Do të ketë jetë përtej papatit për Françeskun?

Nga Sébastien Maillard

Vitin e shkuar, pak para Krishtlindjeve, Papa Françesku kreu një vizitë të shkurtër tek Benedikti XVI. Paraardhësi i tij jeton vetëm pak hapa larg nga rezidenca “Santa Marta” ku qëndron Jorge Bergoglio. Ish-papa gjerman, shtyn ditët i qetë në ambientet e ish-manastirit “Mater Eçlesiae”, përpjetë kopshteve të Vatikanit. Të shohësh një papë që mikëpret të ashtquajturin “Papë Emeritus” dhe më pas ta ftojë këtë të fundit për darkë, një ritual që përsëritet prej më shumë se një viti e gjysmë, tingëllon fort e çuditshme, duke patur parasysh historikun e Kishës Katolike.


Është e pazakontë të shohësh së bashku nje papë aktual dhe një ish-papë, të jetojnë si fqinjë me njëri-tjetrin në qytetin-shtetin e vogël të Vatikanit, ndërsa ambjentet e Pallatit Apostolik mbeten dëshpërimisht të zbrazura.
Diçka tej normales vërehet, edhe kur në të njëjtën të dielë (7 Dhjetor), kemi një intervistë të Papa Françeskut të publikuar në të përditshmen argjentinase “La Nacion” dhe një tjetër të Benediktit XVI, në prestigjiozen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Është jo e zakonshme të kemi në të njëjtën kohë nga një enciklipë të shkruar nga dy papë, sikurse ka ndodhur  vitin e shkuar.
Ne nuk ka mbetet gjë tjetër veçse të mësohemi me këtë gjë. Sikurse e ka përsëritur në mjaft raste, Papa Françesku thotë se “Papa i Merituar nuk është një statujë në një muzeum”. “Ai është një institucion që merr pjesë në jetën e Kishës”. Ky “institucion” i ri, është pasojë e dorëheqjes historike të Benediktit në 11 Shkurt të vitit 2013. Sipas Jorge Bergoglios, ky akt i “çeli rrugën” Benediktit drejt këtij statusi. Kuptohet, vetë Françeku mund të bëjë të njëjtën gjë në të ardhmen. Në 20 dhjetor, Papa Françesku emëroi kardinalin francez Jean-Loui Tauran si mëkëmbësin e tij të përkohshëm, në rast se ai vetë dorëhiqet apo vdes. Në të ardhmen mund të ketë jo pak Papë me statusin që gëzon aktualisht Benedikti XVI. Françesku që mbushi 78-vjeç në 17 Dhjetor, dikur pati deklaruar se ishte ruajtur për të një dhomë në një shtëpi për priftërinjtë e dalë në pension në Buenos Aires, ku ai mund të ngulet për të jetuar, duke ndihmuar me këtë rast edhe klerikët lokalë. Më së fundmi, ai tregoi mbështetje për ambicjet e Romës, për organizimin e Lojërave Olimpike të vitit 2024, ndërsa nuk ngurroi që të deklarojë drojën e tij se nëse këto lojëra do të zhvillohen pikërisht në kryeqytetin italian, ai nuk do të jetë më atje. Pra tashmë është e qartë se ka një tjetër jetë edhe pas Papatit.
Është pikërisht ky fakt, që e bën papatin e Françeskut tërësisht të ndryshëm nga gjithë të tjerët. Të dy, ai dhe paraardhësi i tij, e dinë se për situatën aktuale, kjo është diçka trullosëse dhe delikate për t’u kapërdirë. Mënyra sesi ata veprojnë jashtë raportit mes tyre, po zbulon në fakt metodën sesi do të veprohet në të ardhmen, kur të ketë situata të ngjashme. Në Vatikan, ku çdo gjë është e kodifikuar në mënyrën më të ngurtë të mundshme dhe e rrënjosur në praktikat qindravjeçare, paska pra edhe hapësirë për të improvizuar.
Papa Emeritus I
