Edi Rama:Shtëpia me Gjethe, ballafaqim i hapur me të shkuarën

Shtëpia me Gjethe, ballafaqim i hapur me të shkuarën

“… Gjethet kanë kuptimin e fshehtësirës, të pyllit dhe prandaj, edhe të Bukuroshes së fjetur të përrallave,  e cila në një farë mënyre është kjo shtëpi, që duhet zgjuar, duhet zbuluar…”

Me këto fjalë e kanë përshkruar organizatorët, godinën famëkeqe të ish Sigurimit të Shtetit, e njohur si “Shtëpia e gjetheve”, e cila me vendim të Qeverisë do të kthehet në Muzeun e përgjimeve të Sigurimit të Shtetit të periudhës së regjimit komunist.

Në prezantimin e projektit në oborrin e “Shtëpisë me gjethe” ishte Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Kulturës,  Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, ambasadorë të vendeve të ndryshme në Shqipëri, historianë dhe kontributorë në materializimin e kësaj ideje.

Godina shërbente si një qendër përgjimesh dhe si e tillë fsheh brenda saj, histori të dhimbshme jetësh njerëzore. Deri pak kohë më parë, kjo godinë ishte pak ose aspak e njohur për publikun, por e ideuar nga Kryeministri Rama dhe me një projekt që drejtohet nga Ministria e Kulturës, ajo do shndërrohet në një muze të kujtesës kolektive, dëshmi e një kohe të kontrollit totalitar për vendin, siç e vlerësuan autorët e projektit, të gjysmëshekullit të kaluar.

Ministrja Kumbaro, ndërsa prezantoi projektin që i është besuar një grupi autorësh, nënvizoi se qëllimi i tij ka rëndësi historike, edukative dhe turistike.    

 

“Sot kemi vullnetin t’i hapim dosjet e gurta, edhe ato për letra, shtëpitë e mistershme dhe misteret e kyçura nëpër bunker e tunele. S’kemi gjë për të fshehur. Ato do të hapen. Sepse duhet të mos harrojmë, sepse duhet të mësojmë, sepse duhet t’i tregojmë, duhet të edukojmë dhe duhet ta në shohim me historinë tonë jo të zakonshme. Prandaj, hapësirat tabu duam t’i hapim, ndërtesat e harruara e të rrënuara po i rikonceptojmë dhe është kjo pjesë e strategjisë tonë muzeale, kreative, turistike, edukative,” – u shpreh Kumbaro, ndërsa ftoi këdo që ka një histori për të rrëfyer, dëshmi a dokument rreth aktivitetit të “Shtëpisë me gjethe”, të bëhet pjesë me kontributin e tij për pasurimin e këtij projekti. 

Ndërsa Bashkim Shehu, një ndër bashkautorët, duke shpjeguar konceptin e Muzeut, theksoi se në tërësi, për fenomenin e përgjimeve ideja është të vendoset në dy aspekte, si pjesë e kontrollit totalitar dhe të rezultateve të përgjimeve.

Gjithashtu Shehu pati edhe një apel për politikën, për të mos e përdorur dhe instrumentalizuar këtë Muze për qëllimet e politikës së ditës.

 

Historiku i kësaj godine nis me ndërtimin e saj si klinikë mjekësore në vitet ’30-të, u transformua në zyrat e Gestapos në vitet ’43-’44-r gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas luftës u përdor nga Sigurimi i Shtetit të kohës si zyra hetimore. Në vitet ‘50-të, Sigurimi i Shtetit e ktheu atë në qendrën kryesore të përgjimeve. Deri në vitin 2014, godina ishte në administrim të SHISH, për t’iu kaluar në administrim Ministrisë së Kulturës dhe me vendim të Këshillit Kombëtar të Muzeve, ndërtesës iu dha statusi Muze.

