Doktori luan me bumerang
Nga Lorenc Vangjeli/
“E kërkojmë dorëheqjen. Por kërkohet revolucion demokratik. Eshtë fare e thjeshtë, ngulen çadrat në Bulevard dhe hiqen që andej vetëm kur të plotësohen një, dy, tre, katër gjëra”.
Njeriu që e thotë një gjë të tillë është zoti Berisha. Dhe e thotë seriozisht. Njëlloj sikur t’i ketë rënë të martën për herë të parë rruga në Tiranë dhe nuk ka asnjë pikë lidhjeje as me kujtesën e Tiranës dhe as me punë të mira e të liga të bëra në Tiranë gjithë këto 25 vjetët e fundit.
Paralajmërimi i tij duket se është dëshmia e planit të opozitës për të radikalizuar edhe më tej situatën politike në vend me anë të protestave. Pikërisht me të njëjtën mënyrë që opozita e djeshme protestoi me uri nën çadra për procesin e diskutuar dhe të deformuar të zgjedhjeve të 2009-ës.
Disa muaj më pas, peisazhi i zakonshëm urban i Bulevardit Dëshmorët e Kombit ndryshoi duke u bërë arena e një proteste të panjohur më parë në Shqipëri: greva e urisë së opozitës dhe mitingjeve të përditshme të saj.
Në atë periudhë, në prill-maj të vitit 2010, zoti Berisha në pozicionin e tij si kryeministër, i sulmoi ashpër grevistët socialistë të urisë, por si pasojë dhe targeti i tij ishte Edi Rama si shkak i një “akti të paprecedent për Evropën e qytetëruar”, siç thoshte ai.
“Si karnavalë të vërtetë ngritën çadrat përpara kryeministrisë dhe nisën të ashtuquajturën grevë qesharake, vetëm e vetëm që të bllokonin integrimin dhe për të bllokuar vendimin për liberalizimin e vizave”, komentonte dikur soti Berisha. “Unë jam mjek dhe është nihiliste, jo humane që të çosh të tjerët drejt sakrificës me jetë…”, thoshtë ai.
Në Shqipëri toka rrotullohet shumë më shpejt rreth diellit se në vende të tjera. Çfarë është e zezë për shkak të natës një çast më parë, bëhet e bardhë vetëm një çast më pas sepse ka ardhur mëngjezi. Vetëm katër vjet më pas, pothuaj i njëjti model çadre u ngrit në krah të kryemninistrisë për të strehuar urinë e të larguarve blu nga administrata. Tashmë rolet kishin ndryshuar; “Zoti Karnaval” ishte bërë kryeministër dhe ish-akuzuesi i tij ishte shndërruar në ish-kryeministër. Bashkë me rolet, ndryshoi edhe qëndrimi ndaj institucionit “çadër” dhe vendqëndrimit të tyre të ri “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”.
“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë në mbështetje të grevistëve, që me jetën e tyre vendosën të mbrojnë të drejtat e tyre të ligjshme…Greva e urisë vazhdon. Zoti e bekoftë sakrificën e grevistëve”, thoshte një vit më parë ish-kryeministri, i cili të martën premtoi ripërsëritjen e të njëjtit skenar me çadra. Dhe me siguri, edhe të njëjtën vendosmëri për ta çuar deri në fund revolucionin demokratik. Deri këtu shtrihen kufinjtë e politikës, e cila justifikon gjithçka ose më saktë, duket se justifikon edhe qasjen e ndryshueshme ndaj të zezës e të bardhës, ndaj të mirës e të keqes, ndaj të dobishmes me të dëmshmen, sa kohë që kujtesa publike nuk është e gjatë. Por ka vetëm një moment për të cilin duhet reflektuar fort. Shumëçka në Tiranën politike është një film i parë edhe herë tjetër. Ose shumë herë të tjera. Me të njëjtin aktorë, të cilët shkëmbejnë me njëri-tjetrin të njëjtin skenar. Ndaj duhet kursyer fjala e fundit që në Tiranë ndodh të thuhet e para. Ndaj duhet kursyer edhe dashuria e pafundme, edhe urrejtja e pafundme, sa kohë që interesat kushtëzojnë edhe njërën, edhe tjetrën. Sepse do të ishte tmerrësisht e padurueshme, fjala vjen, nëse nga dritarja e zyrës së tij në kryeministri Edi Rama do të thoshte: “Unë jam piktor dhe është jo estetike, ngjan shumë i shëmtuar kontrasti mes këtyre çadrave skematike të Paraardhësit dhe tendës së bardhë e kërpudhës me ngjyra të kryeminstrisë që kam vendosur unë”. Pavarësisht elokuencës dhe elegancës së ndryshme, në një situatë të tillë kushdo do të kishte mundësinë të kujtonte bumerangun, këtë mjet gjahu të llojit dashuri-urrejtje që nëse nuk hidhet në drejtimin e duhur, me forcën e duhur dhe në objektivin e duhur, rrezikon vetë gjahtarin. Siç ka ndodhur gjithmonë në Tiranë. (Javanews.al)