E para është toka, pastaj aktiviteti bujqësor
Ne duhet t’i kushtojmë një vëmendje të posaçme sektorit të statistikave. Statistikat në vendin tonë në të gjithë sektorët, por kryesisht në sektorin e bujqësisë, janë të ekzagjeruara, për të mos thënë të shtrembëruara…
Nga Gjovalin Gjeloshi
Bashkia Lezhë ka një vijë bregdetare prej rreth 28 km në bregdetin Adriatik që nga Rana e Hedhun deri në lumin e Matit. Bashkia ka 10 njësi administrative me një popullsi rreth 134 mijë banorë. E veçanta është se popullsia e bashkisë sonë jeton më tepër në zonat rurale (rreth 60 për qind) se sa në zona urbane (40 për qind). Të gjitha strategjitë e zhvillimit të njësive lokale të hartuara në vite të mëparshme, trajtojnë e theksojnë si sektorët më të rëndësishëm të rrethit bujqësinë e turizmin dhe një kombinim të të dyjave.
Fillimisht në këtë konferencë ndërkombëtare, përpara se të trajtojmë shkurtimisht gjendjen dhe perspektivën e pemtarisë në rrethin tonë, po sjellë disa probleme që më shqetësojnë. Së pari; efektiviteti i organizimeve dhe shpenzimeve të tilla. Për 20 vite me radhë njësitë tona vendore harxhuan me dhjetëra mijëra dollar për të hartuar strategji shumëvjeçare të zhvillimit. Të gjitha bashkitë e komunat, nga ato më të voglat e deri të mëdhatë harxhuan kohë e mjete financiare. U harxhuam mijëra ton letër me lustër, libra me peshë të rëndë e me foto me ngjyra të ilustruara që kushtonin miliona dollar. Këto strategji nuk vlejtën për asgjë. As vetë nëpunësit e administratave lokale nuk i lexuan. Nëse ne sot fillojmë një 20- vjeçarë të dytë për të bërë shpenzime të tilla të pabereqetshme, do të ishte një humbje shumë e madhe kohe dhe parash.
Së dyti; në të gjithë këtë diskutim që bëjmë sot në këtë konferencë, për një zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e frutikulturës, duke përfshirë treguesit cilësorë e sasiorë etj, ne nuk duhet të harrojmë se ky aktivitet, ky agrobiznes etj, zhvillohet në tokë. Qoftë edhe një mm sipër tokës nuk zhvillohet asgjë, asnjë bimë, asnjë pemë. Pra pikë së pari duhet të luftojmë të gjithë bashkë për të mbrojtur e ruajtur tokën e pjellorinë e saj, pastaj të mendojmë e të planifikojmë të zhvillojmë një aktivitet bujqësor. Në Shqipëri, sidomos në territorin ku shtrihen bashkitë tona si Shkodra ashtu edhe Lezha, toka po vuan nga lagështira e tepërt dhe nevojitet në mënyrë të ngutshme ndërhyrja për një kullim, për të mos thënë, ribonifikim të saj. Po kështu edhe tokat kodrinore ku më së shumti shtrihet zona e pemtarisë, duhet të mbrohet nga erozioni, i cili kohët e fundit është bërë i frikshëm e po gëlltit dhjetëra ha toka në këto zona.
Tjetër ç’ka dua të nënvizoj është infrastruktura e dobët në zonat ku mund të zhvillojmë pemtarinë, qofshin këto fshatra në thellësi të territorit si Krajën, Fishtë, Troshan, Bërzanë etj, por edhe ato që shtrihen në afërsi të rrugëve nacionale siç është p.sh zona e Torovicës. Dhe së fundmi, ne duhet t’i kushtojmë një vëmendje të posaçme sektorit të statistikave. Statistikat në vendin tonë në të gjithë sektorët, por kryesisht në sektorin e bujqësisë, janë të ekzagjeruara, për të mos thënë të shtrembëruara. Qysh me shthurjen e ekonomisë së planifikuar, ekonomi në të cilën mund të flasim për statistika rigoroze të cilat i gjeneronte vet sistemi, në vitet e mëvonshme vetëm sa janë mbushur formularë të pasaktë. Statistikat janë njohje e gjendjes. Nëse gjendjen e njohim gabim dhe statistikat janë të shtrembëruara, atëherë edhe planifikimet e strategjitë tona në këtë fushë do të kenë të meta.