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit për kthimin e godinës së përgjimeve të ish Sigurimit të Shtetit në  Muze:

Nuk kam shumë për të shtuar në ato që u thanë. U harrua një falënderim nga Ministria e Kulturës për Drejtorin e sotëm të Shërbimit Informativ të Shtetit, zotin Visho Ajazi, të cilin unë e falenderoj për gatishmërinë dhe për bashkëpunimin, sepse kjo godinë deri përpara sesa ne të hynim këtu, sot, ka qenë një godinë që për inerci ka vazhduar të jetë pjesë e infrastrukturës së shërbimit sekret shqiptar, pavarësisht se prej shumë vitesh ajo nuk përdorej më.

Nga ana tjetër, mua më ka surprizuar fakti që sipas Drejtorit të Shërbimit, por edhe specialistëve të pyetur për zhvillimin e projektit, edhe pse Shqipëria e kohës ishte larg së qeni një fuqi e standardeve të larta teknologjike, në këtë godinë ka pasur pajisjet më të sofistikuara për kohën, të cilat gjatë dekadave janë ndërruar duke i zëvendësuar me pajisjet më të reja të asaj kohe, të sjella nga perëndimi kapitalist me të cilin edhe kjo godinë luftonte. Regjimi nuk i kursente paratë për të qenë në lartësinë e teknologjisë së kohës, në funksion të përgjimit të jetës së tjetrit.

Kjo godinë është një dëshmi shqiptare e filmit të famshëm që i kushtohet shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore, “Jeta e të tjerëve”, film që ka bërë një bujë të madhe, që përtej faktit që është një film i jashtëzakonshëm nga pikëpamja artistike, është një film rrëqethës, sepse tregon për jetën reale të Gjermanisë Lindore në vitet e rënda të ndarjes nga Muri i Berlinit.

Mua më pëlqen ta sjell këtu këtë shembull, sepse sot, ne po bëjmë as më shumë e as më pak, modestisht me çfarë kemi trashëguar në këtë pjesë të errët të trashëgimisë sonë, atë që Gjermania e ka bërë qysh në krye të herës, menjëherë pas shembjes së Murit. Një proces ballafaqimi të hapur, të drejtpërdrejt dhe pa frikë me të shkuarën e vet, edhe pse ishte një e shkuar që i përkiste në mish e në shpirt, gjysmës së Gjermanisë, por që për gjysmën tjetër, për pjesën që u bë zemra e bashkimit, Gjermaninë Perëndimore, kishte një rëndësi të veçantë, as më shumë e as më pak, por për arsyen që në platformën shpirtërore të bashkimit të mos lihej asnjë e çarë, asnjë e krisur dhe as një vragë, që mund të bëhej shkak i infeksionit të të gjithë organizmit të shoqërisë së re gjermane, për shkak të mosballafaqimit me të shkuarën e gjysmës së trupit të vet, për shkak të mosdizinfektimit të asaj gjysme që iu bashkua gjysmës tjetër në emër të së ardhmes, por që vinte në këtë bashkim me një sekret të së shkuarës në trupin e vet.

Ky muze është i dyti në zinxhirin e një projekti që do të vazhdojë me nëndheun, pasi kryeqyteti ka infrastrukturë ende të pazbuluar dhe ne do ta zbulojmë për publikun, të tuneleve të nëndheshme që ishin pjesë e infrastrukturës sekrete të regjimit të shkuar. E në fund, projekti do të finalizohet si një muze i vrimave. Muzeu i vrimave të të shkuarës, që janë vrimat përmes të cilave mund të penetrohet në infrastrukturën fizike, por edhe në infrastrukturën psikologjike të vetëdijes sonë dhe në të njëjtën kohë që do të përbëjnë një hartë të mirëfilltë muzeale, duke nisur nga qendra e Tiranës, duke vazhduar në zona të caktuara nën dheun e Tiranës, për të prekur pastaj, pikën tjetër të pallatit antiatomik të regjimit dhe për t’u shtrirë në formën e një rrjete merimange, siç ishte në fakt, gjithë rrjeta e ndërtuar e strukturës së sekretit në Shqipëri, duke u kthyer në një labirinth ku gjeneratat e reja mund të njihen me infrastrukturën jo vetëm fizike, por edhe psikologjike të së shkuarës dhe njëkohësisht ku vizitorët, miqtë, njerëzit e interesuar për të njohur se nga vijmë, mund të shohin dhe të prekin nga afër atë që ka qenë një nga pamjet më të errëta, më të mistershme dhe më të çuditshme të regjimit komunist.

