Dy ambicjet e pamundura të Lulzim Bashës
Nga Lorenc Vangjeli
Ish-ministri i transporteve, ish-ministri edhe i jashtëm, edhe i brendshëm, ish-kryetari procedurial i bashkisë së Tiranës dhe ende kryetar i Partisë Demokratike në veçanti dhe opozitës shqiptare të dyshes Basha – Mediu në përgjithësi, zoti Lulzim Basha, ka shpallur qartë ambicjet e tij politike. Të së nesërmes së tij vetjake në politikë, në këtë lojë të madhe shpesh qesharake e komike e po aq shpesh edhe provinciale e dramatike.
Zoti Basha i afishoi këtë javë për herë të tretë dhe fare hapur e qartë ambicjet e tij. Por publikisht tani është vetëm hera e dytë.
Hera e parë ishte në shtatorin e vjetshëm, kur pakkush e
morri vesh se çfarë dëshironte dhe çfarë ambicjeje kishte, ndërsa vazhdonte të qëndronte ende në ish-zyrën e Edi Ramës në bashki dhe i shkelte syrin nga larg e me mirëkuptim njerëzor për vështirësinë e punës në zyrën e kryeministrit.
Hera e dytë ishte në fundin e dimrit dhe fillimin e pranverës së këtij viti.
Dhe hera e tretë dhe e fundit në rradhë të paktën tani për tani, është në fillim të vjeshtës së këtij viti.
Zoti Basha kërkon dy poste: atë të ministrit të brendshëm ose atë të kryetarit të kuvendit. Duke përjashtuar herën e parë që ka shprehur këtë dëshirë – shtatorin e vjetshëm – dy herët e tjera ai nuk ka lënë vënd për keqkuptime dhe keqinterpretime nga ato që e kanë me nge e qejf t’ja bëjnë edhe miqtë, edhe kritikët e tij.
Në rastin dytë, atë të atentatit të supozuar si të porositur nga Ilir Meta ndaj dy deputetëve ai kërkoi dorëheqjen e Metës dhe Tahirit duke i konsideruar ata të dy si përgjegjës për krimin që nuk kishte ndodhur.
Në rastin e tretë në rradhë, në mes të një sërë arsyesh brenda qeverisjes që natyrisht duhet të meritojë e tëra në bllok mërinë e opozitës, ai bën një përzgjedhje të kujdesshme. Qëmton skandalin e CEZ-it – një gur i rëndë në shumë ndërgjegje dhe shumë para në pak xhepa të njohur – dhe trafikun e supozuar të drogës në Shqipëri.
Edhe kësaj here, kreu i opozitës qëllon të kërkojë sërish dorëheqjen e Ilir Metës dhe të Saimir Tahirit, përkatësisht kryetar i kuvendit dhe ministër i brendshëm.
Nëse kërkesën e parë do t’a artikulonte zonja Topalli, ish-kryetare kuvendi, për shembull, ose Grida Duma, fjala vjen, një nga pretendentet e të djathtës për këtë post, do të kishte një kuptim, por e dalë nga goja e Bashës kjo tingëllon si rock and roll në funeral. Thjesht një akt i pavlerë dhe i pavend politik.
Edhe dorëheqja e Tahirit, e kërkuar siç bëhet vazhdimisht nga Strazimiri, nga Ristani, Paloka, Noka, Mediu, e të tjerë, ka kuptim dhe merr kuptim. Opozita normalisht që duhet të ketë disa kandidatura për ministrin civil të policisë. Por kur këtë e bën vetë kryetari i opozitës, ky është vërtet një trill i gabuar. Eshtë njëlloj si në boks: nuk mund të ngatërrohen kategoritë e peshave kur ka ndeshje.
Po kështu, duke mos qenë deputet, Basha njëherë për njëherë ka pamundësi kushtetuese për t’u bërë kryetar i kuvendit. Të paktën për aq kohë sa nuk ka ardhur kushtetutshmërisht 2017-a ose nëse vendi nuk ka shkuar në zgjedhje të parakohshme, ose nëse partia e tij fiton zgjedhjet, ose një gjë të tillë e bën koalicioni ku bën pjesë edhe partia e tij. Por kjo botë natyrisht shumë më e ngatërruar se fjalëkryqet e faqes tre të RD-së, e ka të tepërt edhe një “nëse” të vetme; tre të tilla janë më të pamundura se një funeral në koncert rock and roll-i.
Lulzim Basha për fat të mirë apo të keq, duke u nisur nga detyra e tij, ka vetëm një post për të marrë ose një mundësi për të humbur e për të shkuar në shtëpi. Ai duhet të bëhet kryeministër. Por karrigia e numrit një të ekzekutivit i duket shumë e largët, me gjasë. Po aq e largët sa në kohën kur mbi të qëndronte eprori i tij zyrtar dhe ati shpirtëror Berisha. Po aq e largët edhe tani kur karrigia ka ndëruar edhe ngjyrë, edhe qerramarrës, i cili urrehet me shpirt nga ati i tij shpirtëror Berisha. (Javanews.al)