Edi Rama shkon në luftë

Nga droga tek ndërtimet pa leje, nga diplomat universitare tek pagesa e energjisë elektrike, nga kërcënimet me burg e deri tek hedhjet në erë me tritol, një listë me gjithë betejat e pamundura të Edi Ramës. Bilanci: një portret i pamenduar më parë qeveritar, shqiptarë që nisin të kenë frikë ligjin dhe përballë, një opozitë që mbetet të bëjë vetëm rolin e viktimës

Nga Lorenc Vangjeli, JAVA

Ka vite që në Shqipëri, sportelet ku shkëmbehen para me letra të shkruara kanë qenë të mbyllur. Që në kohën e piramidave të dikurshme. Sot, janë rikthyer sërish sportelet dhe rradha e gjatë përpara tyre… në zyrat ku paguhen detyrimet për energjinë elektrike. Një gjë gati e paimagjinueshme më parë, në një vend ku energjia elektrike rrallë është konsideruar si mall që shitet e blihet, por si një shërbim që mund të këmbehet edhe me vota e votim, kryesisht për të djathtën e Doktorit.

Me dashje apo pa dashje, batutë apo një e vërtetë e vërtetuar me kalimin e kohës, fraza e famshme e Ramës, “Dale, dale se nuk keni parë asgjë akoma!”, do të jetë diçka që nuk do të harrohet lehtë. Sepse shqiptarët në përgjithësi, miqtë, por dhe kundërshtarët, optimistët dhe skeptikët, po shohin ditë mbas dite një model ndryshe të Ramës, një profil të pamenduar më parë që ka të bëjë kryesisht me forcën që po demonstron për rivendosjen e ligjit në Shqipëri. Rrumpalla e dikurshme e llojit, mos merr leje, por ndërto ku të mundesh, merr energji e mos paguaj, prodho hashash dhe të kapin vetëm rastësisht se njeri nuk të nget apo dhe gjej një kioskë dhe prodho diploma universitare, po merr një përgjigje të sforcuar. Njëherë politike si fillim dhe pastaj policore si vijim. Duke lënë pas kosto njerëzore dhe habi, por gjithashtu, duke pasur si epilog një tokë të çliruar gati-gati pa kthim nga rrumpalla e dikurshme. Që do të thotë se në Lazarat apo gjetkë do ta kenë shumë të vështirë të rimbjellin hashash edhe në dhomat e gjumit apo në Kamëz, Kashar e Fushë Krujë do të jetë shumë herë më e vështirë dhe aventurë për të hedhur beton pa leje qoftë dhe për një dhomë gjumi më tepër. E gjithë kjo trajektore e kryeministrit ka shkaktuar shumë dilema dhe kundërshti, ka ringjallur shumë llogari dhe ka hapur llogari të reja, kryesisht politike. Për atë se çfarë do të ndodhë nesër dhe sa do të kushtojë nesër dhe me çfarë do të vijojë të nesërmen. Një gjë është e vërtetë: Shqipëria nuk është më ajo e vitit 2013. Ajo që ka mbetur pas është ndryshe, qoftë kur u afrua si shpresë, qoftë kur u prit si nevojë. Me një diferencë që në thelb është mjaft e dukshme: kufinjtë mes të majtës dhe të djathtës teorike në vend janë krejt të shuar dhe sot, përballë Edi Ramës që drejton PS-në, Basha dhe Berisha ngjajnë si ekstrem i së majtës sociale.

 

