Edhe sa njerëz duhet të vdesin, përpara se të ndërhyni?

Senatori i famshëm republikan, e krahasoi refuzimin e zonjës Merkel në lidhje me furnizimin me armë të Ukrainës, me politikën e “Appeasement”-it që u ndoq kundrejt Gjermanisë nga ata që më vonë i shpallën luftë, para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pak para takimit të kancelares gjermane Angela Merkel me presidentin rus, Vladimir Putin, senatori republikan amerikan, John McCain, e ka kritikuar shumë ashpër “zonjën e hekurt” të Evropës.

Kryetari i Komitetit të Sigurisë e Forcave të Armatosura në Senatin amerikan, e krahasoi refuzimin e zonjës Merkel në lidhje me furnizimin me armë të Ukrainës në një intervistë që ai pati në kanalin e dytë TV publik gjerman ZDF, me politikën e ashtuquajtur të “Appeasement”-it, apo qetësimit e të paqtimit, që u ndoq kundrejt Gjermanisë nga ata që më vonë i shpallën luftë, para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ai tha se “sjellja e saj të kujton politikën e viteve ’30″.

“Ajo mos dëshiron vetëm të shohë?”

Sjellja e Evropës në konfliktin në Ukrainë për senatorin është një zhgënjim i madh, “por unë kam pritur tjetër gjë”, tha McCain në një intervistë, e cila është regjistruar dje e që pritet të transmetohet sot në mediat gjermane, raporton Bota Sot.

“Kur sheh qëndrimin e qeverisë gjermane, mund të mendosh se ajo nuk ka kurrfarë ideje nga kjo punë, ose kjo punë për të aq i bën, aq i bën që njerëzit në Ukrainë po vriten e sakatohen përditë. Unë do ta pyesja një herë kancelaren, se edhe sa njerëz do të duhet të vdesin në Ukrainë para se ne të ndërhyjmë me ndihma, për t’i mbrojtur ata?”, tha senatori me shumë ndikim nga radhët e republikanëve, që njihet edhe si kritik i Obamës.

“A nuk e di ajo se nga vijnë armët dhe trupat ndihmëse për separatistët?”

McCain e akuzoi Merkel se i mungon dëshira për veprim dhe se është tejet pasive:

“A mos dëshiron ajo vetëm të shohë se si një vend në Evropë, për herë të parë nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, po këputet në mes?”.

Ndërkaq, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, duket se ka mëdyshje rreth gatishmërisë së presidentit rus Putin për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin.

“Rusia nuk duhet lejuar të riformatojë sërish hartën evropiane”, tha Biden pak orë para takimit të shefit të Kremlinit me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, François Hollande, në Bruksel.

Sipas Biden, Putin akoma po citon me zë të lartë “plane paqësore, por trupat e tij po zbarkojnë në tokën ukrainase dhe ai injoron të zbatojë çdo marrëveshje që vendi i tij ka nënshkruar në të shkuarën, në mënyrë absolute”.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duhet të qëndrojnë të bashkuar dhe të mbështesin qeverinë ukrainase, financiarisht dhe politikisht.

SHKARKO APP