“Dy shekuj më vonë, Marksi ndihet më revolucionar se kurrë”

Nga Stuart Jeffries
The Guardian

Dje qëndrova mbi varrin e Karl Marksit, në varrezat Highgate të Londrës, duke pyetur veten se çfarë do të na thoshte sot, 200 vite pas lindjes së tij, më 5 Maj.

“Punëtorë të të gjithë vendeve, bashkohuni”, lexon guri i varrit. Por ata nuk janë bashkuar. Dhe solidariteti i të shfrytëzuarve, të cilën Marksi e quajti si të nevojshme për t’i dhënë fund kapitalizmit, ekziston shumë pak.

“Borgjezia po prodhon varrmihësit e vet”, tha ai dhe Fridrih Engels 170 vite më parë në Manifestin Komunist. “Rënia e borgjezisë dhe fitorja e proletariatit janë të pashmangshme.” Jo dhe aq. Kapitalizmi sot është i shfrenuar. Me atë ironi historike që filozofi Hegel e quajti “dinakëri të arsyes”, kapitalizmi ka bërë që varrmihësit madje ta ndihmojnë të mbahet gjallë. Kina, shoqëria më e madhe socialiste në botë (vetëm në dukje), i furnizon kompanitë kapitaliste me punë krahu tepër të lirë, që u shkakton probleme punëtorëve të tjerë në të gjithë botën.

Pra, a ka marrë fund Marksi? Aspak. Për mua, ajo që bën t’ia vlejë leximi i Marksit sot nuk është vetëm prognoza panglosiane, por diagnoza që vazhdon bën jehonë dhe sot. Për shembull, ai dhe Engelsi parashikuan se si do të funksiononte globalizimi. “Në vend të kërkesave të vjetra, që plotësoheshin nga oferta e prodhimit vendas, do të vijnë kërkesa të reja për produkte që ofrohen nga vende të largëta e nën një tjetër lloj klime.” Prandaj punëtorët kinezë bëjnë produkte që nuk mendonim se do të ekzistonin, jo më që do t’i dëshironim. Kjo do të na fuste në përgjumje politike, në prag të sociopatisë, si narcizistë somnambul. Po, po flas për smartfonët.

E kam të vështirë ta lexoj “Manifestin e Komunizmit” pa menduar se po jetoj në botën që kishte përshkruar ai dhe Engelsi. “Revolucionarizim i përhershëm i prodhimit, trazim i pandërprerë i të gjitha kushteve shoqërore, pasiguri pa mbarim dhe ankth që e dallon epokën borgjeze nga të mëparshmet.” Jetojmë në një botë njësoj, por edhe më intensive se ajo që kishin përfytyruar Marksi dhe Engelsi. Për mua, këto fjalë nuk tregojnë vetëm se si Uber, Deliveroo dhe kompani të tjera shmangin vlerat dhe standardet për të fituar më shumë para, por tregojnë edhe se si planeti po plaçkitet pa pushim për të kënaqur aksionerët që shmangin taksat.

Profesori marksist David Harvery mori si shembull qytetin e San Paulos, ku baza ekonomike është një industri makinash që prodhon automjete të cilat qëndrojnë me orë të tëra në rrugët e bllokuara nga trafiku, duke ndotur mjedisin e duke i izoluar individët, një emblemë e fuqishme që tregon se sa armiqësore janë ekonomitë e tregut të lirë ndaj nevojave të vërteta të njerëzve.

Marksi nuk parashikoi Facebook, por e kuptoi bazën e modelit të biznesit të Mark Zukerbergut më mirë se senatorët amerikanë që morën pjesë në seancën dëgjimore në Kongres, pak javë më parë. “Borgjezia”, kanë shkruar shumë bukur Marksi dhe Engelsi, “nuk ka lënë asnjë lidhje tjetër mes njerëzve përveç interesit vetjak dhe pagesës me para në dorë.  Ka mbytur kënaqësitë më qiellore të ngrohtësisë fetare, entuziazmin e fisnikërisë; si dhe ka mbytur sentimentalizmin në ujërat e përllogaritjeve të ftohta.”

Facebook, pa përmendur Amazon dhe Google, kanë ndihmuar që t’i kthejnë njerëzit në prona të shfrytëzueshme. Kjo është në fakt një lloj gjenialiteti.

Por më e dhimbshmja për ne sot është ajo që shkroi Marksi në veprën “Kapitali”, që flet për fetishizmin rreth komoditeteve. Me atë term i drejtohej sendeve të përditshme që prodhojnë punëtorët, si tableta, makina, madje edhe librat që përkujtojnë 200-vjetorin e lindjes të Marksit, të cilat kapitalizmi i bën të huaja, në mënyrë magjepsëse. Njësoj siç ndodh me disa besime fetare, kur një objekt të cilit i atribuohen fuqi të mbinatyrshme, kthehet papritur në fetish për ata që e adhurojnë. Të tilla janë dhe fuqitë magjike që i jep kapitalizmi komoditeteve të konsumit.

Kur shitet një iPhone, këmbehet për një tjetër komoditet (zakonisht për parà). Këmbimi nuk llogarit punën që është dashur për prodhimin e smartfonit, le më faktin që shumë punëtorë të keqpaguar të Apple kanë menduar edhe vetëvrasjen për t’i shpëtuar jetës që kalojnë duke prodhuar pa fund pajisje që unë e ti duam t’i kemi patjetër. “Për këtë arsye, një komoditet është diçka misterioze thjesht sepse mbi të, karakteri shoqëror i punës së njerëzve, paraqitet si një karakter objektiv i stampuar mbi produktin e asaj pune”, shkruante Marks.

György Lukács, i cili e ka ndikuar shumë shkollën e Frankfurtit, tha se në një botë ku fetishizmi i komoditeteve është i përhapur, do të krijohet një lloj i ri njeriu. Këta njerëz të rinj janë aq të degraduar, sa thelbi i vetëm i tyre është blerja dhe shitja: “Unë blej, ndaj ekzistoj”. Në vend që të bashkohemi për t’i dhënë fund kapitalizmit, ne blejmë më shumë këpucë. Kur JD Sports njoftoi se kishte pasur rritje të fitimeve me 24% muajin e shkuar, mua m’u duk më pak si lajm i mirë për rrugët e famshme me dyqane të shtrenjta të Britanisë, e më shumë si rritje e fetishizmit për këpucë në sistemin degradues që përshkroi Lukacs. Siç e thotë dhe Malkolm X, na kanë rrëmbyer. Na e kanë hedhur.

Në një botë e tillë është më e lehtë të biesh në atë heshtjen filozofike që tërbonte Marksin, siç ranë shumë veta nga Shkolla e Frankfurtit. “Filozofët thjesht e interpretojnë botën në mënyra të ndryshme. Qëllimi, gjithsesi, është që ta ndryshojnë”, ka thënë ai, fjalë që janë gdhendur edhe mbi gurin e varrit.

Kjo mbetet një sfidë e vërtetë. Kemi nevojë që Marksi të na ndihmojë të kuptojmë se gjendja në të cilën jemi është vetëm paradhënia për një betejë më të madhe, për të cilën shkrimet e tij ndihmojnë më pak: betejën për të dalë prej saj.

Përktheu: Top Channel

SHKARKO APP