Megjithatë asgjë nuk dukej kaq e qartë në fillim. Kur Benedikti XVI dha dorëheqjen, ai dukej se nuk kishte asnjë ide se kush do ta zëvendësonte. Kardinali Bergoglio, që ishte zgjedhur një muaj më parë në këtë post, kishte qenë në fakt rivali i tij në fillim të Konklavës së vitit 2005. Vitin që pasoi, thuhet se Benedikti qëndroi një hop mendueshëm, kur mësoi se kush ishte zgjedhur përfundimisht Papa i ri. Çfarëdo që mendon tani “Baba Benedikti” – sikundër ai mund të dëshironte të thërritej –  mbi atë se çfarë po bën pasardhësi i tij, fakt është se ka dëshmuar bindje të plotë ndaj këtij të fundit, duke qëndruar mënjanë dhe i heshtur.
Një situatë kjo e ngjashme me atë jetën e manastireve, ku ish-drejtuesi ndjek dhe i bindet lidershipit të udhëheqësit të ri shpirtëror. Joseph Ratzinger, i është rikthyer jetës akademike që pati ushtruar para se të zgjidhej Papë. Teologu i respektuar ka librat e tij të shumtë, macen e tij dhe një piano. Ai është 87 vjeç dhe thotë se nuk do të kthehet më kurrë të vizitojë vendlindjen e tij Bavarinë në Gjermani. Vizitorë të zgjedhur, që ai i mikëpret me mirësjellje, janë shprehur të impresionuar nga bujaria e tij por edhe sesa mendjeprehtë vazhdon që të mbetet, pavarësisht moshës. Ata vërejnë se Benedikti XVI, duket gjithashtu shumë më i qetë sesa kur ishte Papë, detyrë të cilën ai nuk ka dashur të ushtrojë asnjëherë. Papa i Merituar ka thyer heshtjen e tij në vetëm pak momente. Shtypi italian, publikoi njëherë një letër, në të cilën ai replikonte me një filozof ateist. Më vonë Benedikti iu përgjigj pyetjeve të shumta mbi largimin e tij të beftë, duke theksuar se nuk kishte asnjë dyshim se dorëheqja ishte tërësisht e ligjshme. Së fundmi, ai pranoi të flasë për gazetën gjermane “FAZ”, duke u shprehur se ai po i qëndronte larg Sinodit të Shenjtë, megjithatë kishte “marrëdhënie të shkëlqyera” me Françeskun.
Duaje fqinjin tënd!
Papa Françesku mund të pohojë se në rastin e fqinjit të tij paraardhës, ai bie dakord me urdhëresën e Biblës: “Duaje fqinjin!”. Jo të gjithë kardinalët dhe arqipeshkvit në Vatikan, aktualisht e vlerësojnë “fqinjin matanë derës”. Por Bergoglio gjithmonë flet me një respekt të madh për paraardhësin e tij.
“Është njëlloj si të kesh një baba në shtëpi: babain tim”- tha ai për mediat, në fillimet e Papatit. “Nëse do të kem vështirësi ose diçka që nuk e kuptoj, mund t’i telefonoj atij dhe t’i them: ‘Më thuaj, u mund ta bëj këtë gjë ?’ Kur unë shkova të bisedoja mbi skandalin e “Vatileaks” (rrjedhja e dokumenteve sekrete që shënuan edhe fundin e Papatit të Benediktit XVI), ai më tregoi gjithçka me një thjeshtësi të madhe, që të më ndihmonte sa më shumë që ishte e mundur”.
Në të vërtetë Benedikti, është mjaft i “nevojshëm” për Françeskun. Ndërsa nuk e fshehin nostalgjinë e tyre për atë çka mbetet tanimë nga kohët e arta të plakut Ratzinger, kardinalët konservatorë dhe të tjerë përfshi këtu edhe Kurinë, kritikojnë herë hapur dhe herë jo, stilin dhe reformat e guxishme të pasardhësit të Benediktit. Françesku e pranon se ai has jo pak rezistencë brenda radhëve të Kishës, porse detyra e tij është të ruajë bashkimin. Në disa ceremoni të veçanta në Bazilikën e Shën Pjetrit, ai fton edhe paraardhësit e vet, një ftesë kjo në formën e një suprize që i rezervohet një VIP-i. Benedikti, që shfaqet përherë vetëm pas kërkesës së pasardhësit të tij, ecën dalangadalë drejt Papa Françceskut dhe tund kokën me përunjësi dhe bindje të plotë. Kjo tingëllon si një sjellje e fisme, por edhe një kujtesë për gjithë kardinalët, që nga ana e tyre kanë rastin të shohin nga mjaft afër se kush është shefi tani./La Croix/
a.g./www.bota.al/

SHKARKO APP