E megjithatë Vuçiç bëri mirë që vajti në Srebrenicë…
Nga Skënder Minxhozi/
Skenat e goditjes më gurë e sende të forta të kryeministrit serb në Srebrenicë, ishin lajmi i ditës në mediat botërore. Skena të rënda, por të parashikueshme, për një prezencë që nuk mund të mos ishte e mbarsur me tension dhe urrejtje etnike.
Kreu i qeverisë së Serbisë po shkelte në “Mekën” e konfliktit etnik në ishJugosllavi, në vendin që u la me gjakun e mbi 8000 burrave e fëmijëve muslimanë, nga dora e serbëve të Bosnjes. Vetë Vuçiç e ka ditur ku po shkon dhe sesa i vështirë e i komplikuar do të ishte për të ceremoniali i 20 vjetorit të masakrës së Srebrenicës. E megjithatë Aleksandër Vuçiç bëri shumë mirë që vajti në përkujtimin e masakrës së Srebrenicës.
Përndryshe Serbia e sotme do të vijonte të mos kishte në dorë argumenta bindës, se është ndryshe nga regjimi i dikurshëm që shfaroste civilët e etnive të tjera. Qeverisja e sotme e Serbisë është një grumbull frymëzimesh të kundërta, vizionesh kontradiktore dhe linjash që shpesh ndahen e
bashkohen, ku aspirata integruese në BE dhe NATO përplaset me tundimin filorus ose me remineshencat e së shkuarës millosheviçiane. Vuçiç pretendon të përfaqësojë linjën më europianiste që egziston sot në politikën serbe. Si i tillë, ai duhet të jepte një provë të fortë dhe duket se e dha. Qoftë edhe duke marrë mbi vete gurët dhe urrejtjen e një populli të martirizuar, i cili i ka ende të freskëta plagët e konfliktit më të tmerrshëm etnik në Europën e Pasluftës së Dytë Botërore. Një politikan duhet të dijë edhe të presë mbi vete gurët dhe fyerjet, për të mbrojtur bindjet dhe veprimet në të cilat beson. Vuçiç e bëri këtë dhe përtej emocionit që shkaktoi kjo ditë, serbët dhe boshnjakët kanë mes tyre tashmë një gjest, apo më mirë një tentativë shtensionimi që nuk ka qenë më parë. Është një gur që sot duket i vogël e i parëndësishëm, por që është gjithsesi aty, për të ngritur një urë bashkimi dhe për të ndërtuar një të ardhme të ndryshme nga e shkuara dhe e tashmja.
javanews.al