Dy hapat e rrezikshëm përpara, të Veliaj
Nga Mero Baze
Kishte dy hapa të rrezikshme përpara në prezantimin e parë publik të Erion Veliaj në Top Story, që ndryshon nga fushata e Partisë Socialiste. Mori një pozicion të fortë politik ndaj fushatës së vet dhe kundërshtarit dhe nuk mori përsipër çdo problem që ka Tirana, por vetëm ato që mendon se i zgjidh, duke bërë një premtim kundër asaj që ka bërë Rama, Berisha e Basha tek Liqeni, i cili duket si një premtim që “të ha kokën” në politikë.
Marrja e një pozicioni të fortë politik dhe akuzat konkrete, sidomos për atë që Familja Berisha ka bërë në Tiranë si seksere e zhvillimit të saj, është një risi në raport me gjuhën e drunjtë që përdor kryesisht shumica kundër Familjes Berisha dhe akuzave për korrupsion në përgjithësi. Nëse ka një mangësi në fushatën politike të PS-së është mungesa e një nervi politik dhe një etikë e shtirë gjatë fushatës. Në fjalorin politik të shumicës kanë zënë vend fjalë parazitare të tipit “nuk merremi me kundërshtarin” apo “kundërshtari është në parti të gabuar” etj.
Veliaj për herë të parë ka bërë akuza të qarta për Familjen Berisha, për rolin e familjarëve të tij si sekserë të Tiranës, për histori që janë zhvilluar para syve tanë për pallate që i bllokonte Berisha se rrezikonin sigurinë kombëtare, pastaj i zhbllokonte, dhe Shkëlzeni është sot banor i atij pallati tek Liqeni. Akuzat konkrete të Veliajt në këtë pikë janë të rëndësishme, pasi ato janë në të vërtetë dhe problem real që ka shumica në luftën politike me Berishën.
Veliaj po ashtu bëri një hap të besueshëm përpara kur iu shmang deklaratave parazitare të shumicës dhe për kundërshtarin e tij, duke e bërë bozë me profesionin e tij si gjinekolog, i cili ka bërë më shumë eko grash në fushatë elektorale, duke na treguar si kanë lindur sesa ka bërë realisht në Maternitet. Të thuash që një gjinekolog u ka shërbyer grave, është sikur të thuash që një kamarier u ka shërbyer kafe klientëve. Deri këtu nuk thua asgjë. Ajo që duhet thënë për sistemin korruptiv të shëndetësisë në Shqipëri, është se Doktor Halimi është nga simbolet e korrupsionit në Shqipëri, se ka shfrytëzuar postin zyrtar si Drejtor i Maternitetit më të madh në vend, për të ndërtuar klinikën e tij private. Modeli i shëmtuar i shërbimit të biznesit të tij përmes një posti shtetëror është dhe modeli më i shëmtuar i kapjes së shtetit në Shqipëri. Halim Kosova është një simbol në këtë çështje. Ai nuk ka nevojë të të marrë lekë në Maternitet, nëse ndihmësja e tij të çon mbasdite tek klinika e tij, pasi “spitali nuk ka kushte” siç të çojnë mjekë të tjerë tek skanerat e tyre, siç të çojnë kirurg nga publiku tek privati për një korongrafi apo traumë çfarëdo.
Ky dimension politik po i mungonte fushatës dhe dukej sikur ajo ishte një garë njerëzish të mirë që po i prishin partitë. Marrja e një pozicioni ndaj kundërshtarit të tij ishte ngjyrosja e parë reale e fushatës me një pozicion politik të qartë. Dhe në këtë pikë ai kërkoi që dhe kundërshtari i tij të mos fshihej pas baracaletave banale, por të jepte gjykimin e tij për Berishën, Bashën, Ramën dhe sidomos për problemet që kanë shoqëruar qeverisjen e PD-së që nga Gërdeci, 21 Janari dhe Rruga e Kombit e deri tek borxhet në të cilat e zhytën Shqipërinë.
E dyta, gjë që më ra në sy ishte se Veliaj nuk mori përsipër çdo problem të Tiranës. Ai nuk mori përsipër tramin, metron, apo projekte madhore për qytetin, por gjëra konkrete që beson se i bën. Ndër to, mori një zotim të fortë, për të cilin shumë njerëz kanë dilema. Ai premtoi se në mandatin e tij nuk do të ketë leje ndërtimi tek Zona e Liqenit dhe se do të bëjë betejë me ndërtimet aktuale. Beteja mund të jetë ligjore, politike, administrative apo e çdo forme tjetër, për të cilën ai natyrisht nuk mund të japë sot verdiktin. Ajo që ai ka në dorë dhe është përgjegjësia, të mbajë fjalën se nuk do të japë më leje dhe se do të ndryshojë planin rregullues në këtë funksion.
Kjo është diçka që do matet konkretisht. Marrja e këtij zotimi është mbi të gjitha një sfidë jo vetëm për të si administrator i Tiranës, pro dhe për kazuën që i bëjnë si një politikan dipedent prej Ramës. Nëse ai e bën këtë, ka të drejtë të na bëjë të rindryshojmë formulimin tonë për raportet e tij me Ramën.
Projekti i madh i Liqenit, ka qenë në vitin 2008 siç thotë Bojaxhiu, një konsues i heshtur i Ramës me Berishën, por nuk ka qenë kështu si është katandisur. Bojaxhiu reagoi me zemërim ndaj tij, pikërisht se nëse Veliaj i qëndron atij premtimi, ai eklipson kauzën për të cilën shumë qytetarë mbështesin Bojaxhiun. Kjo ka qenë një zonë e re zhvillimi, me kulla të larta dhe një koncpet të ri për gjithë zonën. Basha e transferoi në një ofertë kilenteliste siç thotë Veliaj, të diktuar nga Shkëlzeni. Premtimi i tij është që do të ndalë çdo zhvillim të mëtejshëm të saj dhe do bëj betejë për çfarë është bërë. Kjo është një sfidë jo vetëm urbane, por edhe politike me të, nëse biem dakord se aty kanë futur duart në një farë mënyre gjithë kryeministrat dhe kryebashkiakët. Nëse bën një hap përpara në këtë drejtim, ka bërë më shumë se një hap si kryebashkiak. Është dhe një hap për tu ndarë nga politika e shkuar. Është një premtim i rrezikshëm në një vend që vuan nga mosbesimi për gjithçka, por dhe një shpresë reale nëse ia del ta mbajë.
TEMA