Ditar

Nga Mitro Çela

7 korrik 1999. Vapë nga ato që futen në histori. Doktor Berishës i dhëmb gishti i këmbës. Nuk kemi njoftime të sakta. Do të ishte në interes të kombit që t'i dhimbte këmba e majtë, d.m.th e kaluara e majtë e doktorit. Po t'i dhëmbi e djathta, ka rrezik të shkëputet Zef Bushati nga bashkësia e demokratëve! Ku të marr informacion? Mu kujtua populli që thotë: Pyet shtatë a tetë dhe bën si di vetë! Nxora bllokun e shënimeve. Formova numrin 284-91. Ende nuk kishte dalë moda e celularëve.

-Alo, jam Mitro Çela! Si është me shëndet Doktori?…-Zoti Mitro. Jetoni jashtë shtetit!…

-Perëndimi, mund të pranojë politikanë të rangut të lartë. Nuk ka vend për politikanë të dështuar si puna ime!

-Po më habisni! Jetoni në Tiranë dhe ende nuk e dini se me këtë numër, llafoste Berisha kur ishte hipur në kalë. Tani kemi tjetër kalorës, kemi Presidentin Mejdani!

Duke dashur të ha veten me dhëmbë, si cfurku kur nxjerr nga barku këlyshët, mora në telefon Albina Karamitron, shefen e departamentit ekonomik në PD. Mora telefonin dhe:

-Alo!… Jam Mitro Çela. Dua të flsa me Doktorin!"

-O Mitro, mendohu mirë, kur fut gishtat në brimë! Ia ke futur numrit, si kau pelës! Treshin e parë e ke bërë dysh dhe po flet me zyrat e SHIK-ut!

-Pardon!… Dhe bëji të falta drejtorit Fatos Klosit. E kam mik të vjetër, që kur ishte pedagog në Fakultetin e Shkencave dhe unë shkruaja në gazetën "Zëri i popullit". Me një gur vrava dy zogj. Së pari, i dërgova të fala Klosit. Së dyti, duke shprehur botërisht miqësinë me Klosin, i shpëtoj përgjimit të telefonit! Në fakt unë plasa të më përgjojnë, më keq se Teodor Keko. Meazalla! Por fundja çfarë të na përgjojnë neve të dyve: Ne ç'kemi në bark i nxjerrim në gazetë! Ja tregova këtë proçkë Filip Çakulit, kur në krah kisha Ezmerkën. Filipi pasi dëgjoi, demek me respekt, iu drejtua Netit: -Je e fortë që e mban për 20 vjet Mitron! Berisha e bëri Kryeredaktor dhe i dha duart pas 9 muajve. Ti qofsh që duron një hutaq burrë të tillë! Kulmi, po i dalin thinjat dhe e humbet si Xhaferi simiten para liderit!

-E mo Filip, kjo ngatërresë është pesë me hiç! Dëgjo këtu! Ka një palo makinë, që i hipi vetëm nga halli! Çdo natë i bën një marifet! Një herë harron dritat ndezur. Në mëngjes ka cofur bateria! Një herrë harron xhamin hapur. Bie shi-karrikja ime qull! Pa folur për dyert e makinës, që më shumë hapur se mbyllur!

SHKARKO APP