 U nis me Lazaratin

Më parë, në krye të herës, megjithatë u bë një provë gjenerale e mënyrës sesi mund të përdorej policia e shtetit për operacione gjigante. U zgjodhën lojërat e fatit. Rreth gjashtë mijë policë u dyndën në çdo skaj e cep të Tiranës dhe të gjithë vendit dhe mbyllën me shirita të verdhë të gjitha lokalet e lojërave të fatit dhe kazinotë. Dhe të mendosh se ato ishin gati-gati po aq në numër sa dhe dyqanet që shesin bulmet në lagjet e qyteteve. Ato u bllokuan, por me kalimin e kohës nuk u morr vesh mirë se çfarë fundi pati ai operacion, përveç një detaji: kolaudimit përfundimtar të përdorimit të policisë. Dhe koha erdhi në qershor të këtij viti, kur shumica e sotme ndërmorri atë që mund të mendohej basti më i egër dhe më i vështirë i saj, ndërhyrja  në Lazarat. Shpesh armiku më i rëndë për t’u mundur është armiku psikologjik. Dhe në këtë rast, pothuaj askush nuk e mendonte se shteti do të zbarkonte në Lazarat. Fshati rebel në jug të vendit quhej një realitet i pandryshueshëm dhe i pandreqshëm. Por kush mendonte kështu nuk i kishte bërë llogaritë me kokëshkretësinë e të majtës zyrtare për të fituar me çdo kusht dhe çdo çmim këtë betejë. Ajo nisi kur nuk e priste askush dhe përfundoi ashtu siç nuk e priste pothuaj askush. Lazarati mbas një “qëndrese” me armë të një grupi banditësh nuk mundi të bëjë gjë tjetër veçse të dorëzohet për të vërtetuar dhe njëherë thënien e vjetër profetike që me zjarrin, ujin dhe qeverinë nuk duhet kruar shumë. Qindra e mijëra kilogramë cannabis, dhjetra të arrestuar dhe mbi të gjitha, një tokë e lirë nga damka jeshile që mbante prej vitesh, ky ishte përfundimi i operacionit që vijoi më pas dhe në zona të tjera të vendit. Dukagjini ishte një nga ta dhe mbas tij edhe zona të tjera më sporadike në kultivim u vunë nën kontroll. Lufta kundër prodhimit të drogës vendase e bëri Shqipërinë që të dalë nga harta e vendeve që e prodhojnë atë dhe që e luftojnë fenomenin në mënyrë të suksesshme dhe të vullnetshme. Sepse çfarë ka ndryshuar në Shqipëri me qeverisjen mund të përmblidhet edhe në një detaj të vetëm në këtë drejtim: vullnetin politik për ta bërë. Paraardhësit thjesht nuk e kishin këtë vullnet.

 

Universitetet

Je 18 vjeç. Ke një dëftesë pjekurie në xhep mbas 12 vjetëve shkollë. Normalisht je kontigjent për tregun e punës, por ku? Në Shqipëri, si dhe në gjithë Perëndimin kjo grupmoshë është tërësisht e ekspozuar ndaj papunësisë. Diku kjo është një e vërtetë që shihet në sy, kurse në Shqipëri u tentua të zgjidhet ndryshe. Me liberalizimin e arsimit të lartë. Që do të thotë? Do të thotë licensa pafund universitetesh me emra nga më groteskësh që në këmbim të disa mijëra eurove mbanin në “tiro” këtë brez të rinjsh për katër vjet të gjatë, së paku dhe e transferonin hallin e punësimit të tyre për katër vjet. Bashkë me ta, jetonte më mirë edhe një fashë të ndrojtur inteligjence universitare që jepte mësim sa diku, diku gjetkë duke shpërndarë me ta qindarka nga të ardhurat e fituara. Më pas, natyrisht, mbas licensës kishte dhe zgjidhje tipike shqiptare të llojit: paguaj për të marrë diplomën pa ardhur fare në shkollë. Gjithkush e dinte një realitet të tillë, por pakkush guxonte dhe kishte dëshirë ta thoshte. Sepse ishte një sistem që ushqente pothuaj të gjithë. Vetë Edi Rama kur nisi të fliste kundër këtyre lloj universiteteve në zgjedhjet e 2009-ës dhe të 2011-ës, sidomos, thjesht humbi vota. Këneta ishte bërë më e fortë se nevoja ulëritëse për ndryshim. Dhe vetëm një vit mbasi erdhi në pushtet, Rama projektoi “hakmarrjen” e tij pikërisht mbi to, nëse termi hakmarrje në këtë rast do të dëshmonte vullnetin për të zhbërë kioskat universitare. Një ndërhyrje e ministrisë së arsimit dhe vetë qeverisë, në prag të vitit të ri arsimor shkaktoi të pamendueshmen. Një numër i madh universitetesh humbasin licencën e tyre dhe mbyllin dyert për studentët. Shumë studentë, madje, zbulojnë befas se kishin bërë sikur kishin studiuar në fakultete fantazmë, tërësisht të panjohur nga qeveria shqiptare dhe të paakredituar. Mijëra euro të paguara nga prindërit të shkuara dëm dhe mbi të gjitha, vite që pësojnë të njëjtin fat. Kostoja e shkaktuar është e pamatshme, kundërshtitë ndaj qeverisë që ndërmorri këtë hap ishin pafund, sepse askush nuk e pranonte mënyrën direkte me të cilën ju tha: copa e letrës që keni në dorë nuk ka asnjë vlerë. E megjithatë Rama nuk u tërhoq, edhe pse betimet se nuk do ta votonin më, nuk dukej se e mundonin.

