E çajmë rrugën e historisë me … gërrnetë
Nga: Alfred Lela –
“Dy luanë ka sot bota një Azia, një Europa…”. Kështu i këndohej Enver Hoxhës dhe Mao ce Dunit në kohën e miqësisë me Kinën. Pasi kishim bredhur në monopatet e miqësisë imperatoriale apo proletare me italianët, jugosllavët, rusët. Për t’i bërë më pas të gjithë armiq.
Pas rënies së komunizmit u zhvendos edhe folklori. Vendin e udhëheqësve të vendeve komuniste e zunë liderët e kapitalizmit: Bushi, Klintoni e me radhë. Edhe kënga shkon andej nga është fuqia, paraja dhe interesi. Dhe populli shqiptar, ashtu trim e liridashës, kur nuk ka qenë me pushkë në dorë, me gërnetë dhe dajre ka ditur t’u këndojë perandorëve, mbretërve, fuqive të botës.
Stacioni më i ri i këtij turbofolku është një grup mallkastriot që ia ka marrë me iso për sulltanin e ri të Turqisë, Rexhep Erdoganin. Një spital në Fier, që do bëhet me urgjencë para zgjedhjeve të 25 prillit, siç i premtoi kryeministrit Rama presidenti turk, i ka angazhuar folkloristët fierakë për të bërë bashkë fjalë e tinguj për dhuratën e shtrenjtë nga Stambolli.
Meqë nuk është hera e pare, dhe as nuk mund të jetë e fundit, nevoja e një pyetjeje është e ashpër. Pse i këndojnë shqiptarët udhëheqësve të huaj, sidomos kur ata shihen, si në vendet e tyre ashtu dhe në pjesë të botës, si diktatorë, Mao Ce Duni për shembull, apo autokratë, siç është rasti i Erdoganit?
Së pari, sepse jemi një vend i vogël i mësuar me huqin e të vegjëlve: vasalitetin. Domethënë përuljen dhe servilizmin ndaj të mëdhenjve, frikën ndaj tyre.
Së dyti, sepse isot për Maon, Stalinin dhe Erdoganin nuk kanë qenë në fakt për ta, por për udhëheqësit shqiptarë të kohës. Vargjet për ta ishin servilizëm për Enverin, Berishën apo Ramën, për miqtë e tyre të mëdhenj nga bota e huaj, lidhje që i bënte edhe ata automatikisht ‘legjendarë’.
Kështuqë mallakastrioti Guri Rrokaj kur i këndon Erdoganit e ka me sulltanin, por edhe me vëllanë e tij këtu në Tiranë, Edin. E ka edhe me pafuqinë e vet përballë fuqisë së të tjerëve, dhe pafuqia nuk shprehet me asgjë më mirë se me anë të adhurimit.
Guri Rrokaj teksa do të bëjë ca para në dasmat e jugut duke kënduar edhe këngë për Erdon, na dëfton se isot për të huajt e fuqishëm janë edhe udhëkryqi ku jemi si komb. Krenarë kur duhet të tregojmë përunjësi dhe të përkulur rrafsh për tokë kur kryelartësi kërkohet prej nesh. Në fund të fundit, asgjë nuk e tregon shpirtin e një kombi më mirë se folklori. Sigurisht, na mbetet të durojmë dhe të mos lejojmë që tallavaja të futet në folklor.
Një disfatë e tillë megjithë mend do fliste keq për shqiptarët.