Edhe pas Albinit, Albini!

Nga Berat Buzhala

Çfarë fshihet në fakt prapa Letrës së Kurtit drejtuar Planetit Tokë? A është Visar Ymeri, djali i tezës së Shpend Ahmetit, kukulla më e madhe politike në Republikën e Kosovës?

Për të satën herë më radhë më duhet të përsëris se shtagën e standardëve demokratike për Lëvizjën Vetëvendosja, në raport me partitë e tjera, qëllimshëm e kam më të lartë.

Në fakt nuk është që e kam vënë unë. Ata, me duar të tyre, vetes vazhdimisht ia ngrisin standardin, duke përqeshur dhe tallur secilin subjekt tjetër në vend. Duke e konsideruar veten të jashtëzakonshëm.

Në këtë linjë, po mbes me shpresë që nuk jeni treguar aq idiotë sa të mos e keni lexuar një letër të hapur që Kryetari në largim i VV'së, Albin Kurti, u ka dërguar përkrahësëve.

Qe një fjali apokaliptike e Kurtit drejtuar Planetit Tokë:"E kuptoj brengën e shumë prej jush – se a thuaҫka mund të ndodhë me Lëvizjen pa mua si kryetar i saj".

Prej kësaj fjalie e kuptojmë se çfarë kryqi të rëndë është duke bartur mbi supet e tij Kurti, si Kryetar i Lëvizjes.

Tek"pa mua si Kryetar"edhe fshihet, e njekohesisht edhe shpjegohet gjithçka. Posaçërisht e shohim dramaticitetin dhe kompleksitetin e zhvillimeve, në mendjen e Kurtit dhe shokëve të tij.

Letra e Kurtit vazhdon, si më poshtë:"Unë kam besim të pamatshëm në Lëvizjen dhe në të gjithë juve. Nuk mund të ketë vështirësi që na ndalin a sulme që na zmbrapsin".

Ky është momenti kur Kurti u jep zemër miliona përkrahësve, anë e kënd botës. Tek ai flet për vështirësi dhe për sulme, njeriu e imagjinon Bashkimin Sovjetik me qindra miliona banorë, duke u kacafytur sa më varfërinë e miliona njerëzve, sa më sulmet e të gjitha natyrave. Pra, kjo është një fjali që Lideri e lexon në Kongres, ku marrin pjesë delegatë që vijnë prej pesë gjashtë zonave kohore të ndryshme. Nëse në shtëpinë e njërit delegat është mëngjes, në shtëpinë e tjetrit është darkë. A po kuptohemi?

Dhe gradualisht lëshohemi te drama. Aty ku Kurti, në fjalimin e tij, e vë theksin. Aty ku ne e shohim 'dritën në fundin' e tunelit. Aty ku zemrat fillojnë të na rrahin shumë më shpejt dhe nëpër sytë plot me lot shpërthen edhe një buzëqeshje e shpresës.

"Ky vendim është i jashtëzakonshëm. Sepse unë i përkas një Lëvizjeje të jashtëzakonshme siҫështë VETËVENDOSJE! Unë s’kam qenë asnjëherë kryetar i zakonshëm. Dhe, tash, s’mund të jem zakonshëm kryetar".

Pikë.

Ky është ai momenti kur një Kontinent, ose dy, ngrihen në këmbë. Për minuta të tërë vazhdon duartrokitja në sallën e stërmbushur me përfaqësues popullor. Kurse Lideri ngrit duart duke kërkuar që të lejohet të vazhdohet deri në fund. Mirëpo, nuk ka kushte. Lotët dhe buzëqeshjet janë përzier. Delegatët përqafohen në sallë, baba me të birin para ekrenit televiziv, e kalimtarët e rastësishëm që po e përcjellnin live ngjarjen prej ekraneve në rrugë.

"Shteti republikan për drejtësi dhe bashkim dhe socialdemokracia për zhvillim e barazi nuk kanë alternativë. VETËVENDOSJE! është alternativa! Përzëmërisht, Albini".

Ka mundur të përmbyllet edhe me: Edhe pas Albinit, Albini.

Në fakt Visari, nominalisht, por Albini faktikisht.

E tash, anash gjithë këtyre fjalëve të tepërta: çfarë bëri realisht Lëvizja Vetëvendosja?

Unë mendoj që e vuri në skenë kukullën më të gjatë politike në vend, z. Visar Ymeri.

Çfarë ironie, ka qenë pikërisht LVV që ka folur gjatë kundër modelit Putin – Medvedev, e tash po e bën saktësisht aktin e njëjtë politik. Nuk është aspak sekret të thuhet se ambiciet e një krahu të FER'istëve ishin që pasi Kurti ta shpenzonte edhe mandatin e fundit trevjeçar, radha do t'iu vinte atyre që ta marrin partinë në duar të tyre. Mirëpo, ja që Kurti nuk jep 'drekë falas' për askënd. E detyori Shpend Ahmetin, që nëse kishte ambicie për ta marrë partinë, ketë ta bëjë pas së paku gjashtë vitesh. E deri atëherë nën urë do të kalojë shumë ujë. E njëkohësisht, në teatrin e tyre të kukullave, si kukëll kryesore e vuri Visar Ymerin, djalin e tezës së Shpend Ahmetit. Sigurisht se një akt i tillë e amortizon deri në njëfarë mase paknaqësinë e 'djemve dhe çikave të shehrit', të cilët do të donin ta shihnin si Kryetar Partie, qoftë edhe si kukëll, qiftin e Shpendit dhe Dardanit. Kurse në anën tjetër, përcaktimi për Visarin gjithashtu blen paqe edhe me radikalët, siç mund të jetë, bie fjala, Dardan Molliqaj, i cili ishte përfolur si një zëvendësim i Kurtit, marrë parasysh edhe për suksesin e treguar për t'i përngjarë, në mes tjerash, edhe fizikisht.

Pra, thënë ndryshe, prapa atyre fjalëve të mëdha, që mund të përdoren edhe për ndryshimin e botës, nuk fshihet asgjë tjetër, pos ca kalkulimeve të rëndomta politike. E pse jo edhe të pista.

Nuk kishte asgjë fisnike prapa kushtrimit të Kurtit.  

SHKARKO APP