E dhimbshme, Isë!

Isa Mustafa dhe njerëzit rreth tij mund të gjejnë qindra arsyetime se pse vendosën të qeverisin bashkë me PDK’në, por asnjëra nga to nuk do të jetë bindëse. Jo për gjë tjetër, veç për faktin se ishte pikërisht Isa Mustafa ai i cili zotohej se do ta dërgonte Thaçin në shtëpi. Dhe është pikërisht Isa Mustafa ai i cili jo që nuk e përmbushi zotimin, por vendosi t’i bëhet palë atij në qeverisje. Me vendimin e tij për të qeverisur bashkë me PDK’në, Mustafa mund ta ndërrojë qeverinë, madje edhe ta udhëheq atë, por jo ta ndryshojë edhe qeverisjen. “Krimin dhe korrupsionin nuk mund ta luftojnë ata për të cilët ekspertët e NATO’s kishin konstatuar se i përkasin rrjetit të krimit të organizuar”, thoshte ai për PDK’në. Paramendoni se çfarë gjasash ka ai dhe partia e tij që ta luftojnë krimin e korrupsionin, bashkë me njerëz që janë frymëzues e ekzekutues të këtyre dukurive. Vendimi i Mustafës është i dhimbshëm. Për të, për LDK’në, për ish-partnerët e Bllokut, për qytetarët. I dhimbshëm dhe i turpshëm.

* * *

Me vendimin për të bashkëqeverisur me PDK’në, Isa Mustafa dhe LDK kanë mashtruar dhe prerë në besë të gjithë ata që shpresonin se ky ishte lideri dhe kjo ishte partia e vetme që do të kishte mundësi të mos e lejonte vazhdimin e qeverisjes së PDK’së. Jo se edhe më parë nuk kishin dhënë prova të bollshme që nuk e mbajnë fjalën, por LDK ishte partia e dytë dhe, logjikshëm, i kishte gjasat më të mëdha për ta sfiduar të parën. Me këtë vendim Mustafa dhe LDK, po ashtu, kanë prerë në besë bllokun e partive që u bënë bashkë me qëllimin e vetëm rrëzimin e Hashim Thaçit. Ky mision dështoi pikërisht për shkak të apetiteve të tij për pushtet, pavarësisht se në fillim ideja ishte krejt tjetër.

Me këtë vendim, Mustafa dhe LDK kanë pranuar që të bëhen pjesë e lojës së Thaçit, për të çuar më tej jo idenë e zhvillimit të vendit, por të pasurimit personal dhe dhënies së privilgjeve për ata që s’e njohin as moralin, as parimet. Me këtë vendim, Mustafa mund t’i rehatojë në pushtet shumicën e bashkëpunëtorëve të tij të afërt, por jo t’i rehatojë në kushte të dinjitetshme jetese qytetarët e përvuajtur.

Me këtë vendim, Mustafa i ka mbyllur sytë përpara akuzave që vetë partia e tij ia ka bërë partnerit të tashëm qeveritar për vrasje politike. Për më tepër, ka vendosur ta vrasë veten dhe partinë e tij politikisht.

 

* * *

Se si di dhe mundet të qeverisë Isa Mustafa, model e keni Prishtinën. E keni edhe LDK’në. Nën menaxhimin e tij, kryeqyteti është shndërruar në një xhungël të vërtetë. Për shtatë vjet qeverisje, ai nuk ia ka dalë t’i rregullojë as gjërat e domosdoshme për jetë normale, siç janë trafiku urban, furnizimi me ujë e mbeturinat. Për vitet e udhëheqjes së LDK’së, ai i ka siguruar partisë humbje tri herë radhazi në zgjedhje, pa arritur ta reformojë e forcojë seriozisht atë. Tash ai mund të ketë shpëtuar nga dhënia e përgjegjësisë për dështimet. Si dështak që është, udhëehqja e qeverisë nuk është punë e vogël. Por, për mua nuk ka kurrfarë rëndësie se Isa Mustafa ose dikush tjetër nga LDK’ja do të jetë kryeministër. E papranueshme për mua është se ai do të bashkëqeverisë me njerëz të PDK’së – do të bashkëqeverisë me partinë e cila është simbol i krimit të organizuar, korrupsionit, kapjes së shtetit, dhunimit të shtetit. Andaj, nëse dëgjoni zyrtarë të LDK’së teksa thonë se vendimin e morën për të mirën e vendit, mos iu besoni. Ata janë vetëm gënjeshtarë, hipokritë. Ata janë dështakë. Për të mirën e vendit nuk qeveriset bashkë me PDK’në.

Veprimin e Isa Mustafës do të mund ta bënte edhe Ramush Haradinaj. Por, e bëri Mustafa dhe ai e meriton gjithë zhgënjimin e atyre që te Blloku kishin parë një grimë shpresë se gjërat mund të ndryshojnë sadopak. Këtë shpresë e shoi Mustafa. Mbase i është mbushur mendja se gjërat mund t’i ndryshojë më mirë bashkë me Hashim Thaçin. Vendimin lapidar tashmë e ka marrë. Por, pa dashur të paragjykohet, Mustafa ka dhënë prova të mjaftueshme se sa dhe si mund të kryejë punë. E kjo do të jetë edhe më e vështirë në partneritet me ata që, po ashtu, kanë dhënë prova se deri ku mund të shkojnë me veprimet e tyre ”në të mirë të vendit”. Me ata që na kanë dëshmuar se në çfarë mënyre dhe me çfarë mjetesh “kryejnë punë”.

“Express”

SHKARKO APP