Edi Rama: Bunk’Art” një thesar i kujtesës kolektive
Është një godinë e rëndomtë, e cila pret çdo vit miliona e miliona njerëz.
Është një godinë ku është e pamundur të kesh një minutë të vetme pa prekur trupin e dikujt tjetër për nga shpeshtësia e jashtëzakonshme e vizitorëve.
Është godina e një regjimi të vjetër ku përmes mureve të godinës, përmes objekteve, përmes fotografive, përmes dëshmisë u jepet mundësia qytetarëve të botës së lirë të krijojnë një perceptim lidhur me atë që dikur ishte bota ku jetonin qindra miliona njerëz dhe që sot është shumë e vështirë që t’ia tregosh me fjalë gjeneratave të tjera.
Këtu ka edhe shumë vajza dhe djem gjimnazistë që s’e kanë jetuar atë kohë. Nuk mund ta imagjinojnë, edhe duke ua treguar me fjalë, sesi Shqipëria e vogël mund të ishte një botë e tretë e izoluar nga dy botët e tjera, nga Perëndimi dhe nga Lindja, që luftonte, në mënyrë imagjinare, me imperializmin amerikan dhe me social-imperializmin sovjetik. E, që për t’i dhënë krah kësaj imagjinate, gjendej e rrethuar ngado nga bunkerë dhe nga imazhe gjigandografike të dikujt që shfaqej shumë rrallë, por që kontrollonte gjithçka, Enver Hoxhës.
Sot, ne jemi dëshmitarë se kemi çelur derën e një thesari të kujtesës sonë kolektive. Një thesari ku, pa as më të voglin dyshim, mund të zbulohen në vijimësi qindra mijëra copëza të një mozaiku të madh ngjarjesh, personazhesh, kontradiktash.
Të një mozaiku ku gjakderdhja ka bërë rëndom lëndën lidhëse dhe të cilin historianët dhe historia nuk na e kthjellojnë dot ende sot, kështu siç jemi ne, të ngërthyer nga memoria kolektive e ngarkuar majtas dhe djathtas, por edhe kështu siç janë vetë historianët të ngarkuar majtas e djathtas, nga një kujtesë që rëndom bëhet selektive.
E pra, unë besoj se çdo përpjekje qeveritare, çdo përpjekje politike, çdo përpjekje që niset qoftë dhe nga qëllimi më i mirë për t’i dhënë fund diskutimit mbi historinë, jo vetëm që është e destinuar të dështojë, por më keq akoma, është e destinuar të riprodhojë rrethin vicioz të një historie që nuk shkruhet dot deri në fund, në kushtet që jemi.
70 vjet mund të jenë shumë, por për këtë vend kaq të vogël, ku u arrit deri në ndërtimin e këtij pallati antiatomik në zemër të malit, për t’u mbrojtur jo nga fqinjët, por për t’u mbrojtur nga superfuqitë, është shumë e vështirë që mendjet e historianëve të mund të bëjnë sintezën, të cilën koha mbase do ta bëjë, po vështirësisht do të arrijë ta vendosë në një kontekst të padiskutueshëm nga askush.
Unë besoj që, sidoqoftë, shkrimi i historisë duhet t’i mbetet historianëve. Përpjekjet për të rishkruar historinë me porosi qeveritare apo përmes vullnetit të hekurt politik, kanë qenë sa tragjike në të shkuarën e largët, aq qesharake në të shkuarën e afërt. Përpjekja për ta vetëpikturuar vetveten në një kontekst të zgjedhur politikisht ka rezultuar sa tragjike në të shkuarën, aq qesharake në të shkuarën e afërt.
Ne nuk i takojmë kësaj shkolle të të jetuarit dhe të menduarit.
Ne i takojmë një shkolle të re për Shqipërinë, por një shkolle të vjetër për botën e lirë dhe për familjen e vendeve që besojnë tek liria e të menduarit dhe tek liria e të shprehurit, ku historinë e shkruajnë shkencëtarët dhe e diskutojnë mes tyre njerëzit e shkencës së historisë. Nuk e shkruan as Shtëpia e Bardhë, as Kongresi Amerikan, as Parlamenti Europian, as qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian. Në ndërkohë, ne i përkasim asaj shkolle, të re për Shqipërinë, shkollës së vendeve të lira dhe demokratike, që nuk ia fsheh publikut misteret e të shkuarës.
