Edi Rama dhe fyerjet në mediat serbe

 

“Shpata e Ramës kundër serbëve në zemër të Beogradit”, “I paturpi shqiptari Edi Rama”, “Katër provokimet e Ramës në zemër të Serbisë”, “Vuçiç ia mbylli gojën provokuesit”, “Rama, kjo nuk është Tiranë”. Këto ishin disa nga titujt e faqeve të para të tabloidëve si “Kurir”, “Informer”, “Blic” dhe “Alo”, të cilat, së bashku, përbëjnë ajkën e shtypit serb. Gazetat “Vecernje novosti” dhe “Politika” shkruanin se “Rama erdhi për të provokuar” dhe “Provokimi i ri shqiptar”. Megjithatë, referuar çështjes, “Politika”  bëri një analizë serioze të vizitës.

Vetëm “Danas”, një gazetë liberale me shpërndarje të vogël, shkroi në faqen e parë për incidentin diplomatik, që incioi fushatën e pisët: “Rama: Pavarësia e Kosovës është një realitet. Vuçiç: Kosova dhe Metohija i përkasin Serbisë me Kushtetutë”. Dallimi në qëndrimin midis kësaj gazete dhe shtatë të tjerave të përmendura më lart, është i dukshëm. Ndërsa “Danas” përshkruan se çfarë e nxiti incidentin diplomatik, gazetat e tjera, qartazi sugjerojnë se Kryeministri shqiptar është një ngatërrestar.

Tabloidet kanë bërë gjithçka kanë mundur për ta pasuruar historinë me detaje pikante për jetën e Edi Ramës, por edhe nga vizita. U publikuan fotot e tij nudo, ndërsa në lajme u përfol se ai kishte veshur këpucë të larta, që të mos dukej më i shkurtër se Vuçiç (të dy kryeministrat janë shumë ta gjatë). Në përpjekje për ta bërë qëndrimin “provokues” të Ramës më të dukshëm, një nga tabloidët shkruajti se Vuçiç duhet të priste 27 sekonda para se Kryeministri Rama të dilte nga makina dhe ta përshëndeste.

Fushata

Ky qëndrim informues rreth kësaj vizite shumë të rëndësishme të Kryeministrit Edi Rama në Serbi lidhet me paaftësinë e qeverisë për t’i shpjeguar me përgjegjësi publikut çështjet që ndikojnë krejt rajonin për shkak të Kosovës. Fakti se mediet serbe iu bashkuan fushatës anti-Shqipëri dhe fajësuan deklaratat e Ramës, pa përpjekje serioze për t’i analizuar në tërësi marrëdhëniet mes dy shteteve, është një konfirmim tjetër i ndikimit të qeverisë në medien vendase. Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por e di se Shqipëria është sponsori i saj në rajon. Kryeministri serb, Vuçiç priti që Rama të tregohej më i ndjeshëm dhe të mos e përmendte Kosovën, por kjo nuk ndodhi. Ai reagoi shpejt dhe në mënyrë emocionale. Politikanët e tjerë serbë ndoqën të njëjtën linjë me deklaratat e tyre në medie, duke i lënë në sfond rezultatet e këtij takimi historik.  Mediet serbe e interpretuan qëndrimin e Vuçiçit si një sinjal për të filluar një fushatë të ashpër në media dhe përshtypja është se tabloidët e bënë këtë me qëllim, për të rritur shanset e shtimit të shitjeve dhe shpërndarjes. Sigurisht, ka pasur përpjekje për ta analizuar seriozisht vizitën, domethënien e saj dhe pasojat e mundshme, por vetëm prej një pakice mediesh të shkruara apo elektronike. Diskutimet e lira dhe të qarta të pozicioneve të ndryshme gjetën hapësirë në rrjetet sociale, në veçanti në “Twitter”.  Mjaftonte një lexim i shpejtë i faqeve të para të gazetave një ditë pas mbërritjes së Ramës në Beograd për të kuptuar se nuk kishte ndasi midis politikës editoriale dhe interesave vetjake të botuesve, politikanëve dhe qendrave të tjera të pushtetit. Në të kundërt, do të kishim lexuar refleksione lidhur me marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë, interesave dhe dallimeve që i bashkojnë e i ndajnë ato, si deh arsyeve që e çuan Ramën të prekte çështjen e Kosvës gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, në praninë e Kryeministrit serb.

Shkrimi është realizuar për "Osservatorio Balcani e Caucasio"

SHKARKO APP