Edi, Elvisi dhe fabula e piktorit që fsheh kriminelin

Placeholder Image

Nga Andi Bushati

Këto ditë duke lundruar në internet, për të qëmtuar lidhur me skandalin e mafies së tokave në Kavajë, vëmendjen m’a tërhoqi një video shumë domethënëse e fushatës së vitit 2015, kur Edi Rama kishte shkuar të mbështeste Elvis Roshin.

Nuk është fjala për atë sekuencën e njohur kur kryeministri bën gallatë me opozitën, tallet me ligjin e dekriminalizimit, prodhon batuta përpara të rinjve socialistë me ndryshimin e emrit të beniaminit të tij dhe betohet solemnisht se mezi pret ditën kur Elvis – Ervisi të dali i bardhë si bora. Jo, në fakt bëhet fjalë për një tjetër video që i përket një kohe tjetër. Pikërisht kohës kur të dhënat për jetën e mëparshme të Elvis Roshit ishin zbardhur, kur ambasadori amerikan i kishte bërë më kot thirrje kryeministrit të mos rikandidonte njerëz me të shkuar të errët dhe kur siç po rrezulton tani, banda e Kavajës kishte nisur grabitjen e mëse 36 hektarëve tokë në bregun e detit të Spillesë.

Po t’i rikthehesh asaj videoje me optikën e sotme gjithçka duket më ndryshe. Sepse Rama i drejtohet njerëzve me thirrjen për të votuar për Elvis Roshin, duke u nisur nga një fakt i thjeshtë : nga efektet që ka pasur « Rilindja urbane » në Kavajë. Në sfondin e një kronike të parapërgatitur, ku duket monumenti i ri i Demokracisë, palmat e mbjella rishtas, pedonalja e sapo përfunduar, konkuzioni është : fjalët e tjera janë kot : njerëzit duhet të gjykojnë jo për atë që ndodh pas, por për fasadën e shkëlqyeshme që ne po ju paraqisim.

Pra, po ta shohësh me ftohtësinë e një ngjarjeje që ka ndodhur këtu e dy vite më parë, përfundimi është trishtues : Rama e ka përdorur “Rilindjen urbane” si një makiazh të fortë për të fshehur fytyrën e vërtetë të të mbrojturve prej tij. Dhe fatkeqësisht ky konkluzion nuk është një fenomen i izoluar në Kavajë. Po t’i marrësh ngjarjet një nga një, sa herë Edi Rama ka shpallur një lëvizje të bujshme, sa herë ai është shitur si rekordmeni i një gjëje të pa ndodhur më parë, sa herë ai është shitur si modern dhe rinovues nga mprapa është fshehur një hile e madhe.

Të gjithë e mbajnë mend ndryshimin e policisë, shkarkimin e barkdërrëve dhe mustaqellinjve për t’u zëvendësuar me djem e vajza të reja, që të kërdisnin me gjoba për rripin e sigurimit, zbatimin e semaforëve dhe çlirimin e trotuarëve nga makinat e deputetëve. Në fakt, paralelisht me këto, ndodhi edhe kriminalizimi më i madh i policisë dhe vënia e uniformave blu nën kontrollin e bandave. Të gjithë e mbajnë mend aksionin e bujshëm të pastrimit të kanabisit nga Lazarati dhe futjen e tankeve në fshatin rebel. Në fakt, ai qe vetëm preludi i lazaratizimit të gjithë Shqipërisë dhe hashashit që mbiu ngado.

Të gjithë e mbajnë mend përrallën e shëndetësisë falas dhe përgjërimin prej majtisti të thekur se njerëzit duhet të shërbehen në spitale edhe kur s’kanë të paguajnë. Në fakt pas kësaj fabule fshiheshin koncesionet milionëshe të Check Up-it dhe sterilizimit. Të gjithë e mbajnë mend premtimin e bukur të fundit të marrëzisë, që do I shporrte pikat e basteve dhe kazinotë nga qendra e qyteteve. Në fakt asgjë nuk u bë dhe e gjithë rokopuja shërbeu vetëm për të nxjerrë paratë e lotarive nga oborri i familjes së dikurshme kryeministrore, në atë të pasardhësit.

Të gjithë i mbajnë mend imazhet e kopshteve të varuara të arkitetktit italian Boeri, përbetimet se Tirana do të qe e gjelbër edhe në fasadat dhe tarracat e pallateve. Në fakt ato s’qenë asgjë më shumë sesa justifikimi furfuritës për grataçelat e panumërta që do të ngriheshin në kryeqytet, pasi votat ishin rrëmbyer me slloganin “zero ndërtime”.

Ka dhe shumë raste të tjera që, të gjitha sëbashku, tregojnë se pas vanitetit për t’u shitur si artist dhe piktor, fshihet një vokacion kriminal, se pas provokimit të cdo debati estetik, qëndron një hile e madhe ndaj publikut, se mbrapa çdo butaforie të trumpetuar me bujë, ka një grykësi gargantyeske për pasurim. Ky është në fakt thelbi i qeverisjes rilindase të Ramës: shitja e një tabloje idilike që mundohet të mbulojë një krim të madh. Dhe sa me e gjigande, pompoze, dhe mbrojtur me zell të jetë e para, aq më e rëndë, e errët dhe e mbrapshtë është e dyta.

Fiks si në rastin e Elvis Roshit, ku protektori i tij i bënte thirrje njerëzve që mos e gjykonin atë as për krimet e supozuara të së shkuarës, as për grabitjen e tokave të Spillesë, por për palmat dhe monumentet me të cilat kishte zbukuruar Kavajën. Pikërisht këto histori të propoganduara me shumicë, në mandatin e parë, duhet të na bëjnë më syçelur për atë që po ndodh në katërvjecarin e dytë. Tani Edi Rama po propogandon projektin “1 miliardë euro” dhe po garanton se bankat shqiptare janë krejtësisht të mbrojtura nga pastrimi i parave të kanabisit. A mos kemi të bëjmë sërish me tentativën për t’a shitur Roshin e vogël të Kavajës si një estet të madh rilindas? Lapsi.al

SHKARKO APP