Dosja nga Prokuroria e djegies nga Shteti e “KOHA JONE”. Deshmia e Blushit dhe Fevziut

 

Historia e pa mbyllur e djegies së gazetës së parë të pavarur dhe më të madhe shqiptare “Koha Jonë” natën e 2 mars 1997

 

Akoma endet nëpër dyert e drejtësisë historia më tragjike e medias shqiptare, asaj të “Koha Jonë”, e cila jo vetëm është e para gazetë e pavarur dhe private në Shqipëri, porse dhe më e madhja në tërë historinë e medias së lirë. Ajo u bë jo vetëm shkollë e një brezi gazetarësh që sot drejtojnë në të gjitha mediat e shkruara dhe radiotelevizive,por edhe simbol i një gazetarie kurajoze e profesioniste. Ndërkohë vonesa e drejtësisë për ta zbardhur deri në fund na detyron si redaksi e gazetës të fillojmë ciklin e botimit të një morie dokumentash e faktesh që lidhen me këtë ngjarje të kobshme për median.

Ka faksimile e dokumenta zyrtare që vertetojnë faktin ishte SHIK-u dhe Policia e vitit 1997 që ndërmori djegien dhe shkatërrimin e redaksisë së gazetës më të madhe, e cila dilte me 82 mijë kopje në ditë, të cilat shiteshin brenda ditës.

Ishte koha e “Koha Jonë”, kohë të cilën nuk kemi ndërmend ta harrojmë pavarësisht se drejtësia e korruptuar dhe politike shqiptare bën sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Nga ky moment ne do të botojmë dokumenta sekrete nga dosja hetimore që fillon me datë 3 mars 1997 e deri më sot.

Sot botojmë dy deshmitë në prokurori të Ben Blushit kryeredaktor në vitin 1997 dhe Blendi Fevziut kryeredaktor i revistës “AKS”, filial i kësaj gazete.

 

Ben Blushi:Amerikani Charls Wollsh më tha se redaksia “KOHA JONË” po digjet në flakë dhe ka trupa policie 

 

Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini ju në lidhje me djegien e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, më datë 03.03.1997?

Përgjigje: Unë në kohën për të cilën po më pyesni, kam qenë Kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”. Mesa me kujtohet, atë ditë kishte hyrë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Prej disa javësh, gazeta “Koha Jonë” ishte nën kërcënim, për shkak të raporteve të tensionuara me Qeverinë, sepse kishte mbajtur hapur anën e protestuesve të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë. Mesa më kujtohet më datë 02.03.1997, redaksinë e gazetës e kemi mbyllur vonë, rreth orës 12.00 të natës. Kam shkuar në shtëpi dhe rreth orës 04.30, jam telefonuar nga një shtetas i huaj amerikan dhe më ka thënë se diçka po ndodhte në redaksi. Emri i këtij shtetasi është Charls Ëollsh, i cili punonte në Ambasadën Amerikane. Ai në telefon më tha se tek redaksia kishte trupa policie dhe shumë zhurmë. Po kështu më tha se nga informacionet që kishte, në redaksinë e gazetës kishte edhe flakë. Situata ishte e rëndë dhe për këtë arsye, nuk kam dalë nga shtëpia. Në mëngjes rreth orës 08.30, kam dalë nga shtëpia dhe kam shkuar në redaksi. Aty kam parë se gjithçka në redaksi ishte djegur. Jashtë në oborrin e redaksisë, jemi takuar të gjithë gazetarët dhe me Nikoll Lesin i cili ishte pronar i gazetës.

 

Pyetje: Na thoni ju deklarues, një natë më parë kur ju mbyllët redaksinë dhe u larguat për në banesë, a jeni takuar me gazetarin Zamir Dule?

Përgjigje: Unë dua të them se Zamiri, kishte kohë që flinte në ambjentet e redaksisë, në bodrumin e saj. Atë natë nuk mbaj mend nëse e kam takuar, por të nesërmen nga kolegët mësova se në kohën që redaksia ishte djegur Zamiri ishte duke fjetur në bodrum. Po kështu kam mësuar se Zamirin e kishin marrë persona, me dhe pa uniformë, të cilin e kishin shoqëruar në një Komisariat të Policisë së Tiranës së bashku me shoferin e Nikoll Lesit, Anesti Nikollën.

Gjë tjetër nuk kam për të shtuar dhe sa më sipër janë thëniet e mia, pasi m’i lexojnë, i firmos pa vërejtje.

