Dragoi dhe Ballkani
Pekini do të vazhdojë të përqëndrohet edhe më shumë në zhvillimin ekonomik të Ballkanit, duke siguruar shuma të mëdha financiare dhe mobilizuar sipërmarrjet e veta, për të ndërtuar dhjetëra projekte strategjike, sidomos në fushën e infrastrukturës dhe energjisë.
Një deklaratë shumë e qartë dhe me plot simbolika ishte ajo e ajo e kryeministrit kinez Li Keqiang muajin e shkuar në Beograd, gjatë samitit të tretë Kinë-Ervopa Qendrore dhe Lindore, përballë një audience të madhe me protagonistët kryesorë të politikës rajonale.
Tek e fundit, “sprinti” i dëshiruar i bashkëpunimit financiar dhe tregtar mes gjigandit aziatik dhe kombeve të Ballkanit, është një temë tashmë e njohur dhe e diskutuar gjerësisht edhe gjatë samitit të shkuar në vitin 2013 në Bukuresht.
Ky ekspansion i Kinës në këtë rajon, cilësohet si një hap i domosdoshëm “për të garantuar rehabilitimin ekonomik dhe për të promovuar stabilitetin” në Ballkan, nëse citojmë deklaratën e bujshme të Keqiang-ut.
Por në fakt, është edhe një kusht thelbësor, për të munduësuar realizimin e strategjinë e maskuar keq të Kinës, që sikurse pretendojnë shumë analistë dhe ekspertë, synon të sfidojë fuqinë ekonomike të kontinetit të vjetër.
Fundja, interesimi shpropocional i treguar nga “Vendi i Dragoit”, ndaj tregut ballkanik, varet, si nga potencialet e shteteve të ndryshëm, ashtu edhe nga kapaciteti aktual i sistemeve të tyre financiare dhe bizneseve.
Ndonëse territori i këtij rajoni është i pasur me lëndë të para të çmuara, financat e vendeve përkatëse janë të rënduara nga borxhet publike. Recesioni ekonomik ka zhytur në pesimizëm të thellë klimën e biznesit, por edhe rentabilitetin e shkëmbimeve tregtare dhe pa dyshim kjo është diçka e pakapërdijshme për një fuqi botërore si Kina.
Është pra e qartë, që një listë kaq e gjatë e projekteve që duhet të zbatohen dhe investime që duhen kryer, fsheh një seri arsyesh që shkojnë dukshëm përtej një rikthimi ekonomik për një afat të shkurtër.
Projektet mbresëlënëse ku do të bazohet partneriteti Pekin-Ballkan, janë të gjitha strategjike dhe kanë për qëllim të ndikojnë kryesisht në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë. Një nga prioritetet e Kinës është ta shndërrojnë Beogradin në një qendër të fuqishme të transportit dhe nyje kyçe, për hyrjen në tregun e gjerë dhe të pasur të Bashkimit Evropian, pikërisht në sajë të ndërtimit të linjës hekurudhore Budapest-Beograd.
Projekti me një vlerë totale prej më shumë se 2.5 miliardë eurosh do të financohet plotësisht nga Banka për Zhvillim e Kinës, ndërsa punimet në terren do të kryhen nga kompanitë shtetërore të “Dragoit”, që kryesisht angazhojnë punëtorë dhe specialistë të marrë nga vendi i tyre.
Për më tepër, investimet kineze në Serbi kanë filluar që prej vitit 2010, me financimin e disa projekteve të tilla si ndërtimi i urës “Mihajllo Pupin” mbi lumin Danub në Beograd, termocentralin “Stanari”, pa harruar këtu edhe zgjerimin e rrjetit rrugor kombëtar.
Megjithatë, një nga investimet e para të bëra nga Pekini në Ballkan ka qenë në portin e Pireut në Greqi në vitin 2009, nga kapitalet e freskëta të dhëna nga gjigandi botëror i ndërtimit të anijeve “Cosco”.
Pas këtij investimi, trafiku i kontejnerëve në portin grek është 3-fishuar në më pak se 5 vjet dhe koha e shkarkimit është shkurtuar në një javë. Aktualisht, Pekini po tregon një interes të madh për portin e Selanikut po në Greqi, si dhe portin e Barit në Mal të Zi.
Sikurse përmendëm më sipër, një strategji kaq e fuqishme, agresive dhe heterogjene që synon të dominojë realitetin ekonomik në rajon, padyshim bazohet në heqjen dorë nga fitimet afatshkurtra. Vetëm në këtë mënyrë gjigandi aziatik mund të anashkalojë kufizimet e tregtisë – duke patur parasysh që në bazë marrëveshjeve dypalëshe, rregulloret e BE-së nuk zbatohen – për të depërtuar më në fund, në mënyrë direkte në një treg prej afro 800 milion banorësh.
The Diplomat/Bota.al