Ditari i një shkrimtareje: Na thanë rrini në shtëpi
Nga Sara Reggiani
Po jetojmë sikur të kishte ndonjë grabitqar që ulurin jashtë. Dhe askush se kur do të bjerë në duart e gjahtarit dhe të ecim para. Zakonisht, të mbushur me turistë nga mbarë bota, rrugët e qytetit tonë të dashur, Firence, janë krejtësisht të boshatisura. Pëllumbat dhe sorrat krokasin, janë stepur edhe ato prej krejt qetësie varri, këqyrin njëra-tjetrën me mosbesim. Pranvera po vjen, por ne dimë se nuk do ta gëzojmë. Gjërat që i merrnim si të zakonshme, si puna e një shëtitjeje në park ose vizita një mikeshe, janë kthyer në luks që s’e gëzojmë dot. Kjo ishte një kohë kur mirëpriteshin tubimet; tani po na kërkohet të rrimë larg njëri-tjetrit, të alarmohemi sa herë na afrohet dikush shumë. Kur të kalojë krejt kjo derexhe, edhe sa kohë do të na duhet derisa të mësohemi përsëri pa frikën që ta puthim njëri-tjetrin në faqe? Dhe ku do të shkojnë krejt të pastrehët derisa ne jemi mërzitur se na ka ardhur në majë të hundës ngujimi në shtëpi?
Ne, së paku, kemi ku të fusim kokën, edhe pse gjithnjë e më tepër po vjen puna pisk, ia kujtoj vetes derisa mendja më shkon tek ushqimi i javës: sa më pak kohë që kalojmë në hapësira të stërmbushura, sikurse supermarketet, aq më mirë, dhe nëse ndonjë anëtar i familjes lejohet të shkojë në dyqan për ushqim dhe duhet të ketë me vete një dokument në të cilin shkruhet arsyeja pse ka dalë nga shtëpia – nëse provohet se deklarata është e rrejshme, ndaj tij ngrihet aktakuzë.
Nuk është kohë lufte, kemi gjithçka që na duhet: ushqim dhe mundësi argëtimi, libra, muzikë dhe teknologji për të komunikuar me botën mbarë. Por mëngjeseve të fundit jam zgjuar me një ushtimë daullesh në veshë. Zgjohem, gjerbë një kafe, ulem para kompjuterit, flas dhe improvizoj lojëra me burrin, bëj drekën, punoj pak, gatuaj darkën dhe ka një kotësi që nuk të shkoqet, ka njëfarë tisi që më ndan prej gjithçkaje që mund të shoh dhe prek. Jam një robot, duke kryer veprimet që më janë programuar. Mendja rreket të krijojë lidhje me një trup të ri, statik – tani për tani, na lejohet të dalim jashtë për një shëtitje, por të vetmuar dhe asnjëherë larg nga shtëpia – një robot që nuk i bën gjërat që i bënte dikur. Sherri i izolimit, i them vetes. Paqartësia e së nesërmes. Mungesa e oksigjenit.
E vërteta është se në këtë qetësi varri – janë davaritur edhe jehonat e qytetit, vetëm kambanat e Santa Crose artikulojnë ditët e mia – tani po ndiejmë peshën e plotë të mendimeve tona. Dhe në mendimet e mia ka një që thotë: Nuk kisha tjetër çare, më duhej të të ndalja. Kjo do të kalojë, por mos harro. Kjo është arsyeja pse nuk po vdes nga frika – nga sëmundja, nga kriza ekonomike, nga humbja e pikëve të referencës. Sepse e di se ai zë ka të drejtë, se kjo sakrificë është e domosdoshme dhe madje do të shpjerë në shumë nivele vetëm nëse, kur të kalojë gjithçka, ne të mos harrojmë se jemi kryekëput të cenueshëm dhe se veprimet tonat i kanë pasojat e veta.