INUK

Në vitin 2005, një skrap i ministrisë së ndërtimit, gërvishti fasadën e një pallati në qendër të Tiranës, që ishte pronë e një deputeti socialist. Dy – tre pallate të tjerë, kryesisht në themele dhe disa lokale në pronësi të deputetëve socialistë, gjithashtu u dëmtuan në aksionet e atëhershme kundër ndërtimeve pa leje. Berisha që betohej për ruspa e buldozierë e bëri të vetën, por deri këtu. Sepse askush, përfshi dhe Berishën vetë, nuk mendonte që një pallat, i ndërtuar qoftë dhe pa asnjë leje, duhet të prishej. Tetë vjet më pas Edi Rama mendonte tërësisht ndryshe. Në tre akte të njëpasnjëshëm tritoli qeveritar në Tiranë, me ndërtime shumëkatëshe, një sasi tritoli do të zhgënjente dhe më skeptikët: hidhet në erë në Vlorë një pallat që mendohej gjerësisht se i përkiste familjes së kryetarit të opozitës. Më shumë se gjithçka tjetër sinjali që ishte dhënë ishte lexuar se duke arritur në këtë limit, askush tjetër që së paku kishte probleme me ligjin në ndërtim, nuk ishte i sigurt. Nga vera e shkuar ka kaluar shumë kohë dhe tani INUK-u është bërë një realitet urban. Godina të tëra, lokale në Tiranë e në bregdet, ndërtime anësh rrugëve nacionale dhe kudo tjetër gjetkë janë hedhur në erë ose janë shembur. Mijëra njerëz kanë humbur bizneset e tyre, që kryesisht ishin ngritur në tokë publike, në mënyë të shëmtuar. Ngjan se lufta e dikurshme për parkun Rinia është transferuar në çdo cep të vendit. Si një luftë për estetiken dhe për rivendosjen e ligjit. Ky ishte dhe momenti i parë kur Rama nisi të artikulojë fjalën burg. Edhe pse ligji e parashihte, në Shqipëri ngjante e çuditshme të arrestoheshe dhe aq më pak të dënoheshe nëse ndërtoje pa leje,. Sepse një gjë të tillë e bënin të gjithë. Por dhe arrestimet ndodhën dhe policia nisi të shërbente si pararojë e buldozerëve që nuk duket se ndalojnë më. Rezultati: sot është gati e pamundur që dikush me dy pare mend në kokë të vendosë të ndërtojë pa marrë më parë leje. Të majtët mundën më të në fund të stopojnë metastazat e kancerit që po shkatërronte pa kthim territorin. Edhe me frikën që sjell “terrori” i ligjit.

Energjia dhe uji

Por kishte dhe një aneks të rëndësishëm të jetës së vendit, në të cilin ishte planifikuar të ndërhyhej. Prej vitesh, harta politike e Shqipërisë kishte një përkitje të çuditshme: raporti mes atyre që paguanin dhe nuk paguanin energjinë elektrike dhe preferencat e tyre politike. Por ky është një diskutim tjetër. Problemi që dilte përpara qeverisë shqiptare ishte se gropa që krijohej mes shitjes së energjisë që shteti apo privatët prodhonin dhe pagesës që i bëhej asaj shkonte në rreth 150 milionë euro në vit. Që vinin kryesisht nga mospagesa e energjisë elektrike. Dhe kështu, mbas një paralajmërimi sipas stilit të tij në Kuvend, Edi Rama nisi ndoshta betejën më epike të mandatit të tij. Atë të ndëshkimit të abuzuesve të energjisë elektrike. Duke e nisur me ata që i qunte biznese që paguanin sikur ishin abonentë familjarë në rastin më të mirë dhe për të vazhduar më pas me abonentët e vërtetë familjarë, kryesisht në zonat informale. Njerëz që nuk kishin paguar kurrë energji elektrike në jetën e tyre papritur panë se jo vetëm energjia ju ndërpritej, por edhe se arrestoheshin. Rezultati: për herë të parë krijohen rradhë në sportelet që paguhet energjia, mijëra lidhje të paligjshme të ndërprera dhe dhjetra të arrestuar. Raporti mes kostos njerëzore dhe përfitimit është vështirë të bëhet, por një gjë është e qartë. Më së fundi është kuptuar se dhe në Shqipëri dhe për këdo se energjia është mall dhe si i tillë duhet të paguhet. Madje për një gjë të tillë mund të humbet edhe vendi i punës. Kështu ndodhi me dhjetra gardianë burgjesh dhe e njëjta gjë do të ndodhë dhe me shumë punonjës policie dhe të tjerë. Veprime në kufi të ligjit, por përtej kufirit të zbatimit moral të tij: kush vjedh, ndëshkohet.

