Edhe socialist, edhe i pasur?
Nga Nesrine Malik
(The Guardian)
Në mes të shekullit të 20-të, në shumë vende të Afrikës koloniale dhe në botën arabe nisi të zhvillohet një lëvizje socialiste. Qëllimi i lëvizjes në botën arabe ishte arritja e lirisë duke luftuar imperializmin, kundërvënia ndaj klasave sundimtare dhe lufta për drejtësi shoqërore. Përbërësi ekonomiko-shoqëror, edhe pse shumë i rëndësishëm, shihej si i lidhur drejtpërsëdrejti me një çështje më të gjerë, atë të nacionalizmit dhe të çlirimit nga kolonizatorët e nga elitat që ata ushqenin.
Kjo lëvizje, edhe pse angazhoi anëtarë të ndryshëm të shoqërisë, qortohej shpesh nga ideologët socialistë se nuk i përmbahej mendimeve të socializmit, pasi këto vende nuk e kishin arritur ende nivelin e industrializimit dhe të shfrytëzimit kapitalist që kërkonte materializmi dialektik. Socialistët sulmoheshin edhe nga konservatorët si “sabotues të elitave”. Ana më ekstreme e komunizmit arab ishte përkushtimi ndaj laicizmit. Kjo ishte mënyra më frytdhënëse për të delegjitimuar partitë socialiste: “komunist” u bë sinonim me “ateist”, dhe sigurisht “i pafè”. Ky sulm ishte aq i suksesshëm, sa dikush nuk mund të quhej socialist pa vënë në dyshim fenë.
Kjo është ajo që më vjen ndërmend sa herë dëgjoj shprehjen “socialist shampanje”. Ashtu siç ishte e mundur të bëheshe socialist arab pa qenë ateist i shfrenuar (jo se kishte ndonjë rëndësi), po ashtu është e mundur të jesh socialist dhe i pasur, ose të paktën në gjendje të mirë. Ashtu siç përpiqeshin ta rrëzonin socializmin me idenë e të qenit të pafè, ideja se socializmi është vetëm për të varfrit e për të shtypurit u ngjall interes përpjekjeve për të delegjitimuar dhe për të diskretituar lëvizjet socialiste që drejtohen nga persona që nuk janë të varfër, duke i quajtur hipokritë.
Sugjerimi që s’mund të jesh socialist nëse s’je veshur me rrecka e nëse s’e qëllon veten me kamxhik sa herë që shijon një makijato (makiatoja është pija e re që zëvendëson shampanjën), jo vetëm që është diçka absurde, por ka një qëllim të pastër: minimin e vlerave socialiste duke ngritur kërkesën e pamundur, atë që veprimet e një personi duhet të jenë në përputhje të plotë me bindjet e tij politike, gjatë gjithë kohës.
Kjo është si të sulmosh një kapitalist se pse po jep para për bamirësi. Imagjinoni, jo vetëm që do të analizoheshin shpenzimet e politikanëve të majtë për apartamentet dhe shkollat e shtrenjta private, por do të dërgoheshin fotografë që të kapnin politikanë të djathtë duke i dhënë para një lypësi. Imagjinoni titullin: “Kapet konservatori duke dhënë paratë tuaja për bamirësi”. Kjo s’mund të ndodhë, apo jo?
Sigurisht, socialistët e makijatos janë të mërzitshëm. Ata vetëm flasin për të pastrehët në vend që të hapin llogari bankare për strehat e të varfërve, apo në vend që të punojnë vullnetarë. Njerëz për të cilët socializmi është përshkrim i karakterit personal, bashkë me tatuazhet dhe një vit punë vullnetare për të mësuar fëmijët me ngjyrë se si të vendosin një foto profili në Facebook. Por, sipas tyre, kjo nuk po ndodh ngaqë pasuria e tyre mundëson që të vihen në zbatim vlerat socialiste, qoftë dhe në mënyrë formale, por sepse janë narcizistë.
Socializëm nuk do të thotë që do t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga pasuria apo nga përpjekjet për të fituar parà. Thelbi i socializmit është që jeta të bëhet më e drejtë, që të merren masa kundër strukturave që e manipulojnë sistemin në favor të një pakice. Nuk do të thotë të hiqet individi, një specie në zhdukje, sipas konservatorëve.
Ata të së djathtës e kanë aq neveri kolektiven, sa edhe skandali “Windrush”, nëpërmjet përpjekjeve mbresëlënëse të Jacob Rees-Mogg-ut për ta shtrembëruar, mund t’i atribuohet socializmin. “Problemi i Windrush u krijua pasi shteti vendosi interesat kolektive para interesave individuale të atyre personave që kishin ardhur në mënyrë të ligjshme para vitit 1973, dhe ishte më e leverdishme për Ministrinë e Brendshme që t’i detyronin të vërtetonin se cilët ishin duke treguar dokumente. Ky është socializmi.” Sipas këtij përkufizimi, të rrish në radhë quhet socializëm.
Kur e kupton thelbin e meritave të socializmit, nëse s’të vjen natyrshëm, sheh se përkujdesja ndaj gjërave kolektive është e rrënjosur në interesin që ka individi për veten. Një shoqëri me pabarazi ekstreme nuk mund të qeveriset siç duhet. Mendoni pak Afrikën e Jugut pas aparteidit. Familjet e të bardhëve ndërtuan fortesa që të mbroheshin kundër atyre që i shihnin si egërsira të popullatës zezake, që tani ishin zgjidhur nga zinxhiri i aparteidit. Të pasurit nuk e kuptonin që aparteidi ishte ajo që e krijoi rrezikun, duke krijuar dy shoqëri të ndara në mënyrë aq të pabarabartë, sa konflikti dhe shpërndarja e detyrueshme e pasurisë ka qenë e pashmangshme.
Kur një pjesë e madhe e shoqërisë nuk gjen dot punë, nuk ka mbrojtjen që u jep shëndetësia bazë, nëse nuk gjen dot strehë apo ushqim, atëherë strukturat nisin të thërrmohen. Kjo nuk është për të shfajësuar vjedhjen, por të krijosh rezerva për të pasurit dhe të presësh që të varfrit të vuajnë urinë me nënshtrim dhe pa dinjitet, është diçka jashtë realitetit.
Megjithatë, socialistët akuzohen se janë jo-realistë, se nuk kuptojnë natyrën njerëzore. Se nuk kuptojnë që paratë vijnë nga diku, dhe se “nuk të shoh ty, o sinjalizues virtytesh, që mban një telefon të shtrenjtë, të heqësh dorë nga gjërat e tua. E quan veten socialist?”
Të pyesësh nëse njeriu mund të jetë edhe socialist, edhe i pasur, është si të pyesësh nëse një grua mund të jetë edhe feministe, edhe shtëpiake. Të besosh në vlera politike apo shoqërore nuk do të thotë që duhet të jetosh si murg, t’i përkushtohesh çështjes për çdo minutë të ditës. Por do të thotë që duhet të ketë një mënyrë nëpërmjet të cilës, qëllimi kryesor i feminizmit apo socializmit, që është barazia, të vazhdojë të përparojë. S’ka rëndësi se sa pak po kontribuon me stilin tënd të jetës, sipas atyre që të shohin vetëm në pamje të jashtme, për sa kohë që ndikon sadopak që të ruhet drejtimi i duhur.
Historiani Bernard Ljuis, ka shprehur (plot qortim): “Asnjeri nuk duket se ka fjalë të mira për të thënë për socializmin arab. Elementë nga shtresa e mesme e tregtarëve dhe profesionistëve përdorin kundër socializmit arab të njëjtat ankesa që janë përdorur kundër socializmit në vendet perëndimore. Të majtët e shohin socializmin arab me përçmim, si një kompromis të padobishëm, të bërë pa qejf, e që nuk ka merita as nga socializmi, as nga kapitalizmi.”
Por kjo lëvizje solli një kuadër të fortë aktivistësh anti-kolonialë dhe politikanësh të periudhës së pas-pavarësisë, të cilët, edhe pse nuk përputhen ideologjikisht, duke qenë se vijnë nga shtresat elitare, kanë kontribuar në mënyrë domethënëse për këtë lëvizje. Ata kanë pirë shumë makijato nëpër kafenetë e rrugëve, një fakt që është spërdredhur nga armiqtë politikë si mënyra argëtimi për kritikë dembelë kolltukësh. Kështu që porositeni makijaton pa problem, sepse jeni pjesë e një tradite fisnike.