DW: Një njeri që i tregon botës, se kush vendos! Si po i fiton pikët Donald Trump

Politika e jashtme nuk luan kurrë ndonjë rol të madh në fushatën elektorale në SHBA. Por marrëveshja mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit e ndihmon presidentin në fushatë, mendon Ines Pohl.

Një sondazh në rrugë do të tregonte shumë shpejt, se shumica e amerikanëve nuk kanë dëgjuar kurrë për Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinin. Po ashtu as për Omanin dhe Katarin. Shkaqet e konfliktit mes Palestinës dhe Izraelit janë po aq pak të njohura sa edhe arsyet, që flasin kundër transferimit në Jeruzalem të ambasadës amerikane në Izrael. Fakti që kampionatet amerikane të bejsbollit quhen “World Series”, flet shumë për perceptimin amerikan për veten në botën e madhe.

Ka akoma shumë njerëz, që nuk e vënë re se me sa shkathtësi presidenti aktual di t‘i shfrytëzojë për vete momentet e caktuara. Më pak se 50 ditë para zgjedhjeve presidenciale ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes midis Izraelit dhe EBA si dhe Bahreinit i shkon atij përshtat më së miri. Profesionisti i medias di si të rrethohet në mënyrë bindëse me simbolet e pushtetit. Ai e di, se çfarë përshtypjeje bën te mbështetësit e vërtetë dhe votuesit e mundshëm, nëse në këto orë të vështira e prezanton veten si një politikan, që është në gjendje të verë gjërat në lëvizje.

Palestinezët të lënë pas dore

Këtu nuk ka rëndësi fakti, që palestinezët janë lënë pas dore në mënyrë të vrazhdë dhe se zgjidhja e vërtetë paqësore është edhe më larg me këtë marrëveshje me motive kryesisht ekonomike. Askujt nuk i intereson që blloku arab, i cili ka qëndruar për një kohë të gjatë unanimisht prapa palestinezëve, ka pushuar së ekzistuari prej kohësh. Dhe në këtë rajon të botës bëhet fjalë gjithnjë e më shumë për interesa sesa për solidaritet vëllazëror.

Shumica e amerikanëve janë aq të pasigurt, sa nuk kanë qenë prej kohësh. Nga virusi vdekjeprurës dhe nga problemet masive ekonomike. A ekziston vërtet rreziku i një lufte civile në periferitë e banuara kryesisht nga të bardhët, siç sugjerojnë pamjet e shumë protestave? Dhe pastaj zjarret kolosale, që po djegin pjesë të tëra të bregdetit perëndimor në një përmasë të panjohur më parë.

Në këtë situatë nevoja nga frika për të pasur një dorë të fortë, shumë amerikaneve dhe amerikanëve nuk u jep më shans për ta analizuar situatën me sy kritik. Në vend që të analizojnë se çfarë lidhje kanë të gjitha këto katastrofa me një president, i cili gjithsesi qeveris pothuajse një mandat të tërë, shumë dëshirojnë një njeri veprues dhe që vë sukseset e veta mbi gjithçka. Një njeri që i tregon botës, se kush vendos. Dhe kjo i jep Amerikës në botë vendin, që meriton.

Ta bëjë Biden që të duket vërtet i moshuar

Një ceremoni e tillë me shumë burra të fortë dhe shumë madhështi është pikërisht ajo që i duhet. Në ditë si këto Trump dëshiron t’u tregojë edhe skeptikëve më të mëdhenj, se sa forcë dhe vullnet për pushtet ka akoma. Dhe sa të lehtë e ka, që ta bëjë konkurrentin e tij Joe Biden të duket me të vërtetë plak.

Sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve, aq më të vështirë e ke ta kuptosh, se përse demokratët kanë zgjedhur sërish një kandidat, për të cilin në fund mund të thuhej përsëri: Donald Trump nuk fitoi aspak. Por kundërshtari i tij humbi. DW

SHKARKO APP