E vërteta e padurueshme e Srebrenicës
Para 20 vitesh është kryer në Srebrenicë krimi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore. Viktimat dhe familjarët e gjenocidit po instrumentalizohen politikisht, ndërsa kriminelët nuk e pranojnë fajin.
Vendi i tmerrit
Edhe 20 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë po përshkohet me lojëra cinike në skenën e madhe politike, të të ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare. Rusia e ka bllokuar me veton e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë. Përpjekjet hipokrite të ambasadorit rus në OKB, që të shpjegojë refuzimin, përputhen shumë mirë me përçmimet e viktimave. E tillë ka qenë edhe kumtesa e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, i cili thotë se dita e refuzimit të rezolutës është një "ditë e madhe për Serbinë" dhe se Rusia është dëshmuar edhe një herë si mik i madh i Serbisë.
Një cinizëm të këtillë nuk mund ta tejkalosh. Rezoluta është dobësuar disa herë me kërkesën e Rusisë dhe me qëllim të marrjes parasyshë të qëndrimeve të Serbisë. Megjithatë në fund u refuzua. Vetoja e Rusisë ishte vota e vetme kundër. Në këtë mënyrë ajo refuzon një krim i cili kaherë është dëshmuar juridikisht. Në vitin 2007, Tribunali i Hagës i ka quajtur veprimet dhe planet e udhëheqësisë politike dhe ushtarake serbe në Srebrenicë si një gjenocid.
Srebrenica megjithatë është vetëm maja e një lufte të përgjakshme dhe shkatërruese në Bosnjë-Hercegovinë, të cilën udhëheqësit e atëhershëm serbë e kanë drejtuar me një bindje të thellë. Pokaq të bindur në këtë luftë kanë qenë edhe udhëheqësit e atërhershëm në Beograd, të cilët e kanë mbështetur këtë luftë ushtarakisht, politikisht dhe me logjistikë. Ditët e kaluara kanë dëshmuar se këto ndërlidhje ende ekzistojnë. Vetëm qëllimi kryesor është shtyrë. Tani detyra e tyre kryesore është mohimi kolektiv i këtij krimi të përgjakshëm, të përgatitur dhe dokumentuar mirë. Në këtë mënyrë pengohet pajtimi mes boshnjakëve dhe serbëve.
Myslimanët e Bosnjës kanë pasur numrin më të madh të viktimave në Bosnjë-Hercegovinë. Ata ndjehen si fitues moral, jo vetëm për shkak të Srebrenicës. Me mohimin dhe relativizimin e gjenocidit, atyre u bëhet me apo pa vetëdije, edhe më e qartë kjo fitore. Shumë serbë në Bosnjë-Herdegovinë dhe në Serbi – edhe ata të cilët nuk e mohojnë këtë krim barbarë – kanë probleme të mëdha me përdorimin e fjalës "gjenocid", sepse kjo nënkupton fajin kolektiv. Ata mendojnë se Srebrenica është një topuz i fuqishëm moral, të cilin myslimanët e Bosnjes e instrumentalizojnë shpesh. Madje edhe qarqet më të moderuara në opinionin serb pohojnë se duhet vënë vizë njëherë e përgjithmonë thirrjeve për kërkim falje.
Ndërkohë që heshtet se në Bosnjen Lindore edhe më tej po zbulohen varreza masive. Ende ka nëna të cilat nuk e dinë se ku i kanë bijtë e tyre, sepse trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë. Është një tallje e thjeshtë nëse nga këto nëna kërkohet që tua falin fajin vrasësve. Kujt duhet t'ia falin, nëse vrasësit nuk kanë kërkuar falje? Kur fëmijët serbë nëpër shkolla në Srebrenicë edhe më tej e festojnë dhe i këndojnë Ratko Mlladiqit. Kur në dasmat serbe në disa vende ende barten fotografitë e Ratko Mlladiqit dhe Radovan Karaxhiqit. Njerëzit e këtillë nuk duan falje dhe pajtim. Ndërsa të vërtetën nga Srebrenica nuk mund ta durojnë.
Edhe për këtë shkak ky vend i vogël i Ballkanit do të ketë për një kohë të gjatë kujtime të freskëta nga dështimi i tmerrshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Ky masakër mbetet pika më e ulët e civilizimit në historinë e re evropiane. Edhe për një kohë të gjatë kjo do të na kujtojë se sa e brishtë është paqja në Evropë. Ndërsa refuzimi i Rusisë në KS të OKB dëshkon se disa nuk kanë mësuar asgjë nga e kaluara.