Edi, harroje se mund ta shpëtosh Saliun
Nga Spartak Ngjela
Do t’i shihni edhe pas hekurave, por edhe me pronat e paratë e vjedhura, të konfiskuara me vendim gjyqësor të formës së pretë. Çfarë sjell në historinë e një shteti një kryeministër i aftë? Historia e demokracisë, të cilën ne shqiptarët sot e kemi vënë në relacion me historinë e diktaturës, na ka treguar se kryeministri, që, edhe pse votat i ka fituar realisht, nëse ky, në pesë ose në shtatë vite, nuk ka bere dot asgjë në lidhje me zhvillimin kombëtar, që të mos e akuzojë historia si një kryeministër të paaftë, duhet të largohet me dorëheqje.
Sigurisht, se ka edhe diçka: kur një ish kryeministër që, kur ka qenë në opozite, ka shitur bashkëpunëtorin e vet politik në një garë politike, duke tërhequr partinë e tij nga gara që kundërshtari të merrte bashkinë e kryeqytetit, ka qenë miop. Sepse historia nuk ta fal ketë akt. Dhe ky ish kryeministër tani është i arrestuar me akuzën për korrupsion. Por historia e çon deti ne fund sarkazmën e saj, se ja, blerësi i tij tani është kryeministër, e sheh që është në burg, dhe po kërkon ta lirojë. Por ish kryeministrin e ka arrestuar SPAK, dhe ky organizëm as që e pyet fare kryeministrin aktual, por, përkundrazi, e përbuz atë.
E shihni se si ka kaluar historia e politikës banditeske korruptive dhe antishqiptare në këta 30 vitet e fundit në Shqipëri? Mos u mërzisni, prisni dhe pak se do t’i dëgjoni që të gjitha. Dhe do t’i shihni edhe pas hekurave, por edhe me pronat e paratë e vjedhura, të konfiskuara me vendim gjyqësor të formës së pretë.
II.
Një kryeministër qe nuk e përfill me mendimin e tij historinë, nuk ka qenë asnjë ditë kryeministër. E ç’rëndësi ka fakti i të qenit kryeministër! Sepse retorika e lartë, çdo kryeministër, pasi ky merr postin, e pyet: What are you going to do with it? Çfarë do të bësh me të? Ja, kjo është pyetja vrastare për çdo kryeministër që ka ardhur në pushtet nga pasioni për pushtet, dhe jo për skemën e tij të zhvillimit kombëtar.
Nje kryeministër që çmohet nga historia, kjo mund ta mbajë në histori si një individ të zgjedhur, për zhvillimin e ndritur që ai i ka dhënë shtetit të tij. E pra kjo është filozofia e progresit, për cdo kryeministër. Por, kryeministrin që nuk ka bërë dot asgjë, historia e tall me përbuzje. Po kryeministrat tanë që kanë kaluarën në 32 vitet e fundit, a e kanë karakteristikën që shprehëm? Mendoheni vetë përgjigjen e kësaj pyetjeje, për kryeministrat që janë larguar, sepse, për këtë kryeministrinë aktual, unë do ta shkruaj këtu ditët që vijnë.