Dritan Hila: Shtypi po jeton ditë të këqija. Rama autoritar, Basha po shtyn ditët
“Kur portali juaj e evidentoi krisjen Rama-Meta, shumë nuk e morën seriozisht. Tashmë është evidente. Që të bëhet analiza e këtij raporti, duhet më shumë se një intervistë. Por tashmë mund të thuhet se LSI, është ajo partia e tretë që aq shumë kërkohej dikur për të thyer monopolin e dy të mëdhajave. Ja ku është. Me veset dhe virtytet që ka politika shqiptare.”- u shpreh për Syri.net Dritan Hila.
Intervista e plotë
Keni dhënë dorëheqjen nga zv/ministër i mbrojtjes dhe jeni shume aktiv ne llogarinë tuaj në Facebook. Madje mjaft kritik dhe me zhvillimet në vend. Cila është arsyeja e dorëheqjes dhe a keni ndonjë pakënaqësi me kryeministrin Rama?
Po e zë nga fundi. Nuk kam asnjë pakënaqësi personale me kryeministrin Rama. Marrëdhënia me të, për aq sa një zëvëndësministër mund të ketë kontakte me kryeministrin, ka qenë korrekte. Sa i përket aktivitetit në fb, jam më pak prezent se maniakët e këtij rrjeti social, dhe sinqerisht e përdor vetëm për komunikim me ata që i konsideroj miq, të cilët nuk kapin dymijëshin, për të shprehur opinione dhe qëndrime “në të nxehtë”, pa kaluar filtrin e analizës së ftohtë. Pastaj rrjeti dhe shtypi bën të vetën, duke e bërë lajm. Por në përgjithësi, meqenëse edhe shkruaj, opinionet e mia të përpunuara i kaloj si artikuj, apo intervista në rastin konkret.
Një shënim i juaji në Facebook thekson se në këto 25 vjet vetëm Fatos Nano nuk imitoi Enver Hoxhën. E shikoni kryeministrin Rama si një udhëheqës autoritar apo më shumë akoma si një autokrat?
Ka qenë një reflektim mbi historinë. Zogu ishte një oriental që u përpoq të implementonte perëndimin, Hoxha një perëndimor që dashuroi metodat e lindjes, Noli nuk pati kohë të shfaqte individualitetin e vet, por ngaqë e dua, e kam klasifikuar si shkollë politike pasi ishte prift, kompozitor, përkthyes, poet, revolucionar dhe një individualitet rëzëllitës. Ndërsa Fatos Nano,është ai që është, dhe nuk imitoi asnjë nga paraardhësit, duke krijuar shkollën e tij personale, për të cilën do flitet pasi historia të bëjë tretjen e nevojshme. Edi Rama nuk është autokrat, pasi të jesh i tillë, nuk mjafton vetëm dëshira por dhe takati, të cilën ai nuk e ka; duhet të jetë konfigurimi i brendshëm politik dhe ai gjeopolitik. Dëshira për të qenë autokrat nëse e kërkon, do ta çojë nga zhvlerësimi normal me progresion aritmetik që pëson çdo pushtet, në zhvlerësim me progresion gjeometrik. Shqiptarët, sado të ngathët që janë në gjeste politike, janë lodhur nga autokracia që tek ne merr tiparet e monokracisë. Sa për autoritar, kjo mjafton të shikosh si drejton partinë, për të hequr çdo dyshim.
Ka një përpjekje mediatike për të sjellë në vëmendje një ftohje të sy aleatëve Rama-Meta. Madje këtij perceptimi i kanë ndihmuar edhe vetë zyrtare nga të dy krahët. A keni ju një analizë mbi raportet dhe të ardhmen e aleancës Rama-Meta?
Kur portali juaj e evidentoi këtë krisje, shumë nuk e morën seriozisht. Tashmë është evidente. Që të bëhet analiza e këtij raporti, duhet më shumë se një intervistë. Por tashmë mund të thuhet se LSI, është ajo partia e tretë që aq shumë kërkohej dikur për të thyer monopolin e dy të mëdhajave. Ja ku është. Me veset dhe virtytet që ka politika shqiptare. Nga sot e tutje, kjo forcë politike, nuk është as patericë e PD-së dhe as brinjë e PS-së. Është një partner me të cilin duhet ti bëjnë llogaritë si të tillë. Sa i përket të ardhmes së raportit aktual Rama-Meta, mendoj se minimalisht ka për të qenë më i vështirë se në dy vitet që shkuan, dhe më pak eksploziv se në periudhën e para 2013-ës. Ilir Meta tashmë është bërë më pragmatist. E ka bërë dy herë revolucionarin, duke dhënë dorëheqje nga kryeministër dhe zëvëndëskryeministër i Nanos, duke paguar kosto të mëdha dhe rrezikuar të zhdukej nga politika. Tani do që t’i marrë maksimumin pushtetit, për t’u përgatitur për betejat e reja politike.
Meqenëse Fatos Nano është politikani reformator për ju në këto 25 vjet dhe tashmë është një kandidature e përhershme për President, madje kaq e zakonte është bërë ambicia e tij konstante për President saqë shume zëra e krahasojnë me vetëofrimim që bënte Shkëlqim Meta për kreun e PS-se. E shikoni Fatos Nanon sërish një kandidaturë të mundshme? Po Ilir Metën?
Nuk ka asnjë nostalgji personale për Fatos Nanon. Nuk e kam mik dhe as kam qenë bashkëpunëtor i tij. Kam qenë një diplomat i thjeshtë kur ai ishte në pushtet. Por besoj se kushdo ja njeh meritën se reformoi PS duke e bërë më të hapur dhe gjithëpërfshirëse; çliroi administratën duke i dhënë frymëmarrje; uli tensionet politike dhe më kryesorja, në periudhën e tij vendi kishte rritje ekonomike 8-9% në vit, më e larta në periudhën postkomuniste sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe FMN. Performanca ekonomike e Berishës në mandatin e parë dhe mundësia e tij për të bërë investime infrastrukturore, kishin lidhje pikërisht me gjendjen e shëndoshë financiare që gjeti. Por Fatos Nano e ka bërë kohën e tij. Edhe ai vetë e di se nuk mjafton dëshira për t’u bërë president, por duhet edhe një formacion politik që ta mbështesë. PD nuk ka arsye, PS tashmë është e huaj për të, ndërsa LSI si vendi ku shumë ish-mbështetës të tij kanë gjetur strehë, nuk e ka forcën ta imponojë. Duhet një konfigurim i ri fushës politike që ta bëjë Fatos Nanon një pretendent serioz për presidencën.
Për Ilir Metën, mendoj se është ende herët të flitet nëse do të jetë presidenti i ardhshëm. Në dy vjetët që mbeten deri në mbarimin e mandatit të Nishanit, do fryjnë shumë erëra mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që do të shkartisin kartat e politikës.
Çfarë ka bërë mirë dhe çfarë ka bërë keq Edi Rama këto dy vjet kryeministër?
Rivendosja e autoritetit të shtetit hyn tek të mirat. Tashti duhet ta kalojë nga plani personal në autoritet të institucioneve. Nuk mund ta lerë më gjatë autoritetin e policisë vetëm në dorë të performancës së Tahirit, atë të OSSHE në dorë të drejtorit, e kështu me radhë. Sa do jetë i prirur ta bëjë që të ndajë kompetenca dhe lavdi, kjo është një kapërcyell që asnjë drejtues i shtetit shqiptar nuk e ka bërë, qoftë për shkak të formimit, qoftë për shkak të mentalitetit tonë.
Problem i madh është performanca ekonomike. Vendi është në krizë. Borxhet që rriten pa një strategji se ku do të shkojë vendi, ulja e shpejtësisë së qarkullimit të parasë, ulja e të ardhurave fiskale, mungesa e indikatorëve mbi kostot e punës dhe të parasë, mendjelehtësia me të cilën u mor kriza greke, tregojnë lëngatë. Duhet të rikompozojë qeverinë nëse do që gjendja mos përkeqësohet. Ekonomia është një shkencë e cila nuk lejon eksperimentet. Dhe kam frikë se në qeverinë e tij, nuk e njohin ekonominë. Vetë nuk e ka profesion, as zv/kryeministri, as ministri i ekonomisë e më tej. Shkëlqim Cani e kanë kthyer në një llogaritar të shtetit, duke mos përfituar prej tij. Ndërkohë që pas drejtimit agrar që i bëri Bodja financave shqiptare, ministrit të ri i duheshin dhënë më shumë kompetenca dhe jo t’ia qethnin ato. Atëherë nga do të vijë mrekullia ekonomike? Apo jemi duke e përjetuar dhe nuk e kuptojmë?
Mund të flitej më gjatë, por nuk është as koha e as vendi.
A keni një opinion për opozitën e Lulzim Bashës?
Po gabon gjithandej. La ndarjen territoriale në dorë të koalicionit të majtë, duke bërë që në të ardhmen e djathta të fitojë në zona sa për ta ruajtur nga syri i lig. U vonua në ligjin për arsimin. Braktisi pa kuptim votimin e ligjit për diplomacinë, e të tjera me radhë. Është zhdukur nga ekranet dhe nuk mban as llogari ne rrjetet sociale. Më shumë bëjnë komente militantët e djathtë se udhëheqësi i tyre. Ndërkohë që krahu tjetër propagandon edhe pushimet. Ngjan se po e konsideron kryetarllëkun si vend punësimi. E them këtë, pasi nuk mund të ketë demokraci gjenuine pa një opozitë të fortë. Ardhja në pushtet, nuk është një garë mujore në fund të katër vjetëve, por çmontim përditë i kundërshtarit. Politika para së gjithash është aksion. Kur një student i lë lëndët për muajin e sezonit, pretendon vetëm sa të shtyjë fakultetin. Basha kërkon të vijë në pushtet apo të shtyje vitet deri në pension?
Jeni përfshirë në një debat me Andrea Stefanin. Ky i fundit ju akuzon si berishian. Si të gjithë ata që nuk mendojnë si Stefani. Ne fakt pyetja nuk ka te beje me Andrean por me lirinë e medias në përgjithësi. A është më e lirë apo me e kapur media me Ramën kryeministër?
Nuk kam debat me Stefanin. Kam ndërhyrë vetëm pas sulmit të tij ndaj Dritëroit, dhe e ndjeva për detyrë pasi askush nuk reagoi për paçavuren që shkruajti, e të cilën më pas u rrek ta justifikonte. Sa për qenien time berishist, kam dëgjuar shumë të shara gjatë qenies time njeri publik. Kjo më kishte mbetur pa dëgjuar.
Por që t’i kthehemi lirisë së shtypit, çka është edhe ajo që ju intereson të gjithëve, mendoj se shtypi po përjeton ditët e tij të këqija. Rama është person i vëmendshëm ndaj imazhit publik, pavarësisht se thotë që nuk e lexoj shtypin. Dhe në një vend ku financuesi më i madh i ekonomisë është shteti, dhe kur pronarët e mediave e kanë shtypin një ndër degët e bizneseve të tyre, është e kuptueshme që përpiqen të jenë të kujdesshëm, duke e transmetuar këtë tension të tyre tek gazetarët të cilët e ndrydhin veten edhe më tej. Kam idenë se pak dritare pa hekura dhe individë pa vargonj kanë mbetur në vendin tonë.
Dhe se fundi, a keni një gjykim për profesionalizmin e gazetarëve shqiptar?
Paratë e pakta, presioni politik, ekonomia në krizë, të gjitha bashkë bëjnë që mos të ketë shumë para për shtypin, rrjedhimisht për pagesa të mira për gazetarët, rrjedhimisht mungesë interesi të talenteve që të zgjedhin këtë profesion. Kush e bën, duhet çmuar për kurajën qytetare edhe kaq sa bën. Duhej që shteti të subvenciononte dhjetë mediat më të mira, dhe kjo është kollaj e verifikueshme në ditët e sotme se kush janë më të mirët. E kanë bërë shumë vende demokratike për të forcuar këtë pushtet aq të nevojshëm si ndërgjegje publike e shoqërisë. Nuk ndodh, pasi kush qeveris ende nuk e sheh median si pasqyrë ku duhet të shikohet dhe korrigjojë defektet, por si një pasqyrë që duhet thyer.
*Intervistoi për Syri.net Çim Peka