë ka ndryshuar rrënjësisht. Shqipëria, anëtare e NATO-s, kandidate e Bashkimit Europian dhe shqiptarët lëvizin thuajse lirshëm nëpër botë.
Ëndrra e madhe e demokracisë amerikane sigurisht që vazhdon por, fatkeqësisht, për t’u përballur me sfida shumë të rëndësishme, aq të rëndësishme sa kanë arritur të vrasin besimin te e ardhmja për dhjetëra mijë shqiptarë që kanë braktisur dhe po braktison vendit.
Krahasuar me idealet e demokracisë të mishëruara në Deklaratën e Pamvarësisë së Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Shqipëria ka ende sfida madhore përpara saj për të cilat as që mund të mendohej në kohën e lëvizjes demokratike të viteve 1990 e cila ishte plot me idealizëm dhe përkushtim sakrifikues. Prej shumë sfidave të tilla, unë do të veçoja tri më kryesoret: zgjidhjen e drejtë të problemit të pronës private, reformën në drejtësi për të vendosur sundimin e ligjit të barabartë për të gjithë dhe aftësinë për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në Deklaratën e Pamvarësisë së Shteteve të Bashkuar të Amerikës thuhet se çdo njeri ka të drejtën për synuar për lumturinë e tij. Si mund të arrihet kjo lumturi kur ajo lidhet aq ngushtë me të drejtën e pronës!? Si mund të arrihet kjo lumturi kur ende nuk është njohur siç duhet e drejta e pronës!? Si mund të arrihet kjo lumturi kur veprohet me dy standarde, nga njera, anë kemi pronarët e vjetër që po stërmundohen për shumë vite nëpër gjyqe të pafund pa e marrë pronën e tyre dhe, nga ana tjetër, po bëjmë legalizime për prona private të rrëmbyera!? A nuk duhet që ligji të jetë i barabartë për të gjithë!? Si mund të arrihet kjo lumturi e njerëzve kur qeveritarë të korruptuar të vjetër e të rinj pasurohen permes vjedhjeve!?
Në Deklaratën e Pamvarësisë të Shteteve të Bashkuar të Amerikës thuhet se të gjithë njerëzit kanë të drejtë të jenë të lirë. Si mund të jenë të lirë këta njerëz kur liria e tyre shpërdorohet me të gjitha mënyrat në emër të interesave të fshehtë korruptivë të zyrtarëve të lartë të të gjithë llojeve dhe ngjyrave partiake!? Si mund të jenë të lirë këta njerëz kur idealet e tyre të lirisë nëpërkëmben nga politika në emër të numrave që dikton nevoja për të pasur shumicën qeverisëse!?
Në Deklaratën e Pamvarësisë së Shteteve të Bashkuar të Amerikës thuhet se qeverisjet duhet të mbështeten mbi pëlqimin e të qeverisurve. A mund të quhen pëlqim i të qeverisurve zgjedhjet që dhunojnë lirinë e të votuarit nëpërmjet trysnive financiare apo fallsifikimeve të numërimit të votës!? A nuk ishin të tilla zgjedhjet e kaluara të qershorit 2013!? A nuk është një sfidë për shoqërinë tonë që nuk po mundet të bëjë asnjëherë zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme!? A nuk janë qeveritë e mbështetura në shpërdorimin e votës dhe të lirisë së saj qeveri të paligjëshme!?
Në Deklaratën e Pamvarësisë së Shteteve të Bashkuar të Amerikës thuhet se qeverisjet e mbështura mbi pëlqimin e të qeverisurve janë të ngritura mbi barazinë e të gjithë qytetarëve përpara ligjit. Nëse do të ndodhte që një qeverisje t’i shkelte ato të drejta, atëherë kjo do të shërbente si thirrje për të drejtën e popullit, jo atë të ndonjë turme të zemëruar, që t’a ndryshonte, ose përmbyste atë qeverisje duke vendosur një qeveri të re e cila t’ia rikthente popullit sigurinë, lirinë dhe lumturinë.
Këto ditë shqiptarët po përballen me një sfidë të re. Kjo është sfida e miratimit të reformës në drejtësi. Kjo është sfida për ëndrrën amerikane të drejtësisë që ushqen shumica e shqiptarëve në zemrën e tyre. Nga njera anë është ëndrra e vjedhur e fillimviteve 1990 dhe, nga ana tjetër, është ëndrra anerikane e rigjetur. Shqiptarët duhet të përpiqen me të gjitha mënyrat për të ushtruar vullnetin e tyre permes përfaqësuesve të tyre të Kuvendit.
Në këtë përvjetor të 240 të Ditës së Pamvarësisë së kombit të madh demokratik amerikan, poe mbyll këtë shkrim duke kujtuar Presidentin Benjamin Franklin i cili thoshte: “Ata që dëshirojnë të braktisin lirinë me qëllim që të arrijnë sigurinë nuk do të kenë, ose nuk do të meritojnë asnjërën prej tyre”.