A ka kush mundësi të më thotë se, si është e mundur që kjo ngrehinë të ruhej si mister dhe t’i fshihej publikut si sekret shtetëror, jo vetëm nga ata që besuan se një ditë do të mblidheshin këtu për të luftuar me botën mbarë edhe për t’i rezistuar superfuqive, por edhe nga ata që i gënjeu mendja dhe e gënjyen vazhdimisht popullin me iluzionin se e përmbysën bashkë me regjimin e vjetër edhe mendësinë e atij regjimi. Ruajtja këtij misteri dhe e këtyre mistereve, ashtu si dhe ruajtja me fanatizëm e misterit të dosjeve të të shkuarës, dosjeve të Sigurimit të Shtetit, ku fshihen plot të vërteta të hidhura, janë në fakt vazhdimësia e të njëjtës shkollë, e shkollës së vjetër politike të të sunduarit mbi tjetrin, pavarësisht kostos dhe pavarësisht tonelatave të propagandës gënjeshtare që derdhet përditë mbi të tjerët.
Ne jemi këtu për të çelur një fazë të re raportesh me të shkuarën, jo për të rishkruar historinë, por për ta ekspozuar të shkuarën në gjitha format që e disponojmë, si një mundësi për t’i vendosur përpara syve të gjeneratave të reja, në radhë të parë, por edhe të gjithë të tjerëve, dëshmitë e saj, skutat e saj, imazhet e saj, dokumentet e saj. Padyshim, si një mundësi për të inspiruar imagjinatën krijuese, pasi pa as më të voglin dyshim instalacionet që pamë bashkë me dhomat autentike të shefave të regjimit të vjetër janë një dëshmi kuptimplotë e mundësisë që të krijon kjo hapësirë për të krijuar hapësira të reja. Hapësira të reja të të imagjinuarit, të të menduarit, të të bashkëjetuarit përmes fuqisë së artit.
Këto mjedise janë trashëgimi e një kulture të jetuari që, ju siguroj, do të tërheqin shumë herë më tepër turistë sesa ç‘mund të tërheqë ajo Shqiponja e tmerrshme që kanë vendosur tek rrethrrotullimi i doganës. Një shëmbëlltyrë e krijuar për të qenë në sipërfaqe të sheshtë, qoftë në sipërfaqen e sheshtë të flamurit, qoftë në sipërfaqen e sheshtë të qindarkave dhe që kthehet në një shëmbëlltyrë që vendoset në një sipërfaqe tredimensionale, siç është hapësira. Këtë lloj marrëzie vetëm ata që s’kanë sy për të parë hapësirën mund ta bëjnë. Jam i sigurt, po ashtu, që ky 70- vjetor i çlirimit të Shqipërisë nuk është momenti për të nxituar se kush del më shumë partizan dhe as për t’u ngutur se kush del më shumë kolaboracionist, ndër ne të gjallët. Asnjëri nga ne nuk ka qenë partizan, asnjëri nga ne nuk ka qenë kolaboracionist. Asnjërit nga ne nuk i takon të bëjë si partizan apo të bëjë si kolaboracionist, që partizanët e detyruan të bashkohej me palën tjetër. Ky është një folklor ordiner njerëzish pa imagjinatë dhe njerëzish që jetojnë në hapësirën jo tredimensionale, por dydimensionale, të një politike që sot duhet të gjejë mënyrën t’ua shpjegojë shqiptarëve që, si ka mundësi që pas gati çerekshekulli mund të vijnë dhe të shohin këtë sallë, që është krijuar për të qenë salla e parlamentit, në kushtet e sulmit atomik. Sigurisht, dikush mund të dali në Facebook dhe të thotë që u mblodhën atje tek parlamenti ku do detyrohen të mblidhen nga fuqia e protestës popullore, e ku di çfarë. Por, në fakt ajo që vlen të thuhet është se me siguri një vizitë në këtë ngrehinë antiatomike do t’i tregojë vajzave dhe djemve të këtij vendi, mbi diktaturën, mbi Enver Hoxhën, mbi Mehmet Shehun, mbi gjithë hordhitë antinjerëzore dhe antifetare që prodhoi ai që u quajt çlirimi i atdheut, sesa ç’mund t’ju tregojnë të gjithë historianët e mbledhur së bashku. Të cilët, në rastin më të mirë mund t’i kthejnë lexuesit e historisë në partizanë dhe në gjermanë. Kush e ka familjen me të majtën të bëhet partizan, kush e ka me të djathtën të bëhet gjerman. Ndërkohë që, ky është një konfuzion i madh. Një konfuzion folklorik, shumë vulgar dhe shumë i dëmshëm që nuk