Sektori i frutikulturës në Bashkinë Lezhë zë një pjesë të konsiderueshme të sektorit të bujqësisë dhe është kthyer në sektorët me rentabël të bujqësisë. Kjo lidhet edhe me kushtet klimatiko-tokësore të përshtatshme që ka rrethi i Lezhës dhe me mundësinë e madhe të daljes në treg dhe të konvejerit të zgjatur të këtyre produkteve gjatë gjithë vitit. Në retrospektivë: në vitin 1990 sipas vjetarit statistikor të Republikës së Shqipërisë, Bashkia e Lezhë (rrethi Lezhë) kishte 164 mijë pemë drufrutore nga të cilat 105 mijë rrënjë në prodhim me një sasi prodhimi vjetor 14 mijë kv me një rendiment mesatar 13.3 kg për rrënjë. Në ullishte trashëguam 35 mijë rrënjë nga të cilat 17 mijë rrënjë në prodhim, me një prodhim vjetor njëmijë kv, me rendiment mesatar 5.9 kg për rrënjë dhe në Vreshtari trashëguam një sipërfaqe prej 210 ha, me një prodhim prej 3 mijë ton, që i takon 143 kv/ha.
Pas dëmtimeve që pësoi frutikultura në fillim të viteve 90-të, me privatizimin e tokës pati disa përpjekje sporadike për të ringritur këtë sektor. Dhe duhet thënë se gjatë të gjithë kësaj periudhe, ky sektor nuk u ndihmua nga shteti. U desh të vinte viti 2007 që qeveria të kthente faqe e të drejtonte sadopak sytë nga bujqësia. Kështu në vitet 2007 deri ne vitin 2013, me subvencionimet që u realizuan, sipërfaqja e mbjellë me kultura drufrutore dhe ullishte është rritur ndjeshëm. Numri i fermerëve përfitues nga këto skema ka qenë i konsiderueshëm. Gjatë kësaj periudhe (2007-2013) ka pasur vite ku numri i fermerëve që kanë përfituar nga këto skema ka shkuar deri në 130.
Madhësia e fermave varijon nga 4-5 dyn, por ka edhe ferma me sipërfaqe nga 6-8 dyn e më tepër. Shpërndarja gjeografike e mbjelljes së këtyre kulturave është në të gjitha njësitë vendore të zonës fushore me kulturat: pjeshkë, kumbullë, dardhë, qershi etj, duke vazhduar me ullirin, kryesisht në zonën kodrinore, me shtrirje nga Krajni deri në Bërzanë, zonë që shtrihet me kundrejtim nga perëndimi, tipike per kultivimin e ullirit. Kjo vertetohet edhe me prezencen e ullinjëve shekullor në të gjithë këtë hapësirë, që mund ta konsiderojmë si “Kurora e praruar e Lezhës”. Ndër ullinjtë autokton kryeson lloji i ullirit “Kallmet” si kokërrmadh për ngrënie ashtu edhe kokërrvogël për përpunim për vaj. Përveç zonës fushore të Lezhës dhe kodrinore të masivit Krajën-Bërzanë, Lezha ka edhe një Njësi Administrative kryesisht me toka malore-kodrinore, Ungrejin e destinuar kryesisht për drufrutorë të tillë si: mollë, arrë, gështenjë, lajthi, qershi etj.