 

Blendi Fevziu: Unë deshmitari i djegies së "KOHA JONE"

Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini ju në lidhje me djegien e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, më datë 03.03.1997?

Përgjigje: Unë në kohën për të cilën po më pyesni kam qenë Kryeredaktor i revistës “AKS” që botohej nga gazeta “Koha Jonë”. Mesa më kujtohet, atë ditë kishte hyrë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Prej disa ditësh gazeta “Koha Jonë” ishte nën kërcënim, për shkak të raporteve të tensionuara me qeverinë sepse kishte mbajtur hapur anën e protestuesve të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë. Mesa më kujtohet më datë 02.03.1997, në redaksinë e gazetës puna ka mbaruar vonë, ndoshta pas orës 12.00 të natës. Unë kam vijuar ende faqosjen e revistës me Suad Barbullushin dhe kemi mbaruar rreth orës 12.30. Kam shkuar në shtëpi e cila ndodhej jo më shumë se 100 metra nga selia e gazetës “Koha Jonë”, në një rrugicë në të njëjtën rrugë. Nuk kisha fjetur ende, kur më telefonoi Nikoll Lesi dhe më tha se kishte marrë njoftim se po ndodhte diçka në selinë e gazetës “Koha Jonë”. Orën nuk e mbaj mend. Ai më kërkoi që të lidhesha me Njazi Kosovrastin, një i njohuri im dhe ministër i Pushtetit Lokal dhe të shihja se ç’mund të bëhej. I telefonova Kosovrastit, por në shtëpinë e tij nuk gjendej njeri dhe nuk u përgjigj askush.

Pak minuta më vonë dola nga shtëpia duke kaluar jo në rrugë, por nga një derë e brendshme në shtëpinë e komshiut që kishte murin ballor në rrugën “Qemal Stafa”. Isha jo më larg se 100 metra nga redaksia dhe pamja nuk ishte e qartë. Përballë redaksisë dalloheshin 2 ose 3 makina fuoristrada dhe një furgon i bardhë. Furgoni i mbyllur  dallohej më qartë dhe disa minuta më vonë më kaloi përpara duke ecur nga rruga “Qemal Stafa”, në drejtim të malit të Dajtit. Në momentin që u afrova fare pak, dallova flakë nga kati i dytë dhe i tretë. Dëgjoheshin edhe thirrje njerëzish, por unë nuk munda të afrohem më shumë pasi kisha frikë se dallohesha. Makinat ikën më pas në dy drejtime të ndryshme, disa duke u kthyer në rrugicën e Shkollës së Kuqe, disa të tjera në drejtim të Pazarit të Ri. Nuk e di sa ndjenja atje, por më vonë u ktheva sërish në shtëpi dhe njoftova disa nga gazetarët, midis të cilëve edhe Nikollë Lesin dhe Skënder Minxhozin.

Në mëngjes rreth orës 09.00 kam dalë nga shtëpia dhe kam shkuar në redaksi. Aty kam parë se gjithçka në redaksi ishte djegur. Ishte djegur edhe e gjithë puna që kishim bërë për revistën dhe zyra ku kishim punuar deri vonë. Jashtë në oborrin e redaksisë jam takuar me Ben Blushin dhe Skënder Minxhozin, Nikoll Lesin, Martin Lekën dhe Emin Barçin. Prej aty kemi shkuar tek Bar Ëest, ose Fideli siç njihej që po ashtu qe qëlluar dhe djegur gjatë natës. Mbaj mend që kishim frikë dhe aty, në trotuar, vendosëm që të mos dalë numri i nesërm dhe asnjë numër për sa kohë do të duhej të paraqiteshim në Këshillin e Censurës. Për këtë çështje kam tentuar disa herë të gjej ndonjë mundësi më shumë për të kuptuar, por nuk ka qenë e qartë. Kam pyetur ndër të tjerë në intervista televizive ndër vite ish-kryeministrin Aleksandër Meksi, ish-Presidentin Berisha dhe ish-drejtorin e Policisë, Agim Shehu, por këta janë shprehur se nuk kanë patur dijeni për këtë. Mesa më kujtohet me z.Shehu, intervistën e kam bërë këtë vit, në muajin mars.

 Pyetje:Na thoni ju deklarues, një natë më parë kur ju mbyllët redaksinë dhe u larguat për në banesë, a jeni takuar me gazetarin Zamir Dule?

Përgjigje: Jo, nuk mbaj mend të jem takuar me Dulen.Gjë tjetër nuk kam për të shtuar dhe sa më sipër janë thëniet e mia, pasi m’i lexojnë i firmos pa vërejtje. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP