Dritëhijet e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Nga Gerti Bogdani

John Bolton, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump, në një intervistë të dhënë dje konfirmoi dyshimin disavjeçar, se shkëmbimi i kufijve mes Kosovës e Serbisë ishte kërkuar nga “liderët” e këtyre dy vendeve që në vitin 2018. Pra, praktikisht nga Thaçi e Vuçiç.

Kjo konfirmon edhe deklaratën e Haradinajt, Kryeministër i Kosovës asokohe, se gjatë Samitit të Berlinit në korrik 2019, Rama e Thaçi i kishin bërë më shumë presion se Vuçiç për heqjen e taksës 100%. Gjë kjo që do të rihapte negociatat mes dy shteteve dhe për rrjedhojë do të çonte në një marrëveshje (që në atë kohë theksonte ndryshimin e kufijve).

Deklaratë kjo që solli edhe padinë e Kryeministrit shqiptar ndaj Kryeministrit kosovar. Jo thjesht një gjest i paprecedent në marrëdhëniet mes dy vendesh, por një turp i paprecedent, sepse jemi një popull, një komb. Padi të cilën e tërhoqi me bisht ndër shalë vetëm javën e kaluar, me shumë gjasa për efekte PR në kuadër të situatës aktuale, sesa për gjë tjetër.

Në intervistën e tij, Bolton thotë gjithashtu se një shkëmbim territoresh dhe lajmi për një marrëveshje të tillë nuk u prit shumë mirë nga vende të Ballkanit dhe BE. E me të drejtë, pasi kjo do hapte “Kutinë e Pendorës” për shumë vende e konflikte në Ballkan e në Europën Lindore. Kjo gjë nuk do ishte në asnjë mënyrë në favor të vendeve dhe frymës së BE-së, por në favor të palëve të treta, që nga hera kanë përfituar nga destabilizimi.

Me të drejtë, ka qenë Kancelarja Merkel, ajo e cila i ka vënë fre kësaj marrëzie, e cila duhet theksuar ka një qëndrim të vendosur për ruajtjen e integritetit të kufijve të Kosovës. Marrëzi në kuadrin europian, tradhti në kuadrin kombëtar.

Ajo, ende pa u shqiptuar shkëmbimi i territoreve si zgjidhje për marrëveshje, e ka “këshilluar” Presidentin kosovar, para vizitës së tij në Berlin në maj 2018, që çështjen e kufijve nuk mund ta ngrejë në asnjë mënyrë gjatë bisedës dhe takimit. Këtë “këshillë” e ka përçuar me një nga këshilltarët e saj, i cili ka udhëtuar në Prishtinë para se Presidenti Thaçi të udhëtonte për në Berlin.

U duk për njëfarë kohe që “këshilla” ishte dëgjuar e zbatuar, por nuk vonoi e disa muaj më pas erdhi deklarata e bujshme se për të arritur marrëveshje me Serbinë duhej folur për “korrektimin e kufijve”.

Tradhti kombëtare. Atë territor që mezi iu kthye popullit, të cilit i takonte, më shumë se një shekull më vonë; atë territor për të cilin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare e jo vetëm dhanë jetën, e për të cilin nena derdhën lot; atë territor të cilit i dedikuan jetën intelektualë e patriotë; territor që më në fund Presidenti amerikan, George W. Bush, do ta deklaronte të pavarur gjate vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Kosova e pavarur, tani!”; atë territor e nxorën në treg si “plaçkë lufte” në një deklarate për shtyp.

E ajo që nisi në atë konferencë për shtyp, duket se ka mbetur pezull në ajër tashmë, e si për ironi të fatit nga një njoftim për shtyp.

Ndërkohë që duhet theksuar fakti që kjo ka ardhur si nismë e Thaçit e Vuçiçit, e jo si nismë amerikane siç janë munduar ta shesin në pazarin politik e mediatik shqiptar zullumqarët e kësaj historie. Këtë fakt e konfirmon edhe i dërguari special i Presidentit Trump, Richard Grenell, në një intervistë para takimit të anuluar të 27 qershorit. Në atë intervistë, ai thotë se ndryshimi i kufijve nuk është në axhendën e tij dhe kjo nuk është politika e Presidentit Trump.

Por nëse kjo nuk është nismë e SHBA siç u munduan ta shisnin në mënyrë tinëzare Prishtina e Tirana zyrtare; nëse kjo jo vetëm që nuk kërkohet nga BE, përkundrazi; ndërkohë që partnerët europianë përdorën mekanizmin e Gjykatës Speciale për t’i vënë fre edhe dyshimit më të vogël se “këshillave” të tyre nuk ia vënë veshin e mund të tentojnë shkëmbimin e territoreve në kokë të vet, për hesap të vet; natyrshëm lind pyetja: Ku u gatua kjo çorbë?

Për këtë, spekulime ka pa fund, por, për mendimin tim, kjo është gatuar shumë më herët se 2018 që përmend Bolton. Askush nuk mund ta dijë se kur ka lindur ekzakt si ide; me shumë gjasa në Serbi kjo ndodh prej dekadash, por mund të hamendësohet se kur ky mekanizmi u vendos në lëvizje.

Kjo, besoj ka ndodhur para vizitës se liderit global në Beograd, në nëntor 2014. Duhet të ketë ndodhur në një kryqëzim vizitash në një vend mik disa muaj para vizitës në Beograd. Ku Rama e Vuçiç, për koincidencë udhëtonin në të njëjtin destinacion, në të njëjtat data, të ftuar nga i njëjti entitet. Aty besoj kanë pasur rastin të diskutojnë të qetë e pa mbikëqyrje perëndimore, planin e “regjisorëve” të marrëveshjes, e sigurisht të binin dakord për “regjinë” e takimit të Beogradit, ku Rama do tentonte të bëhej sadopak një Ballist Morine

Në këtë kuadër, në këtë mesele fatkeqe për shqiptaret, Tirana zyrtare jo vetëm qe nuk ndikon për të mirë të kombit të përbashkët, por lë vend për dyshim, që është ajo një nga aktoret që hapi këtë valle e që futi kombin në këtë qorrsokak. Është ajo që në një moment, në vitin 2019, kur dukej se marrëveshja po ecte përpara, vazhdoi vallen e për të lehtësuar “tradhtinë” emëroi në detyre një ministër të Jashtëm, jo thjesht pa eksperiencë (që të jemi të qartë, nuk kam asgjë kundër moshës, përkundrazi, jam i besimit që brezat e rinj do të jenë ato që do ta bëjnë Shqipërinë dhe Shqiptarinë), por mbi të gjitha me hije të forta dyshimi për ndikime direkte nga interesa serbe.

Megjithatë, për mendimin tim, më e rëndësishme se kur dhe si është pyetja kush. Kush janë spekulantët që përfitojnë nga një marrëveshje e tillë? Është e qartë që përfituesit e parë janë liderët e dy vendeve që e kanë kërkuar publikisht këtë gjë, njeri për interesa kombëtare e tjetri për personale; është ura e tyre lidhëse, lideri global në Tiranë, përsëri për interesa personale; e më pas vijnë regjisoret, spekulantë që bëjnë selfie sa me njërin lider e sa me tjetrin, njerëz që çdo vend e shohin si plaçkë për të trazuar, dobësuar e më pas për të blerë lirë; e së fundmi pa diskutim që janë palët e treta, që duhet theksuar që asnjëherë nuk kanë pasur për zemër interesat e shqiptarëve.

Ndaj, së fundmi, edhe pse John Bolton, i cili në të gjithë këtë histori nuk ka pasur peshoren në anën e Kosovës (miq apo të njohur të tij e sqarojnë apo justifikojnë këtë gjë për çështje parimore të tij dhe jo interesa personale) në fund të ditës i bëri një nder popullit të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. I vërtetoi se kush janë ata që kanë kërkuar dhe janë munduar për korrektim të kufijve si pjesë të marrëveshjes mes dy vendeve.

Fatkeqësisht vërtetoi se ende jemi armiku më i madh i vetvetes, se ende persekutohemi nga Hamzenjtë e historisë sonë.

Fatmirësisht, në morinë e shqiptarëve patriotë e të ndershëm, këta të mësipërmit janë veçse një pakicë dhe dalëngadalë po bëhen e shkuara.

Fatmirësisht, sot, të paktën për momentin, kanë dështuar.

SHKARKO APP