Dita ime më e keqe dhe… ca kolegë gazetarë

Nga Kozeta Kurti

Sot që po shkruaj, (dje) kam kaluar ditën më të keqe të jetës sime… për veten, familjen, të afërmit, miqtë, dashamirësit, njerëzit që mua më duan! Kur dikujt i përlyhej emri pa të drejtë dhe i bëheshin gjyqe publike përpara se drejtësia të thoshte fjalën e saj të fundit, i thoja vetes e të tjerëve: Ah, veç mos më ndodhtë mua, por Zot mos më vër në provë se nuk e di çfarë do bëj. Mua më ndodhi!

Më “arrestuan” në një qendër komerciale në Itali se kisha vjedhur produkte kozmetike me vlerë 400 euro dhe kolegët e mi të shtypit nxituan të bëjnë lajm me “vip-in” që s’e ka kërkuar kurrë famën nëpërmjet kryetitujve, as duke bërë çmendurira bisturish, as duke ekspozuar partnerët, as dallaveret dhe jetën sociale me shefat, as miqësitë me njerëzit e politikës apo të biznesit. Nuk po shkruaj këtu për të treguar se sa e ndershme jam, por për t’ju treguar se sa e rezervuar jam dhe ashtu si mua, edhe ju, kujtdo mund t’i ndodhte të rastiste në një vend të gabuar. Për herë të parë, pas pushimeve të fundit të shkollës 8 vjeçare, po bëja pushimet me prindërit e mi tek të afërmit e mi në Itali (e verifikueshme shumë kollaj nëpërmjet sistemit TIMS) dhe si kushdo, edhe ne kemi shëtitur së bashku, siç rasti e deshi të ishim prezent në një vjedhje në një super qendër tregtare, e jo në një supermaket siç flitet në mediat tona. Pas izolimit të të gjithëve në qendër, pas denoncimit, u detyruam të dëshmojmë të gjithë… sigurisht duke qenë dëshmitarë të ngjarjes. Nuk është faji im që ata që vodhën ishin shqiptarë…kishte edhe plot të tjerë të tillë që nuk vodhën, edhe unë midis tyre. Ju përgjigja karabinierëve italianë me sinqeritet….nuk u thashë atyre se jam gazetare për të tërhequr vëmendjen, por për t’u thënë të vërtetën, ashtu siç do u thosha po të isha mjeke, ekonomiste, juriste, veterinere, sanitare, roje… Ju përgjigja me sinqeritet, pavarësisht se nuk e dija që do më hapnin dyert e klasës milionere, për shkak të dëmit që më kanë shkaktuar, duke përdorur deklaratën time, për të shprehur racizmin e tyre të ndyrë karshi nesh… ata kishin një “plaçkë” të majme në dorë, një “albanese famosa”. Hidhini një sy gazetës “L’eco di Bergamo”, të datës 6 janar 2015. Si ka mundësi që arrestohen katër shqiptarë (bashkë me ta, edhe unë) dhe jepen vetëm të dhënat e mia…. Si ka mundësi të jem e arrestuar, kur për t’u mbushur mendjen të tërë të uriturve, m’u desh të bëj një video nga shtëpia e të afërmve ku po qëndroj? Pse duhet të postoja biletën e kthimit gati-gati duke u shfajësuar për t’u mbushur mendjen të gjithë palaçove të blogjeve online që s’lanë gjë pa thënë. Nuk e di pse pata nevojë ta bëj këtë…jo sepse isha e dobët, por se nuk jam mësuar me të tilla ngjarje.

Por mua nuk më dhemb Italia, se këtyre do t’u marr shpirtin… edhe lekët dhe kur të bëhem milionere, do hap një biznes që të heq dorë nga gazetaria, profesioni që ka marrë më qafë njerëz pa fund… Të gjitha gazetat kanë pa përjashtim adresën time të emailit sepse më çojnë aty faqet e para, por askush nuk denjoi të shkruajë një rresht e të më pyesë: A ka lidhje me ty kjo që po lexojmë? Ç’ishte gjithë ky nxitim për të më hedhur si kockë qensh? Një pjesë i falënderoj se korrigjuan pasi i kontaktova vetë, ama një pjese tjetër, shumë para nuk u marr dot, se nuk kanë morra e jo më lekë, por maksimumin do u marr, plus do shoh me kënaqësi fytyrat që nuk ma morën dot fytyrën e nuk do ma marrin kurrë! E kur të bëhem milionere, do u paguaj edhe lekët e rrogave që kanë muaj pa i marrë! Do hap edhe një shkollë, ku të përgatiten gazetarë e jo stallierë në vend të tyre!

SHKARKO APP