Duke mos pretenduar për shifra shumë të sakta, edhe pse janë të dhëna që vijnë nga INSTAT, me burim Ministrinë e Bujqësisë (Drejtorinë Rajonale), sot gjendja e frutikulturës dhe ullishtarisë në Bashkinë Lezhë është si me poshtë:
1.Pemë frutore gjithsej mbi 133 mijë rrënjë. Nga këto në blloqe janë rreth160 ha me afërsisht 68 mijë rrënjë. Në prodhim janë mbi 85 mijë rrënjë. Në pranverën e vitit 2016 janë mbjellë vetëm 2500 rrënjë pemë frutore të reja.
- Ullinj ka rreth 115 mijë rrënjë dhe nga këto rreth 75 mijë rrënjë janë në blloqe me rreth 180 ha. Në vitet 2007-2013 kur subvencionoheshin mbjelljet e kësaj kulture dhe veçanërisht pas vitit 2009 kur u shpall nga qeveria “Berisha” aksioni kombëtar për ullirin, në rrethin e Lezhës u mbollën mbi 120 ha ullinj. Ç’ka është më e rëndësishmja, përqindja e zënieve ishte e shkëlqyer. Kjo sipërfaqe u mboll pothuaj në të gjithë zonën, ku është i rajonizuar ulliri nga Krajën deri në Zejmen, por sipërfaqe modeste u mbollën edhe jashtë këtij brezi si në zonën fushore të Shënkollit apo edhe në zonën malore të Torovicës. Në vitin 2016 janë mbjellë vetëm njëmijë rrënjë ullinj ose e përkthyer në sipërfaqe, vetëm dy ha.
- E veçanta e këtyre viteve është se në territorin e Bashkisë Lezhë janë mbjellë mbi 20 mijë rrënjë agrume, kur përpara vitit 1990 janë trashëguar ekzemplarë të rrallë të këtyre bimëve. Nisur nga ecuria e mirë e agrumeve në rrethin e Lezhës, pothuaj në të gjithë territorin, vijmë në përfundim se këto kultura shkojnë shumë mirë dhe janë të përshtatura me kushtet klimatike-tokësore të rrethit të Lezhës, kryesisht mandarina, por edhe portokalli e më pak limoni.
- Në këto 20 vitet e fundit janë kultivuar edhe bimë që nuk kanë qenë të njohura, jo vetëm në territorin e bashkisë sonë, por edhe në të gjithë vendin. Një ndër këto bimë është bima e kivit, e cila është përshtatur mirë me kushtet klimatike e tokësore të rrethit tonë. Kjo bimë është e mbjellë kryesisht në mënyrë sporadike dhe më pak e përqendruar në një sipërfaqe modeste, rreth 4-5 ha.
- Me më shumë probleme mbetet sektori i vreshtarisë, i cili në rrethin tonë ka rënie duke krahasuar me 1990: nga 210 ha në 160 ha. Edhe mbjellje të reja ka pasur vetëm në vitet e para të subvencionimeve 2007-2010. Edhe pse ishte në listën e subvencioneve, ajo nuk i tërhoqi shumë fermerët, sepse kostoja e një ha vreshtë është gati pesë herë më e lartë se sa subvencionimi që jepej. Pas vitit 2010 deri më 2013 që vazhduan subvencionimet, numri i aplikimeve për vreshtarinë ka rënë në minimum.
- Në territorin tonë funksionon edhe një fidanishte e prodhimit të fidanëve frutorë të të gjitha llojeve: pemë frutore, ullinj, agrume etj. Ashtu siç zhvillojnë aktivitetin edhe dy punishte të prodhimit të vajit të ullirit, përkatësisht një në Krajen dhe tjetra në Kallmet; të prodhimit të verës etj. Duhet përmendur edhe fabrika e përpunimit të frutave dhe perimeve “Amarilto”, e cila prej vitesh e zhvillon aktivitetin e vet në Pllanë të Lezhës. Kjo fabrikë ka krijuar mundësi të mëdha për fermerët, të cilët prodhojnë fruta, perime dhe ullinj me sasi të konsiderueshme e këto prodhime të mos mbeten pa u tregtuar.
*Diskutim në Konferencën Ndërkombëtare organizuar nga Këshilli i Qarkut Shkodër në bashkëpunim me AER