Mbase flas kështu për shkak se jam me fat: Kam shtëpi ku e kaloj tërë ditën, ulem para tavolinës së punës dhe përkthej tregime që do të botohen. Kjo është puna ime. Tregime. Virusi tashmë ka infektuar mënyrën se si i lexoj dhe më ka thënë të botoj vitin e ardhshëm, kur lexuesit e mi duhet të rimarrin veten prej kësaj traume dhe të hedhin shikimin para. Nuk është fundi i botës, i them vetes derisa përpiqem të ruaj ritmin me kujdesin dhe vëmendjen e pazakonshme. Sepse edhe kjo është një pasojë e paparashikuar: çdo veprim, qoftë edhe më i parëndësishmi, ka marrë kuptim të ri, çdo kujdes që e tregoj ndaj vetes, çdo “natën e mirë” thuhet me shpresën e sinqertë se ajo natë nuk sjell ankthe më të këqija se këto që po i jetojmë tashmë.
Nganjëherë, në ag, sytë ende i kam të mbyllur, trupin të pushuar dhe mendjen ende të lodhur. Mendoj se ky ngadalësim që po na e mëson virusi është i këndshëm, se ky leksion durimi është i shëndetshëm. Se çka ishte gabim më parë ishte energjia frenetike, që asnjëherë nuk na lejonte të kënaqeshim me asgjë, që po na e ndante frymën, energjia që tani ka vërshuar mediat sociale, duke u shkrirë në një domodoshmëri për të treguar, për të paralajmëruar, për të treguar solidaritet. Kemi hyrë në lëkurën e njëri-tjetrit. Po bëjmë zhurmë që të mos lejojmë që kjo heshtje të kthehet në pasqyrë. Nëse virusi na donte fikall vetëm, ka një arsye. Pse të mos e përqafojmë këtë, heshtjen, që më në fund të reflektojmë se si duhet të ndryshojë mënyra jonë e jetesës?
Rrini në shtëpi, lexoni një libër! – bërtet gjithsecili, por si ta di cilinë libër më duhet ta lexoj në këtë mal sugjerimesh, që shpesh duket si një përpjekje tjetër për t’i imponuar tjetrit identitetin tënd dhe shijet e dikujt tjetër? Mbase kësaj here, librat nuk janë të mjaftueshëm, dhe këtë e them me mahnitje, duke pasur parasysh punën që bëj. Nuk është e lehtë të përqendrohesh në lexim derisa bota përreth jush dridhet. Mbase kur të mësohemi plotësisht me ndryshimin, do ta rizbulojmë qetësinë e domosdoshme, por ende është herët, është muzika ajo çka na duhet më së shumti tani për t’i qetësuar nervat.
Egoizmi po gëlon, por edhe në këtë pikë na mban një leksion virusi. Kushdo që del nga shtëpia pa arsye të dobishme, tani rrezikon të mbysë fqinjin e saj ose të tij me kollitje. Shumëkush është i frikësuar, e kanë kuptuar seriozisht – ose thjesht druajnë se ndëshkimi do të vijë nga lart. Të tjerëve nuk u prishet terezia, por njeriu është njeri, dhe kjo është krejt tjetër histori.
Kanë kaluar muaj prejse i kam parë për herë të fundit prindërit – ata ende jetojnë në qytetin ku jam rritur, Pesaro, Marche, një prej rajoneve me numrin më të lartë të të infektuarve – por ne asnjëherë nuk kemi folur disa herë në ditë, qysh po flasim tani. Ata janë shtatëdhjetë vjeç dhe asnjëherë nuk e kanë marrë me mend se do të përjetonin diçka të ngjashme. “Nuk po frikësohem”, më tha mbrëmë gjyshja. “Ndihem si bletë punëtore e pafjalë, por nuk po frikësohemi”. Bletë punëtore e pafjalë. Kështu që kjo është daullja që s’më hiqet nga koka, mendova. Kam mbetur me të vjetrën, e paaftë për t’u mësuar me këtë qasje. Po, çka nëse do ta provoja?
(Autorja është bashkëbotuese e “Edizioni Black Coffee”, dhe ka përkthyer shumë libra në anglisht nga italishtja.
Marrë nga “lithub.com”.