na lejon të jemi të lirë dhe nuk na jep mundësinë të çlirohemi nga e shkuara. Ky është vetëm fillimi, ka të tjera vrima, ka të tjera skuta, ka të tjera hapësira që i janë ruajtur njerëzve si sekrete shtetërore nga ata më parë dhe nga ata që erdhën më pas dhe nga ata që deri dje kishin mundësinë t’ju hapnin njerëzve sytë në raport me të shkuarën e prekshme jo me të shkuarën e treguar nga njëri apo nga tjetri. Në raport me arkitekturën e prekshme të gjithë kësaj bote të nëndheut komunist, me këto ndriçues, me këto ballkone, me këto tunele dhe me shumë të tjera. Është vetëm fillimi sepse ne kemi një projekt për të krijuar një intenerar historik dhe turistik të nëndheut komunist dhe njëkohësisht për ta kthyer këtë intenerar, në një intenerar të imagjinatës krijuese, duke synuar nga njëra anë çlirimin dhe nga ana tjetër pjellorinë e kujtesës sonë kolektive. Një kujtesë kolektive që sot e gjithë ditën shqetësohet, lebetitet nga hedhjet e shashkave kur shfaqet një fotografi e Enver Hoxhës. Enver Hoxha doli, doli Enver Hoxha, e nxorën, po e rehabilitojnë, erdhi! Ku erdhi?! Ku, ku, kush, si?! Ne jemi ata që i kemi mbyllur hesapet me Enver Hoxhën në vitin 1990. S’kemi asnjë problem t’ia shikojmë nga të katër anët këndet e vështrimit dhe bëmat. Në ndërkohë ne jemi ata që do çojmë përpara projektin e çlirimit të kësaj kujtese kolektive nga këto makthe. Stacioni i dytë do të jetë Shtëpia e Gjetheve. Askush nga vajzat dhe djemtë që janë këtu në sallë, gjimnazistë, nuk e dinë se kush është Shtëpia e Gjetheve, sepse ju ra të lindin në një kohë kur filloi armiqësia me gjethet dhe kur filloj armiqësia me pemët dhe me gjelbërimin. Kështu që, siç u sharruan shumë pemë për të ndërtuar qenefet e kapitalizmit nëpër parqe, u prenë dhe të gjitha ato gjethet e asaj godinës, që është shumë pak metra nga Banka e Shqipërisë, ku përgjohej gjithë Shqipëria. Ku përgjohej gjithëkush dhe ku ruheshin zërat e regjistruar të të gjithë të dyshuarve të regjimit komunist. Çelja e Shtëpisë së Gjetheve për publikun ku mundësia për të parë nga njëra anë banalitetin absolut të estetikës komuniste, banalitetin absolut të një regjimit të të keqes që një nga parullat kishte “të luftojmë rehatinë personale”. E kuptoni çfarë parulle është kjo?! Të luftojmë rehatinë personale domethënë të mos lëmë rehat asnjë njeri. T’i hyjmë çdo njeri, jo në shtëpi, jo në krevat, por t’i hyjmë në kokë. I keni parë këta të shqetësuarit që nuk bien rehat, këta janë ata që e kanë në kokë akoma komunizmin, prandaj nuk bien rehat. Sigurisht që çelja e godinave dhe hapja ndaj kësaj historie, vendosja e një paqeje në raportet mes shqiptarëve të sotëm dhe fotografive të të shkuarës dhe lënia e lirë e njerëzve për të shfletuar historinë, për t’i prekur nga afër këto sekretet shtetërore të famshme, për të parë nga afër se në çfarë lloj ferri e futi një popull të tërë një ideologji që premtonte parajsën. Për të kuptuar, njëkohësisht, sesa shumë të rrezikuar jemi vazhdimisht nga mendimi unik, nga fashizmat, nga fondamentalizmat e të gjitha formave, nga nacionalizmat dhe nga islamizmat ekstreme, ashtu sikundër dhe nga racizmat dhe ksenofobitë, është domosdoshmëri sot. Sepse si asnjë popull tjetër në Europë jemi të penguar prej kaq shumë vitesh të kemi një raport normal me të shkuarën. Na pengon prej kaq shumë vitesh zgjatimi i të shkuarës. Na pengon prej kaq shumë vitesh kthimi mbrapsht i një xhakete të vjetër që iu shit popullit për vite me radhë sikur ishte xhaketë
