Dy histori të mërzitshme spiunësh

Nga Dritan Hila

Ka ca ditë që Shqipëria ka rënë në vorbullën e spiunazhit ku opozita akuzon për praninë e një spiuni në rradhët e komisionit që do negociojë detin me Greqinë, ndërkohë qeveria akuzon opozitën se është sponsorizuar nga Rusia, për të bërë një dreq e di se çfarë.

Që të jemi korrekt, qeveria nuk ka pse e tjerr kaq gjatë rastin e Artur Meçollarit dhe këmbëngul për prezencën e tij në komision. Nëse opozita nuk e do, qoftë edhe për kapriço të saj, nuk ka asgjë të keqe të shmanget dhe zoti Meçollari e sqaron pozitën e tij në qetësi. Argumenti qeveritar se pregatitja e tij si oficer është e domosdoshme, çalon. Ndoshta krahasuar me grumbullin e njerëzve që përbëjnë atë delegacion të cilët nuk kanë lidhje me çështjen, zoti Meçollari është të paktën dikush që kupton. Por pak e vlefshme për rastin në fjalë ku duhen juristë të mirëfilltë të së drejtës ndërkombëtare, të cilat ai komision nuk i ka, dhe të së drejtës së detit nga të cilët Shqipëria nuk ka fare dhe duhen marrë nga shtete mike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Tani le të vimë tek rasti Basha.

Swiss Digital Mobile Reklama

Se çfarë dreqin i duhet Rusisë të sponsorizojë Lulzim Bashën, këtë mund ta bëjë vetëm një mendje e çakërdisur ose që merret me teori komploti. Por jo Vladimir Putin.

Lajmi i fundit që dy sponsorizuesit e Bashës qënkan edhe ish operativë të KGB dhe kjo qenka zbuluar nga gazetarët, do shqyente gazit edhe macet e Moskës. Rusia është shtet serioz që të telendisë shërbimet e saj sekrete në internet apo të lerë arkivat në duar sharlatanësh.

Sa i takon shefit të Rusisë, është një lojtar klasi i gjeopolitikës. Ai e di se Rusia ka burime të kufizuara financiare dhe njerëzore për të hedhur në lojërat e mëdha botërore. Ekonomia e tij nuk po përjeton ditët më të mira. Nëse i duhet të investojë diku, ka mjaft vende ku merr rezultat të sigurtë dhe me lojtarë të peshës së rëndë. Por nuk mund të investojë tek dikush si Lulzim Basha i cili nuk tremb njeri as në partinë e tij dhe nuk ka as minimumin e kapaciteteve të destabilizojë edhe jashtë gardhit të selisë.

Ajo që do të ishte e dobishme për shqiptarët, ka lidhje me çështjen e kuintalëve të kokainës, ndihmën e reduktuar ekonomike, ekonominë e frenuar. Ndërsa historitë me spiunë ti lexonin në libra në kohën e lirë por jo në parlament. Kanë ikur ato kohë kur ky ishte një vend serioz me shtet serioz që edhe të tjerët e merrnin seriozisht. Dritare.net

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?