Nga ana tjetër pjesë e kësaj infrastrukture do të jetë edhe hapja e dosjeve, që tanimë është kthyer në një projektligj që do të diskutohet nga Kuvendi në javët në vijim, bazuar në modelin gjerman. Një model në këndvështrimin tonë i shkëlqyer për t’u ballafaquar me të shkuarën, pa e përdorur të shkuarën në funksion të një lufte të brendshme politike apo shoqërore, por duke e vënë të shkuarën në dispozicionin tonë, për të siguruar që në të ardhmen, kjo histori të jetë e papërsëritshme dhe sigurisht edhe pjesës së gjithë kujtesës së sekretit, përfshirë në infrastrukturën e dosjeve, do t’i bashkëngjitet një infrastrukturë fizike, ku do të mund të shihet aq sa do të jetë e mundur për publikun, ajo çka ka qenë e tërë ngrehina e përgjimit, e përndjekjes dhe e përfshirjes së shoqërisë komuniste në një luftë të ftohtë civile mes njerëzish që ishin të shenjëstruar si pjesa e dyshimtë e shoqërisë dhe njerëzish që i trembeshin çdo ditë futjes në listën e të dyshimtëve. Trembje nga e cila në Shqipëri nuk ishte i imunizuar askush tjetër, përveç Enver Hoxhës. Edhe vetë anëtarët e Byrosë Politike dhe gjithë piramida shtetërore, njësoj siç e tregon historia e të gjithë vendeve komuniste apo diktatoriale, ishin të prekur nga ethet se mos përgjoheshin dhe se mos përmes përgjimit futeshin në listën e të dyshuarve dhe pastaj, në rrugën pa kthim të përndjekjes, të torturës dhe të asgjësimit fizik, siç ka ndodhur me shumë prej tyre. Sepse, në fund të fundit, historia e regjimit komunist ishte shprehje kuptimplotë e asaj shprehjes sesi revolucioni përfundon si ngrënësi më i babëzitur i bijve të vet dhe rrethi vicioz përfundon tek krijuesit e vet.

Duke e përfunduar unë dua t’i falenderoj të gjithë të pranishmit këtu dhe kam një falenderim të posaçëm për ambasadorin gjerman, për një arsye shumë të thjeshtë, se në këtë përpjekje ka ndihmuar duke sjellë zërin e vendit të vet, bazuar në eksperiencën e jashtëzakonshme të Gjermanisë së pas rënies së Murit, për të ndihmuar opinionin, për të ndihmuar qytetarët, për të ndihmuar edhe të gjithë debatuesit rreth kësaj teme të kuptojnë një fakt shumë të thjeshtë, nëse Gjermania është sot një vend shembull për raportin e vet me demokracinë dhe me të shkuarën dhe nëse Gjermania arriti të bëjë një proces të shkëlqyer transparence në raport me komunizmin, kjo erdhi edhe si rezultat i faktit se Gjermania përbën një shembull unikal në historinë e njerëzimit për mënyrën sesi u përball me fajësinë e Luftës së Dytë Botërore. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, me siguri askush, as më optimistët, përveç vetë njerëzve të iluminuar të Gjermanisë nuk do të mund ta imagjinonte se vetëm disa dekada më vonë, ai vend do të kthehej nga vendi i parë prej të gjithëve si burimi i një kërcënimi për mbarë botën, në vendin e parë prej të gjithëve si burim inspirimi për mbarë botën.

SHKARKO APP