Mbas energjisë, uji. E paralajmëroi dhe siç duket, do të jetë vetëm çështje kohe kur do të nisë operacioni kundër atyre që abuzojnë me ujin. “Një histori e tmerrshme që duhet të marrë fund. Një gropë edhe më e madhe se gropa e energjisë”, thotë Rama, që tashmë ka përcaktuar se vullnetin e tij për të rivendosur ligjshmërinë në vend e mbështet tek lufta që nuk njeh llogari. Një luftë që ai po e bën sikur nuk do të këtë më kurrë një ballafaqim elektoral. Sepse siç pohon dhe vetë së paku, i intereson ndërtimi i shtetit përpara llogarive elektorale.

 

Opozita

Eshtë ana më fatkeqe e kësaj historie. Pothuaj viktima perfekte e saj. Për shkak të moskuptimit. Për shkak të zakonit të vjetër të të gjitha opozitave në Shqipëri që kundërshtojnë çdo hap që bëjnë qeverisjet. Duke nisur me Lazaratin. Ishte qesharake sulmi që i bëhej atëherë nga Tirana policisë që ndodhej në jug të vendit. “Pse qëllojnë në ajër mijëra fishekë?”, çuditi atëherë gjithë dynjanë Doktori. Por asnjë fjalë për rivendosjen e rendit në atë skaj problematik. Mund të ishte afruar dhe opozita të bëhej pjesë e atij suksesi shqiptar, por sa nga naiviteti, sa nga pamundësia, ajo e la qeverinë të vetmuar në suksesin e saj. E njëjta gjë me arsimin e lartë. Atë sistem idiot piramidal diplomash e ndërtoi opozita e djathtë në tetë vjetët që qeveriste vendin. Shkatërrimi i saj, për aq sa u bë, e gjeti opozitën sërish në udhëkryq. Foli thjesht për faturën sociale, por pa treguar nëse në thelb qeveria kishte të drejtë apo jo në çmontimin e kiokave universitare.

Nuk ndryshoi as në përballjen e saj me aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje. Opozita nuk pranoi rivendosjen e kontrollit mbi territorin, por u fokusua në detaje të llojit, prishje selektive apo kur është ndërtuar e çfarë po prishet. Sërish shumë larg thelbit të çështjes, opozita u tregua më pak se vështrimshkurtër. Kurse në rastin e energjisë elektrike, ajo po luan me kartën sociale. Duke folur për dramat e panumërta që ekzistojnë realisht të dhjetra familjeve vërtet të varfëra që po jetojnë në errësisë. Por sërish pa kapur thelbin dhe sërish duke bërë opozitën mistrece: kundërshto në bllok çfarë bën kundërshtari! Megjithatë ka dhe një të vërtetë tjetër që mbetet: për herë të parë në gjithë vitet pluralizëm, opozita që frymëzon Berisha ka mbetur në mbrojtje. Hapin e parë e bën kundërshtari. Opozita e Bashës, pastaj, është tjetër gjë. Dhe Rama në këto momente, më shumë se çdo gjë tjetër mund të numërojë si fitore të tij pensionin përfundimtar politik që i dha armikut të tij të hershëm me të cilin u ndesh për herë të parë në dhjetor 1990, plot 24 vjet më parë. Atëherë e përzunë, sot, mbasi i morri zyrën, i morri dhe revanshin.

SHKARKO APP