Drejtësi për Klodian Rashën!
Nga: Erisa Xhixho, ish-deputete e LSI-së
Një thirrje e mbushur plot dëshpërim i shtohet emergjencës për drejtësinë e padhënë, të keq dhënë. Klodian Rasha, i riu 25-vjeçar, që u vra në rrugën e shtëpisë nga një punonjës policie, në rrethana që presin hetim të paanshëm dhe profesional, kanë lënë në shok familjarët e të afërmit, por edhe të gjithë ne. Pa dashur të bëj gjykim mbi një çështje që është ndërkohë në hetim, nuk mund të mos u bashkohem zërave ulëritës të atyre që presin përgjigje, që presin drejtësi. Tashmë jemi në kushtet e një vendi që është bërë i padrejtë, ndërkohë që shoqëria kërkon dëshpërimisht vetëm Drejtësi.
Këtë duan prindërit që të paqtojnë shpirtin e pangushëlluar dot për humbjen e birit të tyre në prag të derës, këtë duan miqtë, këtë duam ne, të gjithë. Të vërtetën dhe vënien e fajtorëve para drejtësisë. Po pse protestojnë këto ditë ata dhjetëra të indinjuar për këtë ngjarje? Pse japin kujën mes lotësh prindërit në ekrane televizive? Fare e thjeshtë, se i friken fshehjes së të vërtetës, mbulimin me pluhursi siç ndodh rëndom, mosdhënien e drejtësisë.
Fenomen kaq i njohur në këtë vendin tonë të vogël, pasojë tashmë e një filozofie, ku maxhoranca në pushtet e ka zaptuar shtetin dhe e ka vënë përfund në funksion të pushtetit. Një maxhorancë që policisë së shtetit nuk i dha dinjitet, respekt, paanësi, por e përdori, më keq se kaq, e nëpërkëmbi, e bëri vegël qorre të qëllimeve pastërtisht politike dhe elektorale, duke e damkosur, duke e nënçmuar, e duke rritur hendekun e madh, humbjen e besimit të qytetarit te policia e shtetit.
Këtë dëm nuk ia bëri vetëm policisë dhe gjithë shërbyesve nën uniform, të cilët unë si qytetare që respektoj ligjin dhe autoritetin, i çmoj dhe vlerësoj për punën e palodhur mes vështirësive pafund që përballen çdo ditë, por ia bëri vendit, Shqipërisë, secilit ndër ne, marrëdhënies së qytetarit me shtetin. Në kushtet e një besimi të rrënuar te drejtësia, u desh një reformë për ta bërë qytetarin sërish besues, por kjo shpresë u vra sërish, pabesisht, nga kjo maxhorancë, e cila implementimin e reformës e ktheu në një instrument për ta kontrolluar dhe përvetësuar atë.
Duke vrarë kështu, për herë të dytë, shpresën për një sistem drejtësie të pavarur, që do jepte drejtësi të shpejtë e të barabartë për të gjithë dhe do eliminonte pandëshkueshmërinë. Për çfarë protestohet , çfarë duan prindërit e Klodianit sot? Përgjigjja është një: Drejtësi. Drejtësi fryt i një sistemi të pavarur, eficient, të pandikueshëm, që nuk sheh politikisht, ekonomikisht, as nga xhepat, as tutet nga presionet, por vetëm bazohet në ligj.
Për këtë, duam një Gjykatë Kushtetuese funksionale, që mbron të drejtat themelore të njeriut, Kushtetutën dhe kontrollon çdo maxhorancë në pushtet, duke iu bërë bllok vendimeve arbitrare. Duam një Gjykatë të Lartë funksionale, që jep drejtësinë e munguar të 35 mijë dosjeve të pluhurosura, që presin drejtësi, si hallka e fundit në piramidën e sistemit të drejtësisë.
Jam e bindur se pa një sistem drejtësie të pavarur nuk mund të kemi as zhvillim ekonomik, as paqe sociale, as mirëqenie dhe as pushtetarë që kanë frikë nga drejtësia. Kur ky moment të vijë, ne do të kemi ndërtuar më në fund sistemin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës, ku pavarësisht kush është në pushtet, drejtësia do të jetë e pavarur në misionin e saj, të dhënies së drejtësisë njësoj për të gjithë. Se sistemi është më i rëndësishëm, se cilido që përkohësisht është në drejtimin e vendit.