Domosdoshmëria e votimit elektronik

Nga Koço Kokëdhima

Shqipëria ka një sistem politik e kushtetues jofunksional, pothuajse të kalbur dhe të korruptuar. Kjo situatë e ka fillesën te sistemi i pabesueshëm elektoral. Në Shqipëri politika nuk është një treg i hapur ku do të konkuronin lirshëm platformat, idetë, programet, alternativat dhe individët.

Administrimi i procesit të votimit dhe numërimi i votës janë lehtësisht të cënueshëm dhe me kosto të larta për shoqërinë. Në administrimin dhe bërjen e zgjedhjeve kontribuojnë mijëra shqiptarë të mirë, të ndershëm dhe idealistë, që e duan vendin dhe janë të ndërgjegjshëm për rolin jetik të zgjedhjeve të lira e të ndershme për të gjithë ne.

Ndërkohë, të ashtuquajturit “heronj” të partive në këtë proces, në një masë jo të vogël, historikisht janë shpërblyer me poste pune, të drejta, shërbime, pasuri etj. Me këtë shpjegohen pjesërisht edhe shumë nga ato histori të këqija kur në krye të punëve e në drejtim vendosen njerëz pa vlera e merita, të inkriminuar, të pashkolluar, me diploma false, të pasjellshëm e të urryer nga qytetarët.

Unë kam drejtuar zgjedhjet nga Partia Socialiste në vitet 2013 dhe 2015 në disa nga bashkitë e jugut, në Qarkun e Vlorës, dhe garantova atje një proces absolutisht të pastër votimi e numërimi. Në të shkuarën, nuk kam qenë pjesë e elitës politike të këtij vendi.

Megjithatë, gjithmonë kam besuar se krimi më i rëndë ndër të gjitha krimet që janë kryer në Shqipëri, është vjedhja e votës dhe kompromentimi i sistemit elektoral. Këtë krim, që e shkatërroi këtë vend, e mbolli Salih Ramë Berisha i ndryshuar në Sali Ram Berisha. Partitë politike shpesh herë në të shkuarën janë sjellë si “banka” votash. Ato kanë “kredituar” parti apo individë pavarësisht si e ka adresuar populli votën.

Për këtë arsye vazhdojnë të rrijnë në treg partiçka dhe individë që në politikë s’kanë asnjë mision tjetër veçse të bëjnë fitime përmes korrupsionit. Votimi elektonik do ta lehtësonte Shqipërinë nga kjo situatë dhe do shënonte një progres të madh drejt shëndoshjes së sistemit politik dhe institucioneve kushtetuese.

Pa një sistem elektoral të pastër e të besueshëm, asnjë reformë tjetër e sistemit kushtetues nuk do të japë rezultatet që do të dëshironim.

SHKARKO APP