Drejtësia, negociatat dhe gjyqtarët
Nga Pandeli Majko
(Fjala në seancën e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e “Vetingut”…)
I nderuar zoti Kryetar i Gjykatës Kushtetuese! Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!
Në datë 22 korrik 2016 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet më të rëndësishme kushtetuese që nga miratimi i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë në vitin 1998.
Këto ndryshime kushtetuese patën një përkrahje të paprecedent të publikut brenda vendit dhe faktorit ndërkombëtar të interesuar. Kjo reformë kushtetuese në sistemin e drejtësisë u pa si një kthesë në rikthimin e besimit tek drejtësia si fondament i një shteti funksional në shërbim të qytetarëve.
Pavarësisht konsesusit politik në votimin e ndryshimeve kushtetuese, pjesë e së cilës ishte edhe procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ai u shoqërua me mjaft vështirësi për shkak të një qëndrese kundërshtuese e cila nxiti mosbesimin dhe mbrojtjen e statuskuosë së kalbëzuar në sistemin e drejtësisë në vend.
Shqipëria është aktualisht një vend kandidat për në Bashkimin Europian dhe pret së shpejti të hapë negociatat për anëtarësimin e plotë të vendit në të. Ky proces strategjik për të ardhmen e vendit ka një kusht të patjetërsueshëm për ndërmarrjen e kësaj reforme të thellë në sistemin e drejtësisë. Ajo vuan nga një shkallë e e lartë e korrupsionit, niveli i ulët i cilësisë në punë, përhapja gjithnjë e më shumë e rasteve të gjyqtarëve e prokurorëve me integritet të ulët si dhe nga mosfunksionimi i mekanizmave ekzistues të llogaridhënies për gjyqtarët e prokurorët.
Ekzistenca dhe niveli i korrupsionit në drejtësi nuk është më çështje perceptimi në Shqipëri. Jo vetëm publiku i cili e konfirmon shkallën e lartë të korrupsionit por edhe gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, si pjesë të sistemit, tashmë e pranojnë këtë duke nënvizuar se sistemi i drejtësisë vuan një sëmundje korruptive sistemike e cila kërkon ndërhyrje energjike.
Në këtë pikë bashkohem edhe me citimet e Komisionit të Venecias me të cilën fillon kërkesa e Partisë Demokratike “Për deklarimin e papajtueshmërisë me kushtetutën të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””.
Konkluzoni i Komisionit të Venecias flet qartësisht kur nënvizon se : “… beson se një masë e ngjashme drastike mund të shihet si e përshtatshme në kontekstin shqiptar. Megjithatë, mbetet një masë e jashtëzakonshme. Të gjitha rekomandimet pasuese në këtë opinion të ndërmjetëm bazohen mbi supozimin se vlerësimi tërësor i gjyqësorit dhe shërbimit të prokurorisë ka mbështetje të gjerë politike dhe publike në vend, që është një masë e jashtëzakonshme dhe rigorozisht e përkohshme, dhe që kjo masë nuk do të këshillohej për vende të tjera ku problemi i korrupsionit brenda gjyqësorit nuk kishte arritur atë nivel.” Ndërkohë, në Opinionin Final, shprehet se: “54. Në lidhje me masat e jashtëzakonshme për të vlerësuar gjyqtarët dhe prokurorët, Komisioni i Venecias është i mendimit që këto masa jo vetëm që janë të justifikuara, por janë të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të shkatërrojë plotësisht sistemin gjyqësor.”…
Pasi është bashkuar me këto nënvizime të Komisionit të Venecias në kërkesën e Partisë Demokratike si logjikë kundërshuese ngrihet fakti se “T’i njohësh të drejtën drejtorëve të emëruar nga Kryeministri (drejtorit të DSIK, DPPPP apo SHCBA) që të kontrollojnë gjyqtarët dhe prokurorët, apo të shprehen për përshtatshmërinë e tyre për të vijuar ose jo detyrën, nënkupton që t’i hapësh rrugë kapjes së plotë politike të sistemit të drejtësisë, si dhe të dhunosh në mënyrë flagrante standardet e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.”
Në faqen 11 të kërkesës bëhet vlerësimi shterrues se sipas Partisë Demokratike “Ndërhyrja me rol aktiv i institucioneve të treta, të varura apo nën ndikimin e politikës apo pushtetit ekzekutiv, përbën cenim të kompetencës kushtetuese të organeve të rivlerësimit, si dhe rrezik potencial të përfitimit politik nga procesi të mazhorancës aktuale, duke cenuar në këtë mënyrë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ligji ka asgjësuar thelbin dhe frymën e dispozitave kushtetuese, sepse kontrollin dhe hetimin në procesin e rivlerësimit e ka zhvendosur nga organet e krijuara rishtas dhe të konceptuara si organe të pavarura (Komisionerët Publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit), tek organet ekzistuese, jo kushtetuese, të pareformuara dhe të kontrolluara nga Qeveria, sic janë ILDKPKI, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme.
Në se do të vazhdonim me këtë logjikë e cila është kryesisht politike pyes pse duhet ta uzurpoje politikisht mazhoranca sistemin gjyqësor? A ka ndonjë problem politik kjo mazhorancë sot me kete sistem drejtësie? A ka ndonjë cështje sensitive të rëndësishme që ka hapur ky sistem drejtësie karshi mazhorancës qeverisëse? Përgjigja është : Jo! Nuk besoj të ketë pasur në 25 vitet e fundit qeverisje më komode në marrëdhënie me sistemin aktual të drejtësisë.
Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese
Keni në tavolinën e gjykimit tuaj sovran një kërkesë e cila nxit precedentin sipas të cilit ndryshimi i shumicave politike mund të krijojë diskutim mbi legjitimitetin dhe funksionalitetin ligjor të institucioneve që janë zgjedhur nga shumica e mëparshme politike. Kjo më e pakta diskuton thelbësisht sigurinë juridike në vend.
Në se bazohemi në logjikën “politike” të kërkesës së Partisë Demokratike a është i “besueshëm” një gjykatës kushtetues i zgjedhur nga një shumicë tjetër kundrejt një kolegu të tij të zgjedhur me shumicë të ndryshme politike në Kuvend?! A është i besueshëm kreu i ILDKP për shkak të shumicës që e ka zgjedhur në Kuvend? Po kështu mund të vazhdojmë edhe me drejtuesit e tjerë që konteston kërkesa e Partisë Demokratike.
Pyetja më e rëndësishme që duhet të trajtohet është se ku qëndron e ashtuquajtura “besueshmëri” në zbatimin e ligjit, tek përcaktimet e shumicave politike që kryejnë zgjedhjet dhe emërimet kushtetuese e ligjore të drejtuesve të institucioneve apo tek zbatimi rigoroz i nga ana e tyre i detyrimeve që u kërkon ligji?
Kërkesa e Partisë Demokratike e cila në pamje ka kontestimin për procedura të deformuara antikushtetuse ngre kërkesën për të barazuar “dyshimin politik” me shkeljen e Kushtetutës.
Kërkesa e Partisë Demokratike ka kundërthënie të cilat bëjnë të qarta vetëm rezervat politike të palës kontestuese. Ajo kërkon të deformojë qëllimin e reformës së drejtësisë dhe nxitjen e kolapsit procedurial të saj në sistemin e drejtësisë. Kërkesa ka qëllim krijimin e vështirësive në realizimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim pastrimin e sistemit të drejtësisë nga ata elementë që jo vetëm e kanë dëmtuar rëndë integritetin dhe besimin e ligjit dhe sistemit por edhe nuk mund të përmirësohen ose të përshtaten me kriteret dhe standardet e reja të parashikuara të një vendi anëtar të BE-së.
Në këtë proces është parashikuar:
– Ngritja e një sistemi rivlerësimi tërësor dhe kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim uljen e ndikimit të krimit të organizuar, politikës dhe elementëve të tjerë korruptivë në dhënien e drejtësisë, por edhe rritjen e cilësisë profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
– Kontrolli tërësor i pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, zbulimi ose identifikimi i lidhjeve të tyre me krimin e organizuar dhe vlerësimi i aftësive të e tyre profesionale.
– Krijimi sipas Kushtetutës të organeve të vetme të ngarkuara me verifikimin e të gjithë dokumentacionit të nevojshëm që çon në vendimmarrjen përfundimtare për kalimin ose jo me sukses të këtij procesi, konkretisht: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
– Mbikqyrja e këtij procesi tërësisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë, me qëllim garantimin e cilësisë, transparencës dhe besueshmërinë e tij.
Ajo që dëshiroj të theksoj është se ekzaminimi i trefishtë i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka për qëllim jo vetëm shkëputjen një herë e mirë të disa elementëve të lidhur me interesat krimit e korrupsionit por edhe të atyre të cilët janë të paaftë dhe që i kanë përfituar vendet e punës mbi bazën e lidhjeve korruptive.
Sistemi aktual i vlerësimit, i cili është më shumë një sistem vetëmbrojtës për këta elementë sesa vetërregullues, ka rezultuar i dështuar në identifikimin dhe nxjerrjen jashtë sistemit të këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe të paaftë.
E ritheksoj edhe një herë me forcë jo vetëm për ju gjyqtarë të nderuar por edhe për çdo njeri që mund të ketë dyshime ose dashakeqësi në perceptimin e kësaj reforme se qëllimi i procesit të rivlerësimit kalimtar nuk është thjesht largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe zëvendësimi i tyre me disa të tjerë.
Ligji “Për verifikimin e përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” është i vetmi ligj i paketës së reformës së drejtësisë i cili është konsultuar ngushtësisht me Departamentin e Drejtësisë së SHBA dhe me zyrën e Komisioneres së Drejtësisë në Bashkimin Europian nëpërmjet misoneve të OPDAT dhe EURALIUS në Tiranë. Edhe për këtë arsye veprimi i ligjit do të kryhet nën garanci ndërkombëtare nëpërmjet Operacionit të Monitorimit Ndërkombëtar.
Qëllimet e Operacionit i Monitorimit Ndërkombëtar në procesin e verifikimit ashtu si këshillat e Komisionit të Venecias nuk mund të jenë në shkelje të procedurave sovrane të institucioneve të shtetit shqiptar. Dyshimet e shprehura në kërkesën e Partisë Demokratike për këtë Mision të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndihmë të reformës së drejtësisë është një cështje politike dhe jo juridike. Ankimimi i palës tjetër për atë që konsideron “natyrë detyruese” të rekomandimeve të Operacionit të Monitorimit Ndërkombëtar shkon në kundërshtim me objeksionin kryesor që paraqet Partia Demokratike për të ashtuquajturin synim për kapjen politike të sistemit te drejtësisë nga mazhoranca. Mund të jetë ose njëra ose tjetra, por jo të dyja bashkë.
Synimi i kësaj reforme është ngritja e një sistemi që e lufton paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë në rrënjë dhe që në fillesa në sistemin e drejtësisë. Publiku shqiptar pret ta shohë dhe ta ndjejë drejtësinë, e cila në një shtet të së drejtës nuk mund të jepet bazuar në aftësinë paguese të palëve ndërgjyqëse ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kur filloi ky proces, kemi qenë të ndërgjegjshëm se do kishte pengesa dhe presionin e “Sindikatës” që është përgjegjëse për këtë gjendje të drejtësisë.
Përgjigja më e mirë dhe e merituar do të jetë suksesi i Reformës. Reforma e drejtësisë nuk mund të ndalet.
Në dhjetor, Brukseli zyrtar do të merrë vendimin politik për hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin e plotë të saj në Bashkimin Europian. Nga vendi jonë pritet që të bëjë hapa të dukshëm, konkretë dhe seriozë në zbatimin e reformës në drejtësi. Funksionalizimi i Ligjit të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është kushti kryesor. Ecuria e mëtejshme europiane e Shqipërisë varet thelbësisht nga vendimarrja e Gjykatës Kushtetuese për këtë cështje.
Pala kërkuese se këtë proces e cila po kundërshton sot para kësaj Gjykate e ka votuar një herë unanimisht reformën kushtetuese. Kundërshtimi i saj ndaj ligjit që rrjedh prej kësaj reforme e cila bën të mundur zbatimin e saj në praktikë është më së paku i pakuptueshëm.
Kjo reformë nuk mund të përdoret për kredite politike pasi ajo vlen shumë më tepër se kaq. Realizimi i saj hap rrugën që Shqipëria të jetë pjesë e familjes europiane si aspiratë kombëtare.
Qytetarët e Shqipërisë presin drejtësi dhe kjo është arsye e mjaftueshme që ky ligj të zhbllokohet. Ata që duan prosperitetin e shoqërisë dhe shtetit shqiptar kanë një rast për ta provuar dhe treguar.