e re. Por, kjo është e paplotë pa hapjen e gjithë arkivave të komunizmit, pa nxjerrjen në dritën e diellit të të gjitha prapësive të fshehura në këto skuta, në formë dëshmish, në formë zërash, në formë bashkëpunimesh ‘për të luftuar rehatinë personale’, jo për të fajësuar njerëz. As për të vendosur njerëzit kundër njeri – tjetrit, por për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nga pesha hileqare e politizimit të kujtesës kolektive. Nga pesha e pabesë me të cilën janë ngarkuar dhe mbingarkuar ata që e njohën komunizmin dhe që, fatkeqësisht, vazhduan të qëndrojnë të ndarë, jo më fshehtas po haptas, si për të çuar përpara një projekt të mallkuar për Shqipërinë, projektin e ndarjes në “ne dhe ata”, në “tanët dhe të tyret”, në “me partinë dhe kundër partisë”, në “me revolucionin dhe kundër revolucionit”, “me partizanët dhe me gjermanët”. Me Partinë Komuniste dhe me Ballin Kombëtar do thoshte historiania, ndërkohë që të gjithë sëbashku duam të shkojmë në Europë. Ndërkohë që katarsisi që na mëson shembulli i madh i Gjermanisë, por dhe shembulli i të gjithë atyre vendeve që nuk iu shmangën, por u përballën me të keqen, i të gjithë atyre vendeve që nuk u ndanë në kush ishte bërë më shumë pis dhe në kush doli më i pastër nga një barbari që e njollosi gjithë Gjermaninë dhe që njollosi gjithë vendet, tregon se ka vetëm një mënyrë përmes filtrave që zgjedhin të tjerët, ashtu sikundër duke refuzuar këdo që kërkon të të vërë filtra përballë të shkuarës.
Ky është një vend që inspiron shumë për të folur, jo thjesht lidhur me atë që ishte, por me atë që është dhe me atë që s’mund të jetë, s’duhet të jetë. Ne duhet të bëjmë çmos që mos të jetë më tutje, në formën e një pengimi, në formën e një mallkimi, në formën e një mbrapshtie që na ndjek pas. Na ndjek pas, medemek si akuzë ndaj të shkuarës, por që në fakt është zgjatimi i vetë të shkuarës. Sigurisht që, nuk kemi luksin që t’ia privojmë vetes këtë mundësi të jashtëzakonshme që na e japin për çlirim, në këtë përvjetor çlirimi, këto hapësira sekrete të cilat duhet t’i kthehen publikut dhe të cilat duhet t’i lihen jo thjesht vështrimit të publikut, por edhe ndërveprimit aktiv të publikut. Ndërveprimit aktiv të shkrimtarëve, të artistëve, të historianëve, të filozofëve, të analistëve, të gjithë atyre njerëzve që me siguri në këto hapësira do të ndjejnë potencialin për të fluturuar përmes imagjinatës shumë më larg, për t’i ikur dhe për të tërhequr dhe të tjerë pas vetes, pengimit që ky sekret shtetëror ka vazhduar të mbajë në formën e një marrje peng, në formën e një nga ato që quhen gjoba morale përmes deformimeve nga më halucinantet të historisë, duke ngatërruar, kur thonë, djallin me ujin e shenjtë dhe duke realizuar atë që nuk duhet të na kishte ndodhur dhe që nuk mund të vazhdojë të na ndodhë, përçarjen e madhe mes shqiptarëve. Një përçarje që, i ka rrënjët pikërisht nëntokë. Në këtë nëntokë dhe që vjen nga këtu. Vjen nga këto zgafella dhe vjen nga këto ulluqe nëntokësore. Përçarja e tmerrshme që u mishërua pastaj në formën e asaj të ashtuquajturës “luftë klasash” dhe që ishte përçarja për të sunduar. Pak rëndësi ka se çfarë emrash mund t’i vëmë ideologjisë së përçarjes, por është përçarja për të sunduar. “Divida ed impera” përmes mendimit unik. Përçarja që, sot e shohim të materializohet si një përpjekje që duket pa lidhje, por është vazhdimësi e të njëjtit tundim brenda njeriut, kur njeriu rrëmbehet nga instinktet e veta më të egra, mes sekteve fondamentaliste dhe botës myslimane. Është e njëjta gjë, një transformim, një metamorfozë që shfaqet në një formë tjetër. Mes sekteve nacionaliste dhe Europës së Bashkuar. Është e njëjta gjë, mes racistëve dhe ksenofobëve dhe njerëzve të lirë që duan të bashkëjetojnë në paqe. Historia ka treguar që shumica që gjithmonë ka qenë e prirur në fillim të jetë në anën e duhur të saj, jo një herë ka rënë pre’ dhe është bashkuar dhe është bërë përfaqësuesja dhe mishërimi më i egër i atij sekti.
Ju falenderoj shumë për mundësinë dhe dua të falenderoj një personazh që qëndroi në hije sot, se ka frikë mos i thonë kolaboracionist apo partizan, Carlo Bolinon, i cili në fakt nuk është as partizan, as gjerman, është italian. Kështu që, Carlo rri i qetë. Ai ka një meritë shumë të madhe që, me aftësitë e tij, me dëshirën e tij, në mënyrë krejt vullnetare, na ndihmoi që në krye të herës për të kuptuar potencialet e këtij objekti. Unë ndjehem sot shumë keq përballë Carlos, por edhe përballë ministreve edhe përballë të gjithë atyre që punuan për këtë, sepse pavarësisht se diçka mendoja, nuk e imagjinoja që kjo hapësirë ishte kjo. Nuk e imagjinoja impaktin që kjo hapësirë ka për njeriun e kohës së sotme, për këdo nga ne. Me siguri, për impaktin që kjo hapësirë ka për këdo nga ne që e jetuam edhe atë kohë. Ky është një varr i hapur i një kohe të shkuar, për të na kujtuar se ende nuk kemi arritur dot të varrosim në paqe tundimin që përmes së shkuarës të marrin peng të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne do t’i hapim të gjitha këto ‘varre’ të kujtesës. Nga këto që janë në formë godinash, tek ato që janë në formë tunelesh dhe tek ato që janë në formë dosjesh, për t’i dhënë mundësi vajzave dhe djemve të gjeneratës tjetër që të kuptojnë se nga vijnë prindërit, nga vijnë gjyshërit, nga vjen vendi i tyre. Që të nxjerrin vetë ata, jo nëpërmjet imponimeve të historisë së shkruar nga politikanët apo të politikanëve që i japin të drejtën vetes të bëjnë edhe histori, por nëpërmjet raportit të drejtpërdrejtë me dëshmitë e së shkuarës, një perceptim sa më realist, por edhe sa më nxitës për imagjinatën e tyre krijuese. Në mënyrë që të jenë njerëz të lirë dhe që të mos lejojnë askënd që t’i luftojë rehatinë personale të të menduarit. Kishin tjetër parullë për dembelizmin. Kur thoshin rehati personale nuk e kishin te dembelizmi, e kishin te moskokëçarja për luftën e klasave, për partinë, për të gjitha këto.
I shpjegova Ambasadorit amerikan, pse në Shqipëri nuk kishte pothuajse asnjë kafene, përveç kafeneve të elitës, “Lidhja e Shkrimtarëve” e ku di unë, asnjë kafene ku mund të uleshin. Të gjitha ishin me tavolina që të rrije në këmbë dhe quheshin vetëshërbim. Që njerëzit të mos uleshin dhe të mos merreshin shumë në rehatinë e tyre personale, me partinë, me problemet edhe mos të thoshin jo na u rrit çmimi, jo s’kemi bukë, jo me se do të paguajmë energjinë, etj, etj.. Kjo ishte arsyeja që i mbanin në këmbë edhe në kafe. Ajo Bufe-ja atje është një tjetër dëshmi se çfarë nënkuptonte ajo parulla “të luftojmë rehatinë personale”.
Kështu që vajzat dhe djemtë e këtij vendi do ta vizitojnë këtë për të kuptuar se çfarë vlere të madhe ka rehatia personale dhe për të luftuar që të jenë gjithmonë rehat, në sensin të lirë, të patrazuar, të padetyruar dhe të pasundueshëm në mënyrën e të menduarit dhe në pikëpamjet që duhet t’i ndërtojnë vetë, si njerëz të lirë, sidomos në raport me një histori që, ju siguroj, ende do të dojë ende kohë të shkruhet në mënyrë objektive dhe ende do të jetë objekt diskutimesh me të cilat unë si Kryeministër, Qeveria jonë, nuk ka asnjë lidhje. Ne nuk hyjmë në diskutime të kësaj natyre. Për ne, e rëndësishme është të çlirohemi nga e shkuara dhe të kuptojmë çfarë është 70-vjetrori i çlirimit. Jo vetëm si histori dhe si një datë historike, ku shqiptarët u gjenden në anën e duhur të historisë, por edhe si momenti kur shqiptarët devijuan dhe shkuan në rrugë tjetër, për t’u gjendur, më në fund, me një nomenklaturë që kishte parashikuar të vinte këtu brenda dhe nga këtu, nga Shish-Tufina t’i shpallte luftë gjithë botës dhe të triumfonte